“E nënshkroi me direktiva të Serbisë”/ Detaje se si u demilitarizua UÇK-ja: Kush ishin tre personat që çarmatosën UÇK-në?

Politika

“E nënshkroi me direktiva të Serbisë”/ Detaje se si u demilitarizua UÇK-ja: Kush ishin tre personat që çarmatosën UÇK-në?

Nga: N.Sh Më: 21 qershor 2021 Në ora: 09:33
UÇK

Hashim Thaçi dhe Agim Çeku, ishin dy personat që e kishin çmilitarizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, menjëherë pas përfundimit të luftës.

Sipas Marrëveshjes për demilitarizim, armët e UÇK-së do të deponoheshin, dhe atëherë kur do të krijohej ushtria e Kosovës, ato do të mund të trashëgoheshin nga kjo.

Më 21 qershor u mbushën 22 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së, ku janë përfshirë në detaje fazat e dorëzimit të armëve, mbajtjes së uniformave, kalimin e një pjese të pjesëtarëve të UÇK-së në polici dhe administratë publike…etj.

Në këtë marrëveshje ishte paraparë formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.

E gjithë kjo fazë ka pas një periudhë prej 90-të ditëve pas së cilës është bërë demilitarizimi i plotë i UÇK-së dhe në shtator 1999 është nënshkruar marrëveshja për formimin e TMK-së jo si forcë ushtarake siç ishte paraparë në këtë marrëveshje por si forcë emergjente për reagimin në rast të katastrofave natyrore.

Nënshkrues të kësaj marrëveshje figurojnë: Hashim Thaçi në pozitën e kryekomandantit të UÇK-së, Agim Çeku në pozitën e shefit të shtabit të UÇK-së dhe është pranuar nga lejtnant-gjeneral Mike Jackson, Komandant i KFOR-it.

Ish eprori i lartë i UÇK-së, G2, TMK-së dhe ish-pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë për gazetën “Bota sot” se, në atë kohë ishte prezent edhe ai, aty ku u mbajtshin bisedat, dhe shumë komandantë të zonave kanë qenë në amulli totale pasi nuk e kanë ditur se çka po bahet.

“Shumica e kanë kundërshtuar atë marrëveshje të dëmshme e cila ishte drejtuar pikërisht kundër UÇK-së, ku ne këtë marrëveshje të quajtur K90, UÇK-ja duhej ti dorëzonte të gjitha armët çka i ka në posedim në disa magazina ku ruheshin nga KFOR-i për tu asgjësuar pastaj”, thotë Miftari.

Miftari pohon se, kjo marrëveshje ishte një gabim dhe një tradhti klasike, pasi po çarmatoseshin ata që kishin luftuar në teren dhe po fuqizoheshin ata që kanë qëndruar në Tiranë dhe Zvicër, “këtu e kam fjalën për Hashim Thaçin dhe kompaninë ku ishte vetëshpallur dhe ishte e ndihmuar nga shteti i Francës dhe Serbisë”.

“Pra, në ato biseda ishte i pranishëm edhe Kadri Veseli me njerëz që nuk ishin pjesë e luftës, ku ish UÇK-ja ju dhanë shumë premtime se do të mbesin në Ushtri e Kosovës që është e njëjtë si garda kombëtare amerikane, dhe shumica e ushtarëve do të punësohen në vende të ndryshme si dhe shumë e shumë premtime boshe dhe të rrejshme, por që kishin pas cak çarmatosjen dhe shpërndarjen e UÇK-së, ku prapa këtij plani qëndrojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Agim Çeku si dhe disa shoqëri të tyre që nuk ishin pjesëtarë të luftës, por ishin njerëz që përfituan materialisht dhe u forcuan politikisht”, potencon Miftari.

Sipas tij, kjo marrëveshje e ka llogaritur UÇK-në si ushtrinë, serbe pas marrëveshjes së Kumanovës, “pra rasti i vetëm në botë kur një ushtri lihet rrugëve, gënjehet e tradhtohet, ku edhe sot me këta veteran luajnë pikërisht njerëzit e Rognerit, si politikisht ashtu edhe moralisht”.

“Për mendimin tim, ai që e ka nënshkruar këtë marrëveshje ka punuar me direktiva të Serbisë dhe ka fakte rreth kësaj, ndërsa ata që e tradhtuan UÇK-në, meritojnë të dënohen si tradhtar pikërisht nga ky popull, sepse rastet me veriun e Kosovës, mos ndjekja e krimeve serbe, dëmshpërblimet dhe me asociacionet e komunave nuk janë të rastësishme këto gjëra sot, sepse janë lejuar nga po këta njerëz që dikur tradhtuan UÇK-në dhe po na tradhtojnë edhe sot”, thotë Miftari.

Më poshtë po e publikojmë një pjesë të marrëveshjes të arritur me 21 qershor 1999, ditë e diele.

1. Kjo iniciativë mundëson armëpushim të UÇK-së, mos angazhim të tyre në zonat e konfliktit, demilitarizim subsekuent dhe rintegrim në shoqërinë civile në përputhje me kushtet e Rezolutës së KS të OKB-së 1244 dhe duke marrë parasysh obligimet e marra në Rambuje dhe zotimet publike të delegacionit shqiptar në Rambuje.

2. UÇK-ja merr iniciativë, që të heq dorë nga përdorimi i forcës, që t'i përmbush direktivat e Komandantit të forcës ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë (COMKFOR) dhe që në mënyrë paqësore t'i zgjidh të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me implementimin e kësaj iniciative.

3. UÇK-ja pajtohet që prania Ndërkombëtare e Sigurisë (KFOR) dhe prania ndërkombëtare civile, të vazhdojnë të vendosen e të operojnë pa pengesë brenda në Kosovë dhe që KFOR-i ka autorizim që të ndërmarrë të gjitha aksionet e domosdoshme, për të vendosur dhe mbajtur ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që përndryshe ta kryejë misionin e saj.

4. UÇK-ja pajtohet, që t'i përmbush të gjitha obligimet e kësaj iniciative dhe që të sigurojë, që me efekt të menjëhershëm të gjitha forcat e UÇK-së në Kosovë dhe në shtetet fqinje, do t'i vështrojnë provizionet e kësaj iniciative, do të përmbahet nga të gjitha aktet armiqësore dhe provokuese, qëllimet armiqësore dhe do t'i ngrijnë të gjitha lëvizjet ushtarake, qoftë përgjatë kufijve ndërkombëtar, apo përgjatë atij midis Kosovës dhe pjesëve të tjera të RFJ-së, apo aksione të tjera, që nuk shkojnë në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

UÇK-ja në Kosovë, pajtohet që të zotohet publikisht, se do të demilitarizohet në përputhje me paragrafët 22 dhe 23, se do të përmbahet nga aktivitetet që do të mund ta rrezikonin sigurinë e personelit ndërkombëtar qeveritar dhe joqeveritar, përfshirë KFOR-in dhe se do të lehtësojë vendosjen dhe operacionet e KFOR-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat