Fakte se si është ‘kapur sistemi i drejtësisë nga mafio-politika’?

Politika

Fakte se si është ‘kapur sistemi i drejtësisë nga mafio-politika’?

Nga: N.Sh Më: 6 maj 2021 Në ora: 22:07
Ilustrim

Tani situata siç është situata e krijuar në të gjitha institucionet e Kosovës, edhe në drejtësi nuk është hiq më e mirë.

Kështu po vlerëson ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, që sipas tij, është e kuptueshme se ata të mëdhenjtë e shtetit, kur i kanë emëruar vartësit e tyre nëpër institucione, e kanë ditur se kë po e nominojn dhe në të shumtën e rasteve ata edhe kanë pasur detyra të qarta se si duhet të punojnë.

Prandaj kjo situata e tillë e krijuar në KGJK, sipas Tërnavës, nuk është vetëm në këtë institucion si e tillë, të ngjashme janë në të gjitha institucionet tjera, prandaj jo rastësisht Kosova gjendet në situatë të vështirë të sundimit të ligjit apo më mirë të themi në një gjendje kolapsi. “Prandaj marrë në tërësi është e qartë pse po vazhdon ti mbron dhe amniston KGJK-ja të gjithë gjyqtarët e dëshmuar për abuzim me ligjin dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve të cilët vazhdimisht bëjnë denoncime dhe hasin në vesh të shurdhër, me trajtim improvizues dhe mashtrues të ankesave të tyre. Është e qartë pse KGJK-ja në vend të kërkimit të llogarisë për shkelësit - matrapazët e ligjit, i mbron, i amniston dhe i rehabiliton të njëjtit. Këtë të keqe të madhe e zbulon indirekt edhe raporti i punës së KGJK-së për vitin e kaluar. Sipas këtij raporti, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nga fillimi i janarit të vitit 2020, ka pranuar njëqind e tridhjetë e pesë (135) ankesa disiplinore të ushtruara nga persona  fizik dhe juridik ndaj gjyqtarëve, ankesa këto të trajtuara nga autoritetet kompetente dhe Këshilli, por që kryesisht nuk kanë rezultuar me vendime pozitive në favor të palëve të ankuara”, thotë ai.

Sipas tij, nga këto 135 ankesa, sipas raportit zyrtar, thuhet se Këshilli ka pranuar 126 vendime nga Autoritetet Kompetente me të cilat ankesat janë refuzuar si të pa bazuara, prej tyre katër (4) vendime për refuzim kanë qenë në lidhje me ankesat e pranuara në fund të vitit 2019, si dhe 122 vendime për refuzimin e ankesave të vitit 2020.

Image
Hajrullah Tërnava

“Nga numri total i ankesave për vitin 2020, KGjK ka pranuar nga Autoritete Kompetente, 20 kërkesa për inicim të hetimit disiplinor, prej të gjitha këtyre kërkesave, 2 ankesa të cilat kanë rezultuar në kërkesa për inicim të procedurës janë pranuar në fund të viti 2019, ndërsa 18 kërkesa janë pranuar gjatë vitit 2020. Raporti zyrtar i KGJK-s thotë se pas shqyrtimit të këtyre kërkesave për inicim të hetimeve disiplinore, KGjK ka themeluar 18 Panele Hetimore, ndërsa për 2 kërkesa KGjK ka pushuar hetimin disiplinor për shkak të vdekjes së subjektit hetimor, i cili ka qenë i njëjti në të dy rastet”, shton ai.

Ai shton se sipas raportit të KGjK, ajo ka mbajtur 20 seanca dëgjimorë dhe nga 13 raportet e pranuara ka shqyrtuar gjithsej, 11 raporte mbi faktet dhe provat e mbledhura, si dhe 9 raporte të pranuara në vitin 2020, nga panelet hetimore të themeluara në fund të vitit 2019.

“Në seanca, pas shqyrtimit të raporteve, janë marr gjithsej 19 vendime dhe janë shqiptuar këto masa: Vërejtje jo publike me shkrim 2 vendime; Vërejtje publike me shkrim, 1 vendim; Nuk është përgjegjës, liruar nga përgjegjësia 13 vendime; Zvogëlim i përkohshëm i pagës prej 10% për periudhën kohore prej 4 muaj, 1 vendim; Zvogëlim i përkohshëm i pagës prej 30%, për periudhën kohore prej 4 muajve, 1 vendim; Zvogëlim i përkohshëm i pagës prej 30% për periudhën kohore prej 6 muaj, 1 vendim. Në bazë të këtyre dëshmive nuk janë të mjaftueshme këto të dhëna të paraqitura nga vetë raporti zyrtar i KGJK-së,  por janë mbrojtje ashiqare të shkelësve të ligjit nga ky institucion, pasi që nuk ka as edhe një rast të vetëm të shkeljes së sanksionuar me pezullim, suspendim nga detyra e, ndalesë të plotë të ushtrimit të profesionit, apo qoftë edhe gjobë më të ashpra materiale”, pohon ai.

Sipas tij, marrë në tërësi dhe gjendjen që e kemi tani nëpër këto institucione, me miratimin e Ligjit të VETTING-ut duhet që të spastrohen të gjitha institucionet shtetërorë ne këtë afat qeveritar katër vjeçar, dhe shtetit ti kthehet dinjiteti dhe ligjshmëria, kështu që institucionet të jenë të shenjta konfrom Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat