Albin Kurti do të marrë përgjegjësi në përfshirjen e Veton Surroit në dialog, ky është paralajmërimi

Politika

Albin Kurti do të marrë përgjegjësi në përfshirjen e Veton Surroit në dialog, ky është paralajmërimi

Arife Morina Nga Arife Morina Më 2 qershor 2021 Në ora: 11:55
Në foto është Veton Surroi dhe pas tij në prapavijë, harta e "Non paper-it" të publikuar nga mediumi i tij, të cilin e kanë mohuar ta kenë shkruar Gjermania dhe Franca

Rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi po përcillet me shumë zhvillime politike, ku shumë tema dhe çështje mbeten jo shumë të qarta.

Një prej tyre, është edhe ekipi i ekspertëve të angazhuar në procesin e dialogut, i cili do ta këshillojë Qeverinë e Kosovës, në Bruksel.
Kurse, së fundmi publicisti Veton Surroi e ka konfirmuar se do të jetë këshilltar i jashtëm i ekipit negociator në dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar një grup njerëzish për këtë funksion dhe se dakordimi është arritur duke u krijuar një ekip këshillëdhënës.

“Angazhimi im është në cilësinë e këshilltarit të jashtëm për nevojat e procesit negociator. Jemi në dispozicion të Qeverisë për nevojat e procesit negociator, në këtë rast zëvendëskryeministrit Besnik Bilimi, i cili është i angazhuar, si dhe nevojave të kryeministrit, pra kurdo që ai të ketë nevojë. Është proces interaktiv që si çdo proces këshillëdhënie ekziston një këmbim mendimesh. Kjo ka të bëjë vetëm me procesin negociator. Qeverisë i është ofruar një numër njerëzish, Qeveria ka kërkuar një numër njerëzish, është arritur dakordanca dhe është krijuar ky ekip”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ai ka thënë se autorësinë e përfundimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi e ka kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi meqë kanë marrë votën e popullit.

Mirëpo, duke pasur parasysh qëndrimet e kaluara politike të Surroit, është vënë në dyshimi kontributi i tij në këtë proces të dialogimit.

Ai njihet për qëndrimet e tij pro Jogusllavisë dhe madje së fundi ka publikuar dhe një "Non paper" përmes mediumit të tij, lidhur me një dokument gjermano-francez, i cili është mohuar nga këto dy shtete.

Se a është personi i duhur Veton Surroi për ta këshilluar kryeministrin Albin Kurti, kanë treguar njohësit e çështjeve politike në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”.

Ata u shprehën skeptik në lidhje me përfshirjen e Surroit në dialogut, derisa dhanë edhe argumentet e tyre në lidhje me këtë çështje

Tahiraj: Rrugëtimi politik i Kurtit dhe Surroit ka shumë gjëra të përbashkta!

Veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Saim Tahiraj gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot”, ka folur për përzgjedhjen e Veton Surroit në ekipin këshillues të Qeverisë Kurti në dialogun me Serbinë.

Tahiraj e kundërshtoi një gjë të tillë, pasi sipas tij kjo gjë tregon pasiguri, mungesë të besimit në vete dhe grupit partiak, nga kryeministri Kurti. Ai tha se Albini nuk po ka guxim ta drejtojë procesin e bisedimeve me shtetin serb.

Image
Saim Tahiraj

“Ftesa e Albin Kurtit për disa person që të ju bashkëngjiten grupit negociator në forma të ndryshme, tregon qartë pasigurinë, mos besimin në vetvete dhe rrethin partiak që ka! Kjo pasiguri dhe mosbesim e ka shndërruar "guximtarin" e madh dikur, në frikacak që nuk po e ka guximin për të drejtuar procesin e dialogut me Serbinë. Ky "guximtar" i madh, dikur kundërshtonte dhe luftonte me mënyrat më vandale çdo proces bisedimesh me Serbinë, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtar! Me vandalizëm të paparë sulmoi institucionet ndërkombëtare dhe vendore duke shkatërruar objekte dhe veturat e tyre, duke sulmuar edhe personalitet politike dhe udhëheqës institucional”, ka deklaruar veprimtari i LDK-së.

Mirëpo, pavarësisht këtij kundërshtimi, Tahiraj nuk u befasua nga ftesa e Kurtit kundrejt Surroit, pasi ai beson se rrugëtimi i tyre politik ka shumë gjëra të përbashkëta, andaj edhe ky riafrim i tyre është natyrshëm normal dhe i pritshëm!

“Tani kur në zgjedhjet e fundit ka fituar mbi 50% dhe ka në dorë të gjitha institucionet vitale të vendit, ky farë "guximtari" i madh është shndërruar në një pulë të stërkequr dhe kërkon shpëtim nga ish bashkë-ideologët e tij. Ftesa për Veton Surroin dhe pranimi i Vetonit që t'i bashkëngjitet ekipit të Albinit në bisedime me Serbinë, nuk duhet të na befasojë. Rrugëtimi i tyre politik ka shumë gjëra të përbashkëta, andaj edhe ky riafrim i tyre është natyrshëm normal dhe i pritshëm! Njëra ndër gjërat më të rëndësishme që i bashkoi fuqishëm në rrugëtimin e tyre politik, ishte lufta e ashpër dhe e pakomoromis kundër LDK-së dhe Presidentit Rugova”, ka theksuar ai.

Në vazhdim, veprimtari përmendi edhe projektet e LDK-së në krye me Presidentin Rugova, ku pikërisht ndaj tyre doli kundër Veton Surroi me projektin UJD që për qëllim kishte ruajtjen e Jugosllavisë.

“Derisa projekti i LDK-së dhe Presidentit Rugova ishte shteti i Kosovës me tri postulatet, "Liri, Pavarësi, Demokraci", këta dolën me projekte tjera që për qëllim kishin rrënimin e këtij projekti! Vetoni doli me projektin UJD që për qëllim kishte ruajtjen e Jugosllavisë. Adem Demaçi doli me projektin e Ballkanis i cili nuk ishte asgjë tjetër, vetëm një Jugosllavi e re. Rexhep Qosja herë me projektin e bashkimit kombëtar e herë me shkëmbimin e territoreve. Albini me projektin e bashkimit kombëtar. Të gjithë këta që i përmenda dhe disa të tjerë, së bashku ne LPK-në, në vazhdimësi kundërshtuan, sabotuan dhe luftuan pamëshirshëm projektin e LDK-së dhe Presidentit Rugova”, ka shpjeguar ai për "Bota sot".

Tahiraj tregoi se si projektet e Surroit, Demaçit e Qosjes nuk arritën të realizoheshin dhe triumfuan ato të Presidentit historik Ibrahim Rugovës.

Arsyeja e fitores së Rugovës, sipas tij ishte mbështetja e shumicës së popullsisë dhe mbështetjen e miqve tanë amerikanë dhe evropianë.

“Të gjitha këto projekte të tyre, jo vetëm që nuk u realizuan kurrë por u shuan që në embrion, mu si flluska sapuni. Kurrë nuk arritën të marrin mbështetjen dhe përkrahjen e popullit, qoftë ajo edhe minimalja. Projekti i LDK-së dhe Presidentit Rugova fitoi dhe sot është realitet. Fitoi sepse ishte realist, konsistent dhe i pandryshuar kurrë, kishte mbështetjen e popullatës shumicë, kishte mbështetjen e miqve tanë amerikanë dhe evropianë. Kryesorja ishte se në ballë kishte njeriun e urtë, unifikues, vizionar, i vendosur dhe me shumë autoritet te populli i Kosovës, Presidentin Rugova me urtësinë e tij, koordinoi të gjitha këto në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me sukses e realizoi atë”, ka deklaruar veprimtari i LDK-së.

Tutje, ai përmendi edhe kundërshtimet e mëdha nga politikanët shqiptar me të cilat u përballë Presidenti Rugova.

Në këtë mes, sipas Tahirajt, bën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

“Sikur të shikojmë rrugëtimin politik të këtyre azganëve politik, të cilët ishin kundër çdo gjëje që formonte dhe ndërtonte Presidenti Rugova dhe institucionet që drejtonte ai, vërtetojmë se sa, egoist, labil, inatqorë, urrejtës dhe pa dinjitet ishin. Nga urrejtja dhe xhelozia që kishin, vetëm të shkatërronin dhe rrënonin dinin. Albin Kurti si pjesë e atij konglomerati nuk di të veprojë ndryshe sepse është i ndërtuar si i tillë. Sado që në pamje të parë duket se ka pësuar një metamorfozë, ajo është vetëm fasadë prapa së cilës fshihet vandalisti, rrugaçi politik, gënjeshtari dhe i eturi skajshmërisht për pushtet”, ka theksuar ai.

Ndërsa, Tahiraj përmendi edhe një fakt interesant se si Surroi me mediumet e tij si KTV, Koha Ditore dhe disa të tjerë ishin në shërbime të vazhdueshme ndaj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ribashkimi i Veton Surroit me të është i natyrshëm, mirë që tani po deklarohet publikisht. Ai në vazhdimësi ishte me të dhe në anën e tij. I tërë arsenali propagandistik i Vetonit, KTV, Koha Ditore dhe të tjera ishin në shërbim të Albinit dhe VV-së, andaj mos u çuditni në këtë "rirreshtim të ri". Sot Kosova është më e pasigurt me këta të pakurrizorë në krye. Me të drejtë hapen shumë dilema, pasiguri dhe mosbesim, se çka do sjellin këto bisedime me Serbinë që pritet të rifillojnë në qershor. Nga Albini, Qosja, Vetoni dhe të tjerët si këta mund të pritet gjithçka, andaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm!”, ka vlerësuar ai.

Në fund, veprimtari i LDK-së, u befasuar nga qëndrimi i lidershipit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, karshi ftesave të Albin Kurtit.

Ai kërkoi nga LDK, ta luajë rolin e vet opozitar si oponencë e Qeverisë Kurti dhe jo të jetë marionetë e saj!

“Më befason shumë qëndrimi i lidershipit të ri të LDK-së! Pse duhet të vrapojë pas çdo ftese që i bën Albini? A thua i harruan kaq shpejt sjelljet vandale të Albinit ndaj LDK-së, drejtuesve të saj dhe institucioneve që drejtonte ajo? Lidershipi i ri i LDK-së nuk duhet të ju përgjigjet ftesave të këtij rrugaçi politik, nuk i bëjnë nderë, janë fyerje për elektoratin e sajë besnik! A është duke e kuptuar ende lidershipi i ri i LDK-së se nuk është në pozitë por në opozitë, madje si parti e tretë? LDK duhet ta luajë rolin e vet opozitar si oponencë e Qeverisë Kurti dhe jo të jetë marionetë e saj! Mos të harrojmë se sjellje të tilla në të kaluarën na kushtuan shumë dhe mu për këtë jemi me vetëm 12% “, ka përfunduar Saim Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Mehazi: Përzgjedhja e Veton Surroi bie mbi kryeministrin Albin Kurti

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk duhet dyshuar në përfshirjen e Veton Surroit në dialogun me Serbinë, pasi, sipas tij duhet besuar kryeministrit Kurti në përzgjedhjen e këshilltarëve të tij.

“Ftesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit drejtuar Veton Surroit për të qenë këshilltar i tij gjatë dialogut me Serbinë duhet besuar e kurrsesi nuk duhet dyshuar. Shumica e qytetarëve të Kosovës besuan dhe ia dhanë votën për të udhëhequr Albin Kurti qeverinë e Kosovës, atëherë pse mos t'i besojnë edhe për zgjedhje e këshilltarëve të tij”, ka thënë ai.

Mehazi ka potencuar se përgjegjësia mbi zgjedhjen e Surroit, bie mbi kryeministrin Kurti nëse diçka e tillë mund të shkojë në dëm të Kosovës apo vetes së tij.

Image
Sulejman Mehazi

“Pesha e përgjegjësisë për zgjedhjen e Veton Surroit si këshilltar bie mbi vetë Albin Kurtin dhe besojmë se Kurti nuk e ka ftuar në dëm të Kosovës e vetes së tij, Albin Kurti nuk është naiv të bashkëpunojë me ata që janë kundër Kosovës e me Serbinë”, ka theksuar Mehazi.

Mirëpo, profesori beson se Surroi do ta ndihmojë kryeministrin Kurti, në procesin e negociatave me Serbinë. Ai konsideron se qëndrimet e Vetonit janë qëndrime diplomatike e jo politike dhe fjalori i tij diplomatik do t'i ndihmojë Kurtit.

“Duam apo s'duam ta pranojmë, një gjë dihet se Veton Surroi ka lindur, është rritur e jetuar me diplomaci, përvoja e madhe e tij diplomatike e ka detyruar Kurtin që të bashkëpunojë me Surroin në lidhje me dialogun me Serbinë. Është absurde të thuhet se Veton Surroi do dëmtojë Kosovën, problemi është se qëndrimet e Veton Surroit ndaj Serbisë janë të pakuptueshme për qytetarët sepse janë qëndrime diplomatike e jo politike, fjalori i tij diplomatik do t'i ndihmojë Kurtit gjatë dialogut me Serbinë”,ka nënvizuar Mehazi.

Tutje, ai krahasoi edhe idetë diplomatike të Surroit me Azem Vllasin dhe rëndësinë e tyre në dialogun me Serbinë.

“Idetë diplomatike të Veton Surroit janë shtetërore e jo politike partiake. Dialogu me Serbinë kërkon mençuri diplomatike e jo bindje politike partiake. Nuk do ishte keq që Albin Kurti të forcohej dhe më me rastin e dialogut me Serbinë edhe me Azem Vllasin”, potencoi profesori.

Në fund, Mehazi tha se dialogu me shtetin serb kërkon përgatitje të dy anshme, një, diplomatike, dy, politike, prandaj duhet besuar e përkrahur e jo kritikuar e sharë Kryeministrin Kurtin, në përzgjedhjet e tij.

“Fjalori diplomatik i Veton Surroit do përvetësonte përfaqësuesit e BE-së, Borrell e Lajçak, SHBA, kurse fjalori argumentues politik i Azem Vllasit do shtrydhte idetë politike serbe të Vuciqit kundër Kosovës. Për diplomaci, gjatë dialogut me Serbinë, Albin Kurti do ta kishte Veton Surroin, për politikën ndaj Serbisë do ta kishte Azem Vllasin. Dialogu me Serbinë kërkon përgatitje të dy anshme, një, diplomatike, dy, politike, prandaj duhet besuar e përkrahur e jo kritikuar e sharë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për shkak bashkëpunimit të tij me Veton Surroin!” ka përfunduar profesori Sulejman Mehazi për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat