“Nuk duhet t’i merret mandati shkaku i dialogut, Qeverisë e Kryeministrit Kurti!”

Politika

“Nuk duhet t’i merret mandati shkaku i dialogut, Qeverisë e Kryeministrit Kurti!”

Nga: A.Morina Më: 30 maj 2021 Në ora: 15:52
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Dialogu Kosovë-Serbi shumë shpejtë pritet të rifillojë, temë e cila është më një rëndësi të madhe për shtetin e Kosovës.

Qeverinë e vendit, ne krye me kryeministrin Albin Kurti e pret një sfidë në Bruksel, ku do të përballet me shtetin i cili kreu krime të rënda njerëzore ndaj qytetarëve të Kosovës.

Kryeministrin Kurti ditë më parë zhvilloi takime me disa nga krerët e partive opozitare, ku diskutuan rreth qasjes dhe prioriteteve në këto negociata.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, rikujtoi se në kohën kur Aleanca e ka drejtuar qeverinë, ka deklaruar se ky proces u takon të gjithëve.

Ai përmendi edhe tentativat për formimin e një ekip uniteti mbipartiak për dialogun.

Image
Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj

“Ne edhe kur e kemi drejtuar vetë qeverinë, e kemi thënë se dialogu është në proces që u takon të gjithëve. Nëse ju kujtohet Kryeministri Haradinaj kishte provuar që ta krijojë një ekip uniteti mbipartiak për dialogun”, deklaroi ai për gazetën “Bota sot”.

Kurse, Nitaj kërkoi nga Qeveria Kurti që të synojnë një konsensus të brendshëm për platformën dhe përmbajtjen e bisedimeve me Serbinë.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, nënkryetari i AAK-së nuk e sheh të arsyeshme t’i merret mandati për këtë temë Qeverisë e Kryeministrit!

“Edhe sot e mbrojmë një parim të tillë. Kosova duhet ta synojë një konsensus të brendshëm për platformën dhe përmbajtjen e bisedimeve me Serbinë. Kjo nuk nënkupton se duhet t’i merret mandati për këtë temë Qeverisë e Kryeministrit! Ata e kanë këtë mandat edhe me Kushtetutë, por palët politike që përfaqësohen në Kuvend, duhet të jenë në dijeni për çdo detaj të këtij procesi!”, theksoi ai.

Në fund, Nitaj përmendi edhe dy kërkesat e partisë së tij ndaj qeverisë aktuale, lidhur me dialogun me Serbinë.

“Ne nuk kërkojmë të përfshihemi në ekipin e dialogut, por insistojmë që të jemi të informuar e të konsultuar për çdo detaj të këtij procesi.

Kjo një dhe e dyta, kërkojmë që në këtë proces të përfshihen dhe të kenë rol SHBA”, përfundoi Muharrem Nitaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat