E papritur: Analisti nga Amerika “zbulon” emrat e pretendentëve për kryetar të PDK-së

Politika

E papritur: Analisti nga Amerika “zbulon” emrat e pretendentëve për kryetar të PDK-së

Nga: M.H. Më: 23 qershor 2021 Në ora: 14:37
Baton Haxhiu dhe Enver Hoxhaj

Ditë më parë PDK ka shpallur zgjedhjet brenda partisë Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së hënë, ka marrë vendim për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më 3 korrik 2021.

PDK është prej fillimit të nëntorit të vitit të kaluar me ushtrues detyre të kryetarit, Enver Hoxhaj, pas dhënies së dorëheqjes nga Kadri Veseli, i cili ndodhet në Hagë pasi akuzohet për krime lufte.

Disa nga kandidatët kryesorë për postin e kryetarit të PDK-së, janë Enver Hoxhaj, Vlora Çitaku, Memli Krasniqi, Uran Ismaili.

Por, cili do të ishte i duhuri për kryetar të partisë? Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, ka folur opinionisti dhe profesori, Binak Maxharraj, i cili u shpreh se PDK është duke kaluar në ditë të vështira që nga rënia që pati në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Image
Binak Maxharraj

Sipas tij, Hoxhaj nuk ka arritur të sjellë reforma në parti, pavarësisht që ka ushtruar postin e kryetarit. “PDK e Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 po i përjeton ditët më të vështira në jetën e vetë sepse shënoi rënie drastike në këto zgjedhje. Që nga zgjedhjet e fundit ajo nuk po mund ta gjejë veten, e as që po mundohet ta gjejë sepse si për çudi nuk po bën kurrfarë reformash për rimëkëmbjen e saj, pos asaj që Enver Hoxhaj u zgjodh si u.d i kryetarit i cili po sillet rreth mullarit të PDK-së dhe asgjë tjetër, që në vend se të merret me reformat në parti po merret me punë të kota se si po sillen paritë tjera. Por PDK këto ditë paska vendosur ashtu qorras pa reforma në parti të shkojë në zgjedhjet për kryetarin e saj. Konventa zgjedhore është caktuar me 3 korrik, pra së shpejti”, u shpreh Maxharraj.

Profesori më tej tregon disa nga emrat që po përfliten për kryetar të ardhshëm të PDK-së, duke thënë se edhe deputetja Ganimete Musliu duhet të jetë kandidate pasi që njihet që është gjithmonë e para të flas për PDK-në.

“Po flitet, po lakohen shumë kandidat të mundshëm e të pamundshëm për kryetar të ardhshëm të PDK-së. Ndër më të lakuarit po përmenden Enver Hoxhaj, Vlora Çitaku, Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Gent Cakaj,etj. Por, e kanë harruar pa e lakuar edhe emrin e Ganimete Musliut, deputeten e përjetshme të Parlamentit të Kosovës të cilës i pret më shumë goja se mendja”, tha profesori.

Në fund analisti “zbulon” se një emër tjetër konkurrues do të duhej të jetë Baton Haxhiu, pasi që njihet si një mik i ngushtë i Thaçit dhe njëkohësisht Ramës. Ai përmend edhe se të tre kanë punuar për të ndarë Kosovën.

“Por, kur mund të bie fjala të lakohet emri i Enver Hoxhajt për kryetar të ardhshëm të PDK-së e ndonjë emër tjetër, pse nuk mundet të lakohet për kryetar të PDK-së edhe bie fjala, Baton Haxhiu, i cili është mik i fortë i Hashim Thaçit, ku së bashku me Edi Ramën punuan shumë kohë për ndreqjen (drejtimin) e kufijve të Kosovës aty ku ishin të shtrembër”, ka përfunduar Binak Maxharraj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat