Serbia nuk duhet të lutet për njohje/Analisti tregon qëllimin e Vuçiqit me Kosovën

Politika

Serbia nuk duhet të lutet për njohje/Analisti tregon qëllimin e Vuçiqit me Kosovën

Nga: A.Z Më: 19 qershor 2021 Në ora: 14:46
Pamje nga takimi në Bruksel

Aleksandër Vuçiq, sipas të gjitha gjasave, nuk është lideri i Serbisë që ka marrë përsipër tija largojë popullit dhe vendit të vet ngërçin me Kosovën. Këtë ai e ka provuar që në vitin 2014 kur u bë Kryeministër, e deri më sot që është President.

Në tërë përpjekjen e tij tashmë 9-vjeçare, Vuçiq ka ngulitur në mendjen e njerëzve që e përkrahin, se ai nuk do ta heqë Kosovën nga Kushtetuta serbe pa marrë një pjesë të saj, apo të ngulë në Kosovë një pjesë Serbie.

E lidhur me këtë, analisti Rexhep Shahu, në prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se Vuçiq ka luftuar për ta mbajtur me luftë Kosovën, sipas Shahut, Serbia në krye me Vuçiqin nuk do të ketë asnjëherë njohje ndaj Kosovës, sepse sa më shumë që e lusin për ta njohur Kosovën, ai veç bëhet më I forte duke thënë jo, sepse e dëshiron zhbërjen e Kosovës.

“Vuçiqi ministër, zëdhënës i kryetarit të Serbisë, Milosheviqit, ka luftuar jo për ta humbur Kosovën në vitet 1998-1999, po për ta mbajtur Kosovën me luftë. Sa të jetë ai në krye të Serbisë askush nuk duhet të pres që ai ta njohë Kosovën shtet të pavarur, apo të ndryshojë kushtetutën serbe. Kosova nuk jeton me kushtetutë serbe. Kosova nuk u serbizua as kur ishte nën Serbi. Vuçiqi sot po mban me thonj atë që ka. Sa më shumë që e lusin ta njohë Kosovën, ai bëhet edhe më i fortë dhe thotë jo, sepse kërkon çmim të lartë, ai do ta zhbëjë luftën që është bërë për Kosovën, ta zhbëjë kauzën e Amerikës për atë luftë. Kosova nuk merret me lutje e bisedime e negociata. Kosova është marrë e fituar me luftën e Amerikës, NATO-s e shqiptarëve. Serbia nuk ka pse lutet. Kosova të lusë veten, të zhvillohet, pushtetarët e saj të mos sillen si plaçkitës, si të emëruar prej Beogradit në krahinë që ta drejtojnë”, deklaroi Shahu.

Më tej, ai shtoi se Kosova i është marrë Serbisë nga lufta, andaj edhe bën pa e njohur Serbia, madje Kosovën është shtet sovran dhe e njohin edhe shtetet kryesore të botës.

Image
Rexhep Shahu

Shahu thotë se Kosovën duhet ruajtur nga banditët dhe të mendojnë se si ta forcojnë shtetin.

“Kosova jeton e bën edhe pa e njohur Serbia. Sa më shumë ngulmohet që ta njohë Serbia, aq më pak e njeh Serbia. Nuk e di se si e pse u bë kauzë njohja e Kosovës nga Serbia. Serbisë i është marrë Kosova me luftë dhe kaq. Kosovën e njohin shtetet kryesore të botës, është shtet i lirë e sovran, ta ruajmë nga pushtetarë banditë e folkloristë që shkojnë në bisedime në Bruksel këndojnë këngë me sharki dhe mendojnë si të rrisin vota në Kosovë, si të forcojnë pushtetin në Kosovë, pra për njohje nga Serbia nuk e kanë mendjen se ato punë i di Amerika. Shtetarët në Kosovë dje u morën me detaje e targa makinash, sot i japin mend ambasadorit amerikan dhe kujtojnë se e sfidojnë Vuçiqin tek e pyesin kur do ta njohësh Kosovën. Vetëm inferiorët bëjnë kështu si pushtetarët tanë”, shtoi ai.

Sipas Shahut, Vuçiq dëshiron që bota ta shpallë të padrejtë luftën që Kosovës ia mori, madje ai thotë nuk duhet bërë bisedime as pa praninë amerikane apo atë izraelite në Bruksel.

“Vuçiq kërkon një çmim të lartë në negociata, por mendoj se i duket pak të lypë territor në Veri, i duket pak Zajednica, ai do ta poshtërojë komunitetin ndërkombëtar që të shprehet i penduar ose ia mori me luftë Kosovën Serbisë. Kthimi i Kosovës nën Serbi nuk ndodh, por Vuçiq do që bota ta shpallë të padrejtë luftën që ia mori Kosovën. Për fund, mendoj që asnjë pushtetar që vuan e lufton për vota në Kosovë nuk duhet të merret me bisedime për Kosovën. Ka atdheu njerëz që nuk duan vota por dinë ta duan e të luftojnë me mend e dinjitet për Kosovën. Ajo që fitohet me luftë, nuk na lejohet ta humbasim në paqe me pushtetarë sharlatana. Asnjë sekondë bisedime nuk duhen bërë pa prani fizike amerikane ose izraelite në Bruksel”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat