Largimet e shumta nga AAK, flet për herë të parë nënkryetari i këtij subjekti - ja si i cilëson ato

Politika

Largimet e shumta nga AAK, flet për herë të parë nënkryetari i këtij subjekti - ja si i cilëson ato

Nga: A.Morina Më: 25 maj 2021 Në ora: 22:57
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit është përballur me largime të shumta.

Disa anëtarë të saj, dhanë dorëheqja nga pozitat e tyre partiake për të vazhduar politikat e tyre, në drejtime tjera.

Mirëpo, siç duket AAK-në nuk po e shqetësojnë fare këto largime.

Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj në një intervistë për gazetën “Bota sot” tha se këto largime i cilëson si krejtësisht normale dhe asgjë tragjike.

Sipas Nitajt, askush nuk është i përjetshëm, disa largohen e disa i bashkohen Aleancës.

Image
Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj

“Unë nuk i shoh tragjike këtë lëvizje. Bile për mua janë krejtësisht normale. Askush nuk është i përjetshëm. Dikush largohet e dikush vjen. Ka pasur disa figura me një përvojë të gjatë në AAK, që në një moment të caktuar kanë kërkuar të lirohen nga aktiviteti në parti dhe natyrisht ne i kemi kuptuar. Bile i kemi përcjellë edhe me mirënjohje, sepse ata padyshim se kanë kontribuar në AAK”, deklaroi ai.

Në vazhdim, nënkryetari i Aleancës dha detaje për aderimet e reja në AAK, ku tha se krahas kësaj subjekti në të cilin bënë pjesë iu është nënshtruar një procesi reformative, ku po i analizon gabimet e saj

“Por në të njëjtën kohë ka qenë shumëfish më i madh numri i atyre që kanë aderuar në AAK, por nuk kemi bërë propagandë për ardhjen e tyre.

Aleanca është në një proces edhe reflektimi edhe mobilizimi! Po i analizojmë gabimet tona dhe po i bëjmë veprimet e duhura që Aleanca të ketë shtrirje më të madhe dhe të jetë parti e gjithë atyre që kanë vullnet, energji por edhe vizion dhe mund tu them se jemi në rrugë të mirë!”, përfundoi Muharrem Nitaj.

Shënim: Intervistën e plotë më Nënkryetarin dhe Shefin e Shtabit Zgjedhor të AKK-së, Muharrem Nitaj do të keni mundësi ta lexoni ekskluzivisht nesër në gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat