Adelina Grainca cak i hakmarrjes politike, nuk gjen qetësi pas aderimit në Vetëvendosje

Politika

Adelina Grainca cak i hakmarrjes politike, nuk gjen qetësi pas aderimit në Vetëvendosje

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 prill 2021 Në ora: 08:23
Adelina Grainca dhe Albin Kurti

Deputetja Adelina Grainca, pas pjesëmarrjes në seancën e Kuvendit të Kosovës më 4 prill, kur është votuar Vjosa Osmani si presidente e Kosovës, kaloi nga Partia Demokratike e Kosovës në Lëvizjen Vetëvendosje.

Natyrisht, kjo gjë nuk kalo në heshtje, pasi menjëherë filluan reagimet e shumta, kryesisht anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Për pak kohë, deputetja Grainca u bë subjekt i kritikave dhe akuzave të mëdha. Madje, u bë një lloj fushate politike ndaj saj nga anëtarët e PDK-së, për dorëzimin e mandatit.

Mirëpo, kjo e fundit nuk i kushtoi vëmendje dhe rëndësi akuzave dhe kritikave të ish-bashkë partiakëve të saj, duke u filluar menjëherë punën në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Ndërsa, duke parë që deputetja Grainca nuk merrej shumë me kritikat që iu bënin në rrjetet sociale, dikush vendosi t’i dërgoj një mesazh linçues dhe fyes në muret e shtëpisë së saj: “Bijat i shesim, votat i qesim”.

Ky veprim ndaj deputetes Adelina Grainca, padyshim që u cilësua i ulët, fyes dhe seksist. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me këtë gjest të ulët lëshuan akuza ndaj zyrtarëve dhe përkrahësve të PDK-së, pasi e ndërlidhnin me largimin e Graincës nga kjo parti.

Duke qenë se Grainca ishte cak i sulmeve nga PDK, është e kuptueshme që akuzat u drejtuan ndaj saj.

 Por, zyrtarët e Partisë Demokratike e distancuan nga një veprim i tillë dhe i mohuan akuzat ndaj saj.

Kurse, analistët politik për gazetën “Bota sot” i komentuan grafitet në muret e shtëpisë së deputetes Adelina Grainca.

Ata kërkuan që sa më shpejtë të zbardhen autorët e këtij veprimi jo njerëzor dhe të ulët.

Bytyçi: Ky veprim shpërfaqë urrejtjen patologjike ndaj deputetes Adelina Grainca 

Njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar grafitet e shkruara në shtëpinë e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca.

Image
Adem Bytyçi

Bytyçi tha se shënimi i grafiteteve “Bijat i shesim, votat i qesim”, ishte një veprim tejet i ulët dhe jo njerëzor. Ai potencoi se ndonëse organet kompetente ende nuk e kanë zbardhur këtë çështje, faktorë të ndryshëm tregojnë se pas këtij veprimi mund të qëndrojë ndonjë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Në radhë të parë një veprim i tillë është i ultë, primitiv dhe pasojë e një urrejtje patologjike ndaj vetë zonj.Grainca. 

Pastaj se kush mund të jetë autor i një veprim kaq absurd dhe anti njerëzore, edhe pse akoma organet e drejtësisë nuk e kanë identifikuar, indicentët tregojnë se ndonjë anëtar i PDK-së, mund ta ketë bërë një veprim të tillë kaq të pa njerëzishëm në shenjë hakmarrje ndaj ish bashkë partiakes së tyre për shkak  të aderimit të saj në LVV, dhe votën e saj për zonj. Vjosa Osmani Sadriu, për Presidente të Kosovës”, deklaroi ai. 

Tutje, analisti përmendi edhe faktin se si në mënyrë të vazhdueshme PDK po kundërshton Qeverinë Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani. Pavarësisht, këtyre fakteve Bytyçi tha se kjo çështje mbetet të zgjidhet nga organet e drejtësisë. 

“Fakti për të cilin janë në dijeni të gjithë qytetarët e Kosovës, është se PDK, në mënyrë konstante kanë qenë, madje edhe tani kundër Qeverisë Kurti dhe kundër zonj.Osmani për Presidente të Kosovës, gjithsesi në kundërshtim me vullnetin e shumicës se qytetarëve të Kosovës. 

Sido që të jetë u  mbetet organeve të drejtësisë ta ndriçojnë një rast të tillë, duke e identifikuar autorin e një vepre kaq të ligë në shtëpinë e zonj.Grainca”, theksoi ai. 

Në fund, Bytyçi tha se subjektet politike në Kosovë, duhet të ndalojnë së vepruari në këtë mënyrë, pasi nëse përsëriten këto veprime jo njerëzore atëherë ato do ta dëmtojnë më së shumti imazhin e tyre. 

“Cilado parti që mundohet të imitojë sjelljet dikurshme të LVV-së, gabon, sepse ajo kohë ka perënduar, ka mbetur një relikt politik i një subjekti i cili kurrë më nuk do të përsëritet, e nëse përsëritet vetëm sa do ta dëmtoj imazhin e asaj partie në sytë e qytetarëve...”, përfundoi Adem Bytyçi.

Ahmeti kërkon zbardhjen e fakteve nga institucionet e drejtësisë, tregon se kush mund të jetë përfshirë në këtë rast 

Kurse, edhe analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti gjuhën e grafiteve ndaj deputetes së Kuvendit të Kosovës, Adelina Grainca e cilësoi si fyese dhe denigruese.

Image
Hidajet Ahmeti

Ahmeti kërkoi që deri të zbardhet rasti nga Prokuroria e Shtetit të mos drejtohet gishti ndaj asnjë partie politike apo ndonjë individi të caktuar.

“Grafiket e shkruara në muret e shtëpisë së ish deputetes së PDK-së, Grainca e tash e aderuar në Vetëvendosje, shpërfaqin një gjuhë fyese e denigruese ndaj kësaj të fundit. Kush do që është i involvuar në këtë gjuhë denigruese duhet të shkojë në përgjegjësi, por deri sa Prokuroria e Shtetit të hetoj rastin nuk mund të nxjerrim shkaktarët dhe të drejtojmë gishtin ndaj PDK-së apo individi të caktuar”, deklaroi ai, për gazetën “Bota sot”.

Në vazhdim, analisti nuk e mohoi faktin se arsyet e një veprimi të tillë ndaj deputetes Grainca, mund të lidhen me aderimin e saj në Lëvizjen Vetëvendosje, nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Edhe  pse një logjikë e thjeshtë na drejton në arsyetimin se shkaqet ndërlidhen me aderimit të saj nga PDK-ja në Vetëvendosje, por duhet t’i lihet hapësirë për të hetuar institucionet e drejtësisë. Sidoqoftë, PDK-ja si parti politike është distancuar nga ky akt i shëmtuar dhe çdo tendencë për të ndërhyrë në institucionet e drejtësisë është shkelje e pavarësisë së punës së gjyqësorit si pushtet”, potencoi analisti.

Ahmeti kërkoi që kjo çështje të mbetet në duart e organeve të drejtësisë, në mënyrë që ky rast të zgjidhet në mënyrë të paanshme dhe profesionale.

 “Ky rast duhet të mbetet në duart e institucioneve të drejtësisë deri në zbardhjen e fakteve në mënyrë të objektive , profesionale e të paanshme”, theksoi Hidajet Ahmeti.

Burjani: Grafitet në shtëpinë e deputetes Grainca, të papranueshme dhe të kundërligjshme 

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani tha se shkrimet në muret e shtëpisë së deputetes Adelina Grainca janë veprimet të kundërligjshme dhe kundër kushtetuese.

Image
Blerim Burjani

Burjani  për gazetën “Bota sot” tha se vullneti politik është çështje individuale dhe e pavarur nga subjekti politik.

“Kjo është e papranueshme, e kundërligjshme kundër kushtetuese, kur dihet se vullneti i deputetit është individuale dhe i pavarur nga partia politike”, deklaroi ai. 

Juristi tha se çdo deputet e ka lirinë e plotë të përcaktimit politik, këtë gjë e garanton edhe Kushtetuta e vendit dhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.  

“Deputeti e ka lirinë e plotë të përcaktimit ka të shkojë dhe a dëshiron të ndryshoj grupin parlamentar është çështje e vullnetit politik që e garanton këtë liri edhe Kushtetuta edhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme”, theksoi Blerim Burjani. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat