‘Armatosja’ e Serbisë në prag të rifillimit të dialogut, vjen paralajmërimi për Kosovën

Politika

‘Armatosja’ e Serbisë në prag të rifillimit të dialogut, vjen paralajmërimi për Kosovën

Nga: A.Morina Më: 13 maj 2021 Në ora: 11:05
Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti

Dialogu Kosovë-Serbi pritet të rifillojë gjatë muajit qershor të këtij viti.

Por, në prag të rifillimit të bisedimeve, Serbia si çdo herë po tenton të provokojë dhe të dërgojë mesazhe të ‘fshehta’ përmes sulmeve tinëzare të saj.

Rasti i fundit, ishte sulmi përmes të shtënave me armë zjarri në drejtim të bjeshkatarëve shqiptarë në pjesën veriore të Kosovës, më saktësisht në qytetin e Zubin Potokut, i cili përbëhet nga shumica serbe.

Ndaj këtij sulmi, reaguan edhe krerët shtetëror të vendit, të cilët  dënuan një gjë të tillë.

Pasi ky sulm, si për ‘çudi’ erdhi pak ditë para rifillimit të dialogut me Serbinë dhe pas paralajmërimit të kryeministrit Kurti për padi gjenocidale ndaj shtetit serb.

Se a ka lidhje sulmi në veri me rifillimin e dialogut dhe çfarë po planifikon Serbia për ditët në vazhdim, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca.

Ai ka thënë se Serbia po vazhdon të përdor ende gjuhën e saj të ‘forcës’ në raport me Kosovën, duke thënë se këtë e vërteton edhe sulmi ndaj bjeshkatarëve shqiptarë në Zubin Potok.

Gjithashtu, Voca potencoi se Serbia përmes agresivitetit politik dhe të armatosur, po lë të nënkuptohet se ajo nuk është e gatshme për rifillimin e dialogut dhe vendosjen e paqes afatgjate në mes dy shteteve.

Image
Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca

“Fatkeqësisht, edhe sot kemi të njëjtën Serbi që njeh vetëm gjuhën e forcës. Me këto veprime të shtënash e agresive, Serbia natyrisht që nuk shpreh gatishmëri për dialog dhe paqe afatgjate. I qëndroj besnik idesë se për çdo stagnim qoftë lidhur me dialogun apo afrimin me BE-në, Serbia me orientimin e saj politik e gjeopolitik mbetet llogaridhënëse, stagnim i cili shprehet në mënyrë konsekutive përmes agresivitetit politik dhe të armatosur serb” deklaroi ai.

Sipas tij, Kosova po vazhdon të jetë e fokusuar në vendosjen e paqes në rajon, mirëpo shteti serb nuk po heq dorë nga veprimet agresive të tij.

“Serbia mbetet agresive, Kosova ka qenë dhe mbetet e fokusuar për paqe afatgjate. Ndërsa, për të gjithë krimet duhet të ketë drejtësi, e sidomos kur kemi të bëjmë me krime me përmasa gjenocidiale siç ishte rasti me Kosovë”, nënvizoi Voca.

Në vazhdim, njohësi i Integrimeve Evropiane lidhur me sigurinë në vend, u shpreh se Kosova është me fat që e ka ende KFOR-in.

Mirëpo, ai kërkoi nga Kosova që të jetë e përgatitur për çfarëdo agresioni të jashtëm dhe të brendshëm serb.

“Në njërën anë, lidhur me sigurinë në Kosovë, dhe tani sulmin në veri, fatmirësisht kemi ende KFOR-in në Kosovë kur kemi të bëjmë sidomos me ndonjë agresion të jashtëm apo në rastin aktual ndaj çfarëdo agresioni serb. Në anën tjetër, njëkohësisht Kosova duhet të jetë e përgatitur për çfarëdo agresioni të jashtëm dhe të brendshëm duke qëndruar gjithnjë në bashkëpunim me miqtë e saj”, potencoi ai.

Në fund, Voca tha se dialogu do të rifillojë pavarësisht këtyre provokimeve të Serbisë, andaj bëri apel që Kosova të tregohet vigjilente krahas lëvizjeve e veprimeve jopaqësore të cilat do të mund ta përshkallozojnë klimën e brishtë politike në Ballkanin Perëndimor

“Dialogu si duket do të rifilloj sepse Kosova nuk është bllokues i tij, por që shteti serb sikur gjithmonë nuk arrin të dialogoj në formë civilizuese dhe për fat të keq është larg një niveli të tillë. Sido që të jetë dialogu do të mund të ndikohet nga situata në teren, dhe Kosova duhet të mbetet shumë vigjilente krahas lëvizjeve e veprimeve jopaqësore të cilat do të mund vetëm ta përshkallëzojnë klimën e brishtë politike në Ballkanin Perëndimor, për ç 'gjë Serbia ishte dhe do të mbetet fajtore”, përfundoi Mirsad Voca, përcjell “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat