Përplasjet e forta brenda LDK-së, ky është paralajmërimi për Lumir Abdixhikun

Politika

Përplasjet e forta brenda LDK-së, ky është paralajmërimi për Lumir Abdixhikun

Nga: P.R Më: 15 qershor 2021 Në ora: 21:29
Lumir Abdixhiku

Përplasje të forta në distancë kanë ndodhur brenda LDK-së, ku ish kryetari i LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka drejtuar akuza në drejtim të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Krejt kjo erdhi pasi Agim Veliu u shkarkua nga pozita e kryetarit të degës dhe në vend të tij u caktua Ekrem Hyseni, i cili do të jetë edhe kandidat për kryetar të Komunës në zgjedhjet e 17 tetorit.

E lidhur me këto përplasje dhe zhvillimet që po ndodhin në LDK, për gazetën “Bota sot” ka folur ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka potencial intelektual që t’i kryej reformat në radhët e veta , mundësitë e angazhimit të individëve që kanë potencial kreative, energji pozitive për reforma. Humbja e votuesve në terren nga LDK, para se gjithash është pasojë e arrogancës dhe dehjes nga pushteti i disa grupeve te ngushta brenda LDK-së, të cilët asnjëherë, siç edhe u tregua sidomos gjate kësaj periudhe, nuk e kishin qellim rritjen dhe kultivimin e vlerave te djathta, por përfitimin personal e klanorë”, thotë Latifi për “Bota sot”.

Sipas tij, dënimi politik nga sovrani me vota, padyshim inicion reforma nga niveli më i ulët.

Image
Haki Latifi

“Për çka jam dakord edhe më Kryetarin z. Abdixhiku. Mirëpo, mendoj se kryesia e LDK-së dhe kryetari z. Lumir Abdixhiku duhet t’i kenë parasysh disa gjëra: LDK gjatë veprimtarisë së saj, nuk ka qenë e kujdesshme ndaj veprimtarëve të sajë besnik, të devotshëm, burimor të LDK-së nuk i ka trajtuar mirë , jo pak raste kanë mbetur të anashkaluar dhe të neglizhuar në aspekte të ndryshme. Veprimtarët burimor të devotshëm, duhet te jenë fokusi qendror i kryesisë, që aktivistët e LDK -së ti trajtojnë, dhe nderojnë ashtu siç e meritojnë. Duke përdorur gjatë avancimit në poste përgjegjëse në bazë të kriterit të perfomancës në Nëndegë dhe Degë. Mendoj se këtu qëndron një nga dobësitë problematike që është hallkë zingjirore e organizimit”, shprehet Latifi për gazetën “Bota sot”.

Latifi tregon edhe defektet e reformës që sipas tij, po ndodhë në LDK.

“Mendoj se, format e veprimit dhe tendencat për përjashtime të kuadrave të LDK-së që kanë kontribuar me vite, janë tërësisht të papranueshme sepse ato nuk përkojnë me filozofinë politike që ka kultivuar për dekada me radhë Lidhja Demokratike e Kosovës e themeluar dhe e udhëhequr nga Presidenti Historik dr. Ibrahim Rugova. Defekt tjetër është edhe metoda favorizuese ndaj individëve servilë, që nuk kanë patur rezultate nëpër Degë, por kanë qenë të dëgjueshëm, është e papranueshme dhe si tendencë e qëllimshme dhe tejet e dëmshme për proceset dhe sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova dhe vet LDK-ja”, thekson Latifi.

Për fund, Latifi thotë se LDK -në e pret një sprovë e madhe para vetës, dhe nuk ka kohë për të humbur.

“Dihet se në vjeshtë të këtij viti, Kosova është në prag të zgjedhjeve lokale dhe LDK-ja është në limitet e saja dhe nuk ka kohë për improvizime e eksperimente të tipit laboratorik ku figura “liderësh lokal, lindin apo prodhohen” brenda natës, pasiqë te tillët kanë dëshmuar se janë te predispozuar për arritjen e objektivave personale dhe jo objektivin imediat të LDK-së. LDK -në e pret një sprovë e madhe para veti dhe nuk ka kohë për të humbur. Kryesia e LDK-së bashkë me strukturat e saja , duhet sa më shpejtë ti „dhezin motorët“ , duke dalur në terren, në bazë në takime me elektoratin e sajë, që të punojnë fortë në kthimin e saj atje ku e ka vendin, në krye të proceseve shtet ndërtuese”, përfundon për “Bota sot”, veprimtari dhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat