Albin Kurtin po tentojnë ta vendosin para aktit të kryer, vjen paralajmërimi për kryeministrin

Politika

Albin Kurtin po tentojnë ta vendosin para aktit të kryer, vjen paralajmërimi për kryeministrin

Nga: A.Morina Më: 27 prill 2021 Në ora: 16:58
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Gjatë ditëve të fundit në media kanë qarkulluar informata se dialogu Kosovë-Serbi do të rifillojë më 11 maj në Bruksel.

Madje, u përfol për një takim të mundshëm në Bruksel në mes kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Mirëpo, një deklaratë të tillë e ka hedhur poshtë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i cili njoftoi se Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë as ftesë, as njoftim për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj.

“Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve. Kryeministri Kurti udhëton nesër në Bruksel, bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi dhe zëvendëskryeministren Gërvalla, për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e qeverisë belge”, deklaroi Kryeziu.

Analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar çështjen e rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe prapavijat ‘misterioze’ nga takimi i zyrtarëve të BE-së me Serbinë.

Image
Faton Mehmeti

“Mbetet për t'u parë kjo gjë, ajo që dihet dhe besohet se qëndron është fakti se qeveria e re e Kosovës s’do jetë njësoj servile si e Hashim Thaçit”, deklaroi ai.

Tutje, analisti u shpreh se Albin Kurti po tentohet të vihet para një akti të kryer, pasi Bashkimi Evropian po synon që sa më shpejtë të fillojnë bisedimet Kosovë-Serbi.

“Duket se BE po tenton që me çdo kusht, sa më parë te nisin bisedimet, po tentohet që Albin Kurti të vihet në një akti të kryer, andaj edhe ftesa ndaj Kurtit nga BE ka synim që të takojë me Vuçiqin”, theksoi Mehmeti.

Në fund, ai potencoi se BE po luan me diplomacinë e Kosovës, mirëpo duhet pritur nëse do t’i funksionojë BE-së, kjo lojë me Qeverinë Kurti.

“Duke ditur qëndrimet e Kurtit duket se BE po lozë me diplomacinë, e cila mbetet për tu parë nëse do funksionojë apo jo”, përfundoi analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat