LDK-së i vjen paralajmërimi i fortë: Ja çfarë e pret nëse bashkëpunon me PDK-në

Politika

LDK-së i vjen paralajmërimi i fortë: Ja çfarë e pret nëse bashkëpunon me PDK-në

Nga: P.R Më: 19 qershor 2021 Në ora: 19:10
Lumir Abdixhiku

Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur nënshkrimet për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese rastin e shkarkimit të Valdete Dakës nga pozita e Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Këtë e ka konfirmuar kryetar në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj.

“Vendimi i Presidentes së Kosovës, urdhëruar nga Albin Kurti për të shkarkuar kryetaren e KQZ-së, është antikushtetues, dëmton institucionet demokratike, rrezikon zgjedhjet lokale dhe është fund e krye politik. Për të mbrojtur rendin kushtetues, institucionet demokratike e profesionale, si dhe të parandalojmë secilin akt të tillë në të ardhmen, Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet”, është shprehur Hoxhaj, duke falënderuar deputetët e opozitës.

E Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk i ka dhënë nënshkrimet për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin e Valdete Dakës.

“Jo nuk i kemi dhënë ende. Po e presim Avokatin e Popullit”, ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

E një paralajmërim për LDK-në e ka pasur veprimtari i LDK-së, Saim Tahiraj.

Sipas tij, çdo bashkëpunim me PDK-në do të jetë në dëm të LDK-së.

Image
Saim Tahiraj

“Lidershipi i LDK-së , vazhdon me gabimet e tij fatkeqësisht! Në vend që të filloj vet me mbledhjen e nënshkrimeve, ajo ka zgjedhur heshtjen dhe tani është para një akti të kryer. Tani është në mes dy zjarreve, cilin vendim ta merrë do jetë e dëmtuar politikisht. Nëse merrë vendim që ta përkrahë nismën e PDK-së për mbledhjen e nënshkrimeve, anëtarësia e saj do e kundërshtoj me të drejtë. E them këtë nga fakti që çdo bashkëpunim me PDK-në ka qenë në dëm të LDK-së dhe shtrenjtë i ka paguar faturat, andaj nuk guxon ta përkrahë këtë nismë!”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

“Gjithashtu edhe nëse nuk e përkrah këtë nismë automatikisht kuptohet që po e mbështetë vendimin arbitrar të Presidentes Osmani. Anëtarësia e LDK-së vazhdon ta ketë urrejtjen ndaj Osmanit për dëmet që i shkaktoi LDK-së, andaj janë kundër vendimit të saj arbitrar dhe për ta ndëshkuar”, shprehet Tahiraj.

Sipas tij, ka dyshime për një aleancë të fshehtë mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit.

“Mos reagimi i duhur dhe i menjëhershëm i lidershipit të LDK-së, lë të kuptohet se ekziston një aleancë e fshehur me Presidenten Osmani. Këto dyshime vazhdojnë të rritin pakënaqësinë e anëtarësisë së LDK-së ndaj lidershipit të ri të saj, andaj duhet të jetë shumë i kujdesshëm me këto veprime”, shprehet Tahiraj.

Për fund, Tahiraj thotë se LDK duhet të jetë e pavarur në veprimet e saj si parti opozitare.

“Lidershipi i LDK-së duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij, në përputhje me vullnetin e anëtarësisë së saj e jo në interes të aleancave të fshehta të cilat e kanë dëmtuar historikisht. Tani në këtë pozicion, duhet zgjedhur të keqën më të vogël, mos ta përkrahin nismën e PDK-së por të gjejnë forma tjera për ta kundërshtuar vendimin arbitrar të Presidentes Osmani”, përfundon për “Bota sot”, veprimtari i LDK-së, Saim Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat