Përplasja Kurti-Vuçiq, flet për “Bota sot” ish-këshilltari i kryeministrit, e ‘zbulon’ nëse Serbia do ta njohë Kosovën

Politika

Përplasja Kurti-Vuçiq, flet për “Bota sot” ish-këshilltari i kryeministrit, e ‘zbulon’ nëse Serbia do ta njohë Kosovën

Nga: N. H Më: 16 qershor 2021 Në ora: 12:09
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, foto ilustrim “Bota sot”

Në Bruksel ditën e djeshme u mbajt një takim mjaft i ashpër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha pas takimit se ky ishte një prej takimeve më të vështira që ka pasur prej fillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve mes këtyre dy vendeve. Takimi i përbashkët në Bruksel u mbajt me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe pas konsultimeve në takimet e ndara me delegacionet e Kosovës dhe atij të Serbisë.

Në lidhje me këtë takim, për “Bota sot”, ka folur bashkëpunëtori i ngushtë i shefit të qeverisë së Kosovës.

Driton Tali, ish-këshilltari i kryeministrit, Albin Kurti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se dje delegacioni i Kosovës pati një paraqitje dinjitoze, e cila sipas tij, futi një komunikim krejtësisht të ri, të barabartë dhe parimor mes palëve.

Image
Albin Kurti dhe Driton Tali

“Ka kohë që Serbia e ka kuptuar se avazi i vjetër i dialogut (në realitet monologut serb) ka përfunduar. Pra “monologut” ku Kosova intimidohej dhe patronizohej nga Serbia sepse udhëheqësit nga Kosova ishin të shantazhuar, them unë, ka përfunduar. Dhe dje u bindën absolut (nëse dikush ende kishte dilema) se ajo epokë mbaroi përfundimisht. Vuçiqi, i cili me kohë kishte fituar kompleksin e superioritetit karshi palës së Kosovës, u ndie shumë inferior, i pa sigurt dhe patetik. Gjersa, sa i përket ekipit të Kosovës, pamë një ekip dinjitoz, i cili për herë të parë pati një agjendë, e cila futi një komunikim krejtësisht të ri, të barabartë dhe parimor mes palëve. Pra, thënë ndryshe, një ekip mirë i përgatitur (jo me duar në xhepa si ata të mëparshmit), me katër propozime konkrete e vitale jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin”, ka deklaruar Tali, të mërkurën për gazetën “Bota sot”.

Por, ai shprehet skeptik se mund të ketë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai potencon se përderisa Serbia dominohet nga kjo kastë dhe kjo frymë nuk pret që të ketë edhe normalizim të marrëdhënieve.

“Megjithatë, përkundër korrektësisë, sinqeritetit e qëllimit “bona fide” të palës së Kosovës, e pamë reagimin e Vuçiqit. Si zakonisht ende tendencioz, imperialist dhe me ngjyrë të theksuar raciste. Personalisht nuk pres asgjë nga keëto takime derisa, siç pati thënë Albin Kurti, “Serbia nuk çlirohet nga Kosova”. Presidenti serb e theksoi edhe dje se “kurrë nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës” sepse “ai e sheh si territor serb, të okupuar nga fuqitë e jashtme dhe separatistët e terroristët shqiptarë”. Andaj derisa skena politike e Serbisë të dominohet nga kjo kastë dhe kjo frymë, unë me keqardhje nuk pres normalizim të marrëdhënieve në mes neve dhe atyre”, ka thënë Tali.

Krejt në fund, ish-këshilltari i Kurtit ka bërë me dije se kjo Serbi nuk është gati për ta njohur Kosovën edhe nëse jetësohet Asociacioni i Komunave Serbe.

“Për këtë arsye unë në vazhdimësi jam duke e thënë se “derisa Serbia të çlirohet nga Kosova” më mirë për neve është të koncentrohemi në funksionalizmin e shteti tonë se sa të vazhdojmë me këtë mani, me këtë fiksim të njohjes nga Serbia. Ngase kjo Serbi nuk është gati për ta njohur Kosovën çoftë edhe nëse ne e jetësojmë Asociacionin e Komunave Serbe ashtu siç e përgatiten dhe firmosën Hashim Thaçi me Isa Mustafën në Bruksel”, ka thënë ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Driton Tali, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat