Asociacioni në duart e kryeministrit Kurti, juristët tregojnë pse është i dëmshëm për Kosovën

Politika

Asociacioni në duart e kryeministrit Kurti, juristët tregojnë pse është i dëmshëm për Kosovën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 qershor 2021 Në ora: 18:17
Kryeministri i vendit, Albin Kurti

Asociacioni mbi baza etnike mbetet njëra ndër temat më aktuale.

Së fundmi ai që ka deklaruar në lidhje me Asociacionin ishte ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili u shpreh se Kosova duhet të lëshojë pe në lidhje me këtë pjesë.

“Ne besojmë se vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”, ka thënë Kosnett.

Mirëpo ndryshe mendon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi që sipas tij Kosova nuk mund të ketë Asociacion mbi baza etnike.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti.

Asociacioni është një temë e cila daton që nga viti 2013 kur në qeverisje ishte Thaçi dhe Mustafa.

Ndërsa një aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015, ka konstatuar se nuk mund të krijohet një Asociacion i tillë.

Kujtojmë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kryeson delegacionin e Serbisë në dialog, insiston në formimin e Asociacionit.

Kelmendi: Krijimi i Asociacionit me marrëveshje të Mustafës dhe Thaçit do të destabilizojë vendin

Njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, u shpreh se shumë shpejtë mund të ketë Asociacion të ndërtuar brenda Kosovës dhe nuk do të ketë njohje reciproke.

Image
Muhamet Kelmendi

Juristi e sheh të arsyeshme presionin ndaj qeverisë Kurti mirëpo jo atë të opozitës pasi që të njëjtët kanë qenë në pushtet për 20 vjet dhe sipas tij, opozita nuk mund të kërkojë platformë pasi që as në mandatin e tyre, Mustafa dhe Thaçi nuk e kanë pasur, megjithatë ata krijuan Asociacionin.

“Qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për Kosovën në raport me shtetin serb nuk i quaj unë përkrahje të kësaj a asaj qeverie në Kosovë. Përkundrazi! Nga qëndrimet e faktorit të tillë në raport me Serbinë del qartë dhe kjo do të shihet shpejt me paraqitjen e Asociacionit si bazë për të ndërtuar. Me këtë de-fakto humb Republika dhe nuk ka më funksionalitet shteti i Kosovës. Kjo krijohet si shtet dhe përsëri nuk kemi njohje reciproke. Në kuadër të brendshme është gjë normale presioni që bëhet ndaj Qeverisë Kurti. Natyrisht se të vjen rëndë kur sheh deputetët e PDK-së dhe të LDK-së duke kritikuar dhe akuzuar çështjen e moskrijimit të një platformë për dialog. Asnjëherë nuk ka pasur as z Thaçi dhe as z Mustafa ndonjë platformë. Ata e patën krijuar edhe Asociacionin. Dhe kurrë këto dy parti nuk i kundërshtuan këta në asnjë vend”, është shprehur ai.

Opsionet e Kosovës për Asociacion

Kelmendi më tej thotë se për Asociacion ka pasur debate të shumta gjithashtu edhe protesta për të mos u krijuar mirëpo i njëjti mbeti nga Thaçi dhe Mustafa.

Ai thekson që do të ketë Asociacion multinacional, duke futur edhe komuna tjera jo serbe mirëpo që pavarësisht se si do të krijohet, ai do arrijë të sjellë në shtet jo funksional e që më e mira pas kësaj do të ishte t'i bashkohet Kosovës, Lugina e Preshevës dhe Serbisë t’i jepet Leposaviqi dhe fshatrat serbe në Veri.

“Në Kuvend krijuan gjendje të rëndë. Patëm edhe kundërshtime të ashpra. U bënë protesta dhe u krijuan edhe konflikte dhe megjithatë PDK dhe LDK mbetën pas tandemit Thaçi-Mustafa. Kjo të vjen për të vjellë kur e analizon të kaluarën dhe shikon aktualitetin. Edhe tash nuk kemi qartësi nga Qeveria Kurti. Deklarata se nuk ka Asociacion një nacional e Kurtit është shumë e rrezikshme. Me këtë del se do të ketë Asociacion, por multinacional, duke futur edhe komuna tjera jo serbe në Asociacion. Pavarësisht se si krijohet ky Asociacion shkatërrohet Republika në funksion të shtetit dy shkallës. Ashtu zhduket shteti unitar dhe formohet një shtet jo funksional. Në fakt më mira është atëherë të shkohet nga tërheqja e vijës së re kufitare me shtetin serb. Me këtë mendoj që Kosovës t’i bashkohen Lugina e Preshevës dhe Serbisë t’i jepet Leposaviqi dhe fshatrat serbe në Veri”, thotë juristi.

Tutje ai shton se Kosovës i duhet Ujmani dhe Mitrovica e Trepça, ndërsa vendet e tjera që janë të banuara me qytetarë serbë mund t'i jepen Serbisë.

Por pavarësisht gjithë kësaj, sipas tij Kosova duhet të diskutojë tema të tjera, është gjenocidi dhe këtë të drejtë duhet ta kërkojnë edhe në Bruksel.

Madje, ai thotë ese Evropa dhe SHBA duhet të japin mësim dhe mos të lejojnë një shtet si Serbia pa dënim për gjenocidin që kanë bërë.

“Kosovës i duhet Ujmani,Mitrovica si qytet unik dhe Trepça. Vendet tjera të Veriut të banuara me serb lirisht mund të ndërrohen me Luginën e Preshevës. E di se ka kundërshtar. Por në raport me atë çka po i përgatitet Kosovës dhe si do të ndërtohet Asociacioni është zgjidhje më adekuate. Asociacioni multinacional dhe mos njohja e shtetit nuk është zgjidhje. Kosova i ka temat që janë të domosdoshme për tu shqyrtuar që të kemi paqe në këtë pjesë. Serbia nuk ka të drejtë të kërkojë asgjë. Ky shtet duhet të dënohet për dhunë e terror, për gjenocid të bërë në Kosovë. Nuk duhet kurrsesi të kalojë pa dënim. E këtë e ka në dorë Kosova!? Republika e jonë nuk ka çka të humb në raport me shtetin serb. Atë duhet qartësuar në Bruksel dhe kudo. Pra, dialog po, por jo në kërkesat serbe. Dialog për paqe dhe të ardhme, e kjo bëhet me çështjet që vendi i ynë i ka theksuar disa herë. Mendoj këtu në dëmshpërblim, në kompensim të dëmit dhe në përgjegjësi penale të shtetit serb. Evropa dhe SHBA duhet të japin mësim dhe mos të lejojnë një shtet si Serbia pa dënim për dhunën e terrorin që ka bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Këtu nuk ka dhe nuk duhet të ketë lëshime”, theksoi Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Asociacioni në duart e kryeministrit Kurti

Ndërsa, juristi tjetër Blerim Burjani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se është në dorën e Kurtit të vendos në lidhje me Asociacionin mirëpo që duhet të marrë një pozicion që nuk do të marrë pastaj kritika nga ndërkombëtarët.

Image
Blerim Burjani

“Tash është çështje e tij se si do të pozicionet dhe çka do të propozojë përveç asaj që ka propozuar, pra kërkohet kreativitet serioz nëse ka diçka dhe mundet ta bëjë. Kurti nuk do të jetë në pozicion të mirë pas disa muajve në raport me bashkësinë ndërkombëtare, SHBA-të dhe BE-në. Sepse me këtë qasje pozicioni i Kurtit politik në dialog do të kompleksohet shumë dhe mund të ketë edhe reagime shumë më serioze ndaj tij nga SHBA-të”, potencoi Burjani.

Ai në fund thotë se jo vetëm Asociacioni varet nga Kurti por edhe shumë vendime të tjera, pasi që ka shumicën në Kuvend mirëpo juristi është i bindur që Kurti nuk do ta pranojë Asociacionin me marrëveshje të 2013-tës.

“Kurti duhet të bëjë miq edhe më shumë dhe përkrahës në bashkësinë ndërkombëtare por edhe në Kosovë. Shumëçka do të varet nga ai, pasi që ai ka VV-në në Kuvend dhe anëtarësinë e tij sa për ta ngritur dorën në Kuvend për aprovim apo nxjerrje të ligjeve dhe vendimeve. Asociacionin nuk do ta pranoj asnjëherë si të tillë dhe marrëveshjes 2013, madje është sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese arsyet i ka thënë vet sipas tij dhe interpretimit të tij politik dhe individual”, përfundon Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat