Serbia nuk ndal lobimin kundër Kosovës, të ndërhyjnë SHBA dhe BE, kështu të veprojë Qeveria

Politika

Serbia nuk ndal lobimin kundër Kosovës, të ndërhyjnë SHBA dhe BE, kështu të veprojë Qeveria

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 9 qershor 2021 Në ora: 17:51
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Me marrëveshjen e nënshkruar në shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë, Kosovës i ndalohet që të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbisë lobimi kundër Kosovës, për ç’njohjet nga shtetet që e kanë njohur Kosovën.

Por, pavarësisht kësaj, Serbia po e bën këtë, duke mos respektuar kështu marrëveshjen e arritur në SHBA.

Edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, kanë thënë se nuk ka sinjale që Serbia e ka ndalur fushatën për të siguruar ç’njohjet nga vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën si të pavarur.

Këto deklarata të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës vijnë pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili pretendon se ekzistojnë shtete, që janë të gatshme që të tërheqin njohjet e Kosovës.

Lidhur me atë se si duhet të veprojë Kosova, derisa nuk ka të drejtë të aplikojë për tu bërë anëtare në organizata ndërkombëtare, ndërsa që Serbia nuk e respekton marrëveshjen dhe synon t’i bind shtetet që ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës si shtet, për “Bota sot”, kanë folur disa njohës të çështjeve politike.

“Të ndërhyjnë BE dhe SHBA”

Image
Adem Bytyçi

Kështu, analisti politik Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Kosovës i ka mbetur vetëm të zbatojë në të gjitha fushat reciprocitetin me Serbinë dhe sipas Bytyçit, pas këtij vendimi nga Serbia duhet të ndërhyjnë SHBA-të dhe BE, përndryshe raportet në mes Kosovës dhe Serbisë do të acarohen më shumë.

“Kosovës nuk i mbetet tjetër zgjidhje përveçse të zbatojë parimin e reciprociteti me Serbinë në të gjitha fushatë. Shumë politologë vendor nga të cilët edhe disa ndërkombëtarë me kohë e kanë tërhequr vërejtjen se Serbia nuk është e interesuar për një marrëveshje paqësore dhe të drejtë me Kosovën. Tani pas vendimit të tillë të Serbisë kundër shtetësisë të Kosovës, do të duhej të ndërhynin BE-ja dhe SHBA-të, në të kundërtën vetëm sa do të acarohen raportet Kosovë - Serbi, gjithsesi me fajin e Serbisë”, ka thënë Bytyçi.

“Serbia nuk do të arrin që shtetet e forta ta çnjohin Kosovën”

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti Rexhep Shahu, ka thënë se shpresat janë te shpejtimi i procesit të dialogut nga politika amerikane dhe ajo evropiane. Ai thotë se Serbia nuk do të mund që vendet e forta ta ç’njohin Kosovën, sepse Kosova është e njohur nga vende të forta, e në veçanti njohja nga Izraeli që ndryshe Shahu e quan edhe fitorja më e madhe deri tani.

“Shpresoj se nuk do te zgjasë shumë që kthetrat serbe të jenë ende mbi Kosovën e të ardhmen e saj. Intensifikimi i politikës amerikane dhe evropiane për dialogun shpresojmë ta shpejtojë procesin. Serbia nuk do të mund ta rikuperojë humbjen e Kosovës me asgjë dhe shpresojmë që politika serbe të shpëtojë nga kjo gjë që e ndjen si mallkim. Serbët janë gati të bëjnë çdo gjë por Kosovën, nuk e marrin dot kurrë më në asnjë mënyrë e rrethanë, pasi unë besoj fort se shqiptarët e Kosovës do ta bëjnë të flasë shqip edhe guri edhe druri në Kosovë. Nuk arrin dot Serbia të bëjë çnjohje nga vende politike të forta e korrekte, pasi fuqitë e botës e kanë njohur Kosovën e vende anonime e periferike pak vlerë kanë. Kosova është njohur nga Izraeli dhe kjo është fitorja më e madhe diplomatike për dy dekada”, ka thënë Shahu për gazetën “Bota sot”.

“Qeveria ka paralajmëruar anëtarësimin në organizata”

Image
Blerim Burjani

Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani, ka thënë se ende nuk dihet nëse kjo është duke u zbatuar, por as nga qeveria nuk ka ndonjë zhvillim për aplikim në organizata ndërkombëtare.

Sipas Burjanit, Serbia nuk ka arritur që lobizojë për ç’njohjet nga ndonjë shtet.

“Realisht kjo marrëveshje ende nuk po dihet se a është duke u zbatuar, në anën tjetër edhe kjo qeveri ka paralajmëruar se do të aplikojë në organizata ndërkombëtare për anëtarësim, deri më tash nuk ka nga asnjëra anë ndonjë zhvillim signifikant. Serbia nuk ka arritur të lobizojë në ndonjë shtet me kundërshtim e me njohjet, Kosova po duket se po bëhet gati për anëtarësi, në disa organizata është përmendur një organizat, mirëpo ende nuk ka ndonjë dërgim të shkresave”, përfundoi Burjani.

“Qeveria e re të mos bie pre e mashtrimeve”

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, ka shtuar se Qeveria e re nuk duhet të jetë pre e mashtrimeve nga Serbia, prandaj duhet vënë kushte për bisedime.

Sipas tij, fajtor për këtë është qeveria e kaluar e cila ka nënshkruar që Kosova mos të aplikojë për anëtarësim në organizata.

Ai tutje ka thënë se Kosova duhet të ketë diplomaci të fortë, sepse përndryshe do të vazhdojmë të pësojmë ende.

“Qeveria e re e Kosovës nuk duhet të veprojë si ato të mëhershmet, e cila ka rënë pre e mashtrimeve nga Serbia, e cila për interesa të saj ka nënshkruar ca marrëveshje e të cilat kurrë nuk janë zbatuar. Kosova duhet të vë kushte për bisedime me Serbinë, e cila nuk po ndryshon qasjen ndaj Kosovës duke e bllokuar atë. Kjo gjë është edhe faji i qeverisë së kaluar që ka nënshkruar marrëveshje ku Kosova pranon që mos të aplikojë për anëtarësim në organizata, derisa Serbia në mënyrë tinëzare ka bërë propagandë për mosnjohje. Duhet diplomaci e fortë nga Kosova që të vë në pah para SHBA-ve dhe BE-së këto fakte, dhe pastaj të ndërmerr hapa të rëndësishëm në vendosjen e kushteve Serbisë. Kjo e fundit nuk duhet të lazdrohet si deri tani, por duhet ulur me këmbë në tokë duke ia përplasur realitetin në fytyrë. Fatkeqësisht Kosova ka vuajtur për diplomaci të shëndoshë karshi Serbisë, gjë e cila na ka kushtuar. Mirëpo, tani e tutje duhet ndryshuar kjo qasje, ndryshe do të vazhdojmë të pësojmë si deri tani”, ka përfunduar Faton Mehmeti për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat