I vonuar por i mirëseardhur, analistët komentojnë shkarkimin e Dakës, kanë një paralajmërim

Politika

I vonuar por i mirëseardhur, analistët komentojnë shkarkimin e Dakës, kanë një paralajmërim

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 qershor 2021 Në ora: 08:14
Valdete Daka

Gjatë ditës së hënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shkarkuar nga posti i kryetares së KQZ-së, Valdete Dakën.

Në vendimin e Presidentes Vjosa Osmani, thuhet se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë i pavarur dhe se Daka nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur e polarizimeve politike dhe duke pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme më 14 shkurt 2021, e ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.

Mes tjerash, në këtë vendim është përmendur edhe trajtimi i pabarabartë kur u lejua votimi me dokumente të skaduara.

Pas këtij vendimi, gjatë ditës së martë Daka, përmes një konference për media, u shpreh e pakënaqur me vendimin, të cilin e ka cilësuar të paligjshëm dhe qesharak.

Daka tha se Osmani ka përmbushur premtimin në fushatën e fundit zgjedhore për shkarkimin tim.

“Tashmë të gjithë e dini që me vendimin e saj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim. Dua të ju bëj me dije që ky vendim është antikushtetues dhe jo i mbështetur me ligj, këtë e them e mbështetur në fakte se arsyetimi në vendimin për shkarkimin tim jo vetëm që është i paligjshëm por është edhe kontradiktor me vetën, e edhe qesharak”, u shpreh Daka, përcjell “Bota sot”.

Ajo gjithashtu e quan këtë vendim të porositur.

“Të akuzohem për vendimet kolegjiale që i kemi marrë të gjithë dhe jo vetëm unë, është vendim i porositur, pasi këtë e dëshmon edhe emërimi i menjëhershëm i kryetarit të KQZ-së, nga Osmani”, ka deklaruar Valdete Daka.

Kujtojmë që Daka e ka udhëhequr Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga qershori i vitit 2010.

Halili: Shkarkimi i Dakës nga presidentja Osmani i vonuar

Lidhur me këtë, analisti politik, Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se vendimi i Osmanit ishte shumë i qartë dhe i mirëpritur.

Image
Nijazi Halili

Sipas vendimit, analisti thotë se Daka do të duhej të shkarkohej.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shkarkuar Valdete Dakën si kryetare të KQZ-së Në vendimin e Presidentes Osmani, thuhet se vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është organ kushtetues dhe i pavarur, i cili drejton dhe i verifikon të gjitha veprimet që kanë bëjnë me procesin e zgjedhjeve dhe gjithashtu i shpall rezultatet. Zgjedhjet si elementi më i rëndësishëm i demokracisë, sidomos asaj përfaqësuese janë të një rëndësie të veçantë për secilin shtet. Ndërmarrja e veprimeve relevante në lidhje me zgjedhjet, përfshirë organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre nënkupton edhe obligimin themelor te KQZ-se si organ menaxhues i zgjedhjeve”, është shprehur ai.

Sipas Halilit, Osmani është vonuar për ta shkarkuar Dakën, derisa shpreson që të ketë edhe shkarkime të tjera të oligarkëve “politikë”.

“Gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka e udhëhiqte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që prej qershorit të vitit 2010. Shkarkimi i Zonjës Valdete Dakës nga Kryesia e KQZ-së, nga Zonja Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës , është një vendim i shumëpritur, bile edhe i vonuar. Shpresojmë të kemi edhe shkarkime tjera të oligarkëve "politikë", të cilët e shkatërruan Kosovën dhe e bënë pronë private të tyre, që nga 2008-ta e gjerë më 14-të Shkurtë 2021”, ka deklaruar Njazi Halili për “Bota sot”.

Qarri: Vendimi i Osmanit për shkarkimin e Dakës, i mirëseardhur

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, potencoi që në KQZ ka pasur vazhdimisht ndërhyrje politike dhe kështu keqpërdorime të panumërta.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, vendimi i Osmanit për ta shkarkuar Dakën ka qenë i mirëseardhur, sidomos tani në prag të zgjedhjeve lokale.

“Meqenëse KQZ si njëri nga institucionet më të rëndësishëm kushtetues dhe shtetëror të vendit, ka kohë që nuk ka pasur paanësi të plotë politike dhe janë vërejtur ndërhyrje të vazhdueshme partiake, të cilat kanë cenuar edhe vendimmarrjen e drejtë e pa dallime dhe integritetin e vet këtij institucioni me rëndësi, pas ankesave të shumta dhe keqpërdorimeve të panumërta, përfshi edhe padrejtësitë ndaj dhjetëra mijëra votuesve jashtë vendit, të cilat arritën kulmin sidomos në zgjedhjet e fundit nacionale, shkarkim i zonjës Daka nga presidentja Dr.Vjosa Osmani, është mese i mirëseardhur dhe do të ndikojë dukshëm në përmirësimin dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral, sidomos në prag të zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti”, ka thënë Qarri.

Analisti më tej thotë se për këtë vendim nuk mund ta kontestojë as Gjykata Kushtetuese, pasi që është i bazuar në ligj dhe se natyrisht që KQZ duhet të jetë e pavarur.

Madje, sipas tij, Daka do të duhej të shkarkohej shumë më herët.

“Madje, vendimi i presidentes si figura më e lartë shtetërore me kompetencë ekzekutive për emërime dhe shkarkime, është plotësisht kushtetues dhe ligjor, për shkarkimin e Valdete Dakës nga posti i kryetares së KQZ-së, pasi që KQZ sidomos viteve të fundit, ishte tepër e ndikuar politikisht, gjë që ka cenuar edhe në integritetin e tij si institucion dhe marrjen e vendimeve të pavarura, ndaj me gjithë insistimet e opozitës së inkriminuar e cila habiti mbarë opinionin duke bërë në mënyrë të sinkronizuar, aq shumë zhurmë për asgjë dhe ashtu siç shprehet edhe z. Mazllum Baraliu, ish kryetar i i Komisionit Qendror Zgjedhor, nuk mund të kontestohet as nga Gjykata Kushtetuese. Duke qenë se KQZ si institucion në tërësi bashkë me kryetaren/in e tij, duhet të jenë tërësisht të pavarur, kredibil e të paanshëm dhe të kenë integritet të plotë ligjor, bazuar në nenin 84 të Kushtetutës së Kosovës, ky vendim i presidentes së vendit si person kompetent shtetëror për emërime dhe shkarkime, ishte i drejtë dhe plotësisht legal, pikërisht për shkak të mungesës së pavarësisë së vet kryetares së KQZ-së, zonjës Valdete Daka, e cila në fakt është dashur që moti të shkarkohet nga kjo pozitë, pasi që KQZ ishte shumë e ndikuar politikisht nga ish partitë në pushtet”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat