PDK-ja kërcënon Donika Gërvallën, këto janë krimet e krerëve të saj

Politika

PDK-ja kërcënon Donika Gërvallën, këto janë krimet e krerëve të saj

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 maj 2021 Në ora: 08:31
Donika Gërvalla

Debatet e forta në mes të deputetëve kanë përmbyllur seancën e Kuvendit të Kosovës gjatë javës së kaluar. Deklarata e Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, lidhur me Gjykatën Speciale është pritur me reagime të shumta nga PDK-ja.

Gërvalla deklaroi  se deputetët e PDK-së, janë përgjegjës për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Gjykata Speciale, nuk është instaluar nga Serbia, ajo është e instaluar nga ju, sepse, ju jo vetëm që nuk keni ndërmarrë asnjë hap për dënimin dhe gjykimin e krimeve të pasluftës por ju jeni munduar ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë dhe ju në këtë formë e keni bërë të mundshme Gjykatën Speciale dhe e keni votuar atë. Ky koalicion qeveritar nuk e ka krijuar Gjykatën Speciale dhe ju jeni përgjegjës që prijësit tuaj janë në Hagë. Bëhuni opozitë serioze dhe konfrontohuni me të vërtetën”, ka thënë Gërvalla.

Pas një reagimi të tillë, ishte deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri i cili e akuzoi Gërvallën si turpin e diplomacisë së vendit, derisa e quajti ambasadore të Serbisë në Kosovë.

“E nderuar ministre sot na e dëshmove që Republika e Serbisë nuk ka nevojë me u marr me Republikën e Kosovës sepse të ka aty në Kosovë, në krye të diplomacisë së Kosovës. Ti je turpi i diplomacisë së Kosovës. Me dal dhe me thanë që Serbia nuk e ka bërë Gjykatën Speciale është turpi më i madh. Ajo gjykatë është bërë me fakte të sajuara nga qeveria serbe. Dil kërkoju falje qytetarëve dhe atyre që janë atje të akuzuar. Sepse kjo gjykatë është bërë nga njerëz si ju dhe nga dëshmi të juve. Sot nuk ka nevojë Daçiç me fol sepse është Donika Schwarz sepse atë tjetrin po më vjen marre me ta përmend.  Ti sot më shumë ngjason me ambasadorin e Serbisë në Kosovë sesa me ministren e punëve të Jashtme”, ka thënë ai.

Këto akuza ndaj Gërvallës u panë si një tjetër kërcënim nga PDK-ja, pasi ajo ka marrë seriozisht luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend.

Zeqiraj: Ende ekziston mendësia shantazhuese e kërcënuese, ndaj atyre që kërkojnë drejtësi

Njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj duke komentuar këtë debat në Kuvendi, thotë se seanca parlamentare e ftuar nga PDK-ja lidhur me Gjykatën Speciale, me rastin e kërkesës për hetim në gjendje të lirë, të të burgosurve në Hagë, dëshmoi se mendësia shantazhuese e kërcënuese, ndaj atyre që kërkojnë drejtësi, ekziston.

Image
Idriz Zeqiraj

“Reagimi shkumues, me një ton e zhargon rrugaçësh, të disa deputetëve të PDK-së, më të zëshmit Abelard Tahiri, Hajdar Beqaj, Ardian Kastrati, ndaj Donikë Gërvallës, flet dukshëm! Kur krimi nuk ndëshkohet, ai përsëritet. Kështu po ndodhë në Kosovën ton! Sipas statistikave të njerëzve kompetentë, llogaritën 1826 kundërshtarë politikë të ekzekutuar para, gjatë dhe pas lutës. Një statistikë tjetër shton edhe më shumë viktima. 26 syresh janë dëshmitarë të Hagës. Dy të fundit janë eliminuar, përkatësisht, në shkurtin e vjetëm dhe janarin e sivjetëm”, thotë ai.

Zeqiraj në këtë rast ka përmendur edhe vrasjet e Ekrem Rexhës e Shaban Manaj dhe arrestimin e grupit vrastar në këtë rast.

“Edhe pse vrasjet kanë një pjesëmarrje grupore, zbulimet kanë qenë hiçe! Për shembull në rastin e ekzekutimit të Ekrem Rexhës dhe Shaban Manaj, grupet vrastare janë arrestuar. Por, janë liruar, qëllimshëm, ta vrasin shefin e grupit të tyre, duke ia faturuar vetëm atij vrasjen. Dhe, dosja është mbyllur!?”, thekson ai.

Zeqiraj: Deputetët mbrojtës fanatikë, i dinë vrastarët, kriminelët, andaj edhe flasin me sigurinë absolute

Sipas Zeqirajt, mënyra e mbrojtjes të katërshes të Hagës, deri në garantimin se "ata nuk janë fajtorë për vrasjet politike", nënkupton se deputetët mbrojtës fanatikë i dinë vrastarët, kriminelët, andaj edhe flasin me sigurinë absolute, që nuk janë këta që ndodhën në Hagë!

“Falsifikimi rreth të burgosurve në Hagë, për të bëmat e tyre për Atdheun, është grotesk. Ata cilësohen si themelues të UÇK-së, krerët kryesorë në drejtimin e luftës të UÇK-së, komandantë dhe luftëtarë heroikë të luftës të Kosovës, njëri syresh edhe drejtor politik i UÇK-së!?”, thotë Zeqiraj për “Bota sot”.

Zeqiraj thotë më tutje se derisa ka jetuar për tri dekada në Shqipëri, ka njohur ushtarakë e miqtë e të akuzuarve në Hagë. Thotë se po ashtu ka njohur edhe Sebahate Tolajn e ekzekutuar si hetuese e Prokurorisë Speciale.

“Kam jetuar tri dekada në Shqipëri. Njohë të gjithë garniturën e Sigurimsave dhe të ushtarakëve të lartë, të Enver Hoxhës, përfshi edhe miqtë e të akuzuarve aktual në Hagë. Që nga marsi i vitit 1998, kam qenë në krye të Emergjencës, me nipëri Hasan dhe Ismet Rexhaj, me punëtorët e Fabrikës "Etniku", që nga pritja e refugjatëve, ikanakëve nga Kosova, deri në furnizimin me armatim dhe bazën tjetër materiale, për luftëtarët në brezin kufitar të Kosovës. Shefe të Emergjencës e kemi pasur oficeren e karrierës, vajzën trime Sabahate Tolaj, e ekzekutuar në cilësinë e hetueses në Prokurorinë Speciale. I dimë edhe lëvizjet e "komandantëve të "Rognerit", disa prej të cilëve i kemi strehuar në fillim, gratis, në Tiranë. E vërteta është se tre, prej të katër të burgosurve, nuk janë as themelues të UÇK-së, as drejtues të saj, as komandantë dhe as ushtarë luftëtarë! Këta janë marrë me komunikata, "lista të zeza", me deklarata nga televizioni i Tiranës, Redaksia e Kosovës, të cilën e kanë marrë me dhunë, duke organizuar edhe një atentat të dështuar, kundër Ministrit të Informacionit në Gjenevë, Xhafer Shatrit”, thotë ai.

Zeqiraj thotë se ata ‘kanë qenë të zënë edhe me fletushkën "Zëri i Kosovës", e cila harroi Serbinë dhe sulmonte dhe akuzonte Presidentin Rugova dhe LDK-në, për tradhti kombëtare’.

“Përkujdesje të veçantë kanë pasur për Fondin "Vendlindja thërret" dhe fondet tjera, tërësisht, të paligjshme dhe skajshmërish abuzuese. Në këtë ndërmarrje kriminale, kanë qenë me shumë shokë dhe të gjithë "komandantë" pa ushtarë!  Shokët e tyre të LPK-së, dikur, bashkëpunëtorë, i akuzojnë disa nga këta të burgosur dhe disa të tjerë, ende në liri, se kurrë nuk kanë qenë pjesë e luftës. Përkundrazi, e kanë përçarë Faktorin Ushtarak dhe popullin, kanë bashkëpunuar edhe me armiq të Kosovës, kanë sabotuar luftën e UÇK-së në Kosovë, kanë bërë tradhti kombëtare! Këto dëshmi e deklarime, i kanë publikuar ke gazeta "Kosova sot" dhe në gazeta dhe portale tjera të Kosovës, Shqipërisë dhe të Iliridës”, thekson ai.

Tutje, publicisti Zeqiraj thotë se pas arrestimi dhe akuzave të rënda, bashkëpunëtorët e Hashimit, i bënë disa letra Gjykatës Speciale në Hagë.

“Ata kërkonin ta kenë në konsideratë, për lehtësi akuzash numerike, sidomos ato që lidhen me postet drejtuese të UÇK-së. Sepse nuk ekziston asnjë mbledhje, asnjë dokument i LPK-së dhe i SHP të UÇK-së, që Hashim Thaçi të jetë zgjedhur në ato poste. Madje, kurrë nuk është zgjedhur në krye të Drejtorisë Politike të UÇK-së. Këtë e thonë ata dhe jo unë.  Krimeve, gjithherë, u ka paraprirë propaganda. Kujtoni luftërat dhe diktatorët që i kanë shkaktuar ato, të cilat kanë përgjakur njerëzimin. Edhe shpallja e luftës verbale, gojore, nga PDK-ja, PAN-i, kundër Donikë Gërvallës dhe politikanëve, përfshirë edhe koalicioni LVV-Lista GUXO, që e kanë edhe premtim elektoral, luftën ligjore kundër krimit të organizuar dhe të hajnisë zyrtare, shantazhuesit, kërcënuesit përçojnë një mesazh të keq, është një ogur i zi, që kërkon gjak. Koha për kujdes e vigjilencë. "Bisha e plaguar, kafshon shëmtuar",- thotë populli”, përfundon analisti Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat