Ekipi dialogues që nga koha e Presidentit Rugova, kurrë nuk ka qenë më i sigurt

Politika

Ekipi dialogues që nga koha e Presidentit Rugova, kurrë nuk ka qenë më i sigurt

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 26 qershor 2021 Në ora: 11:58
Albin Kurti dhe Josep Borrell

Pak ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuҫiq, duke vazhduar kështu rrjedhën e bisedimeve. Mirëpo në Bruksel, Kurti ka folur rreth të pagjeturve, Asociacionit e padisë për gjenocid që Serbia ka bërë në Kosovë.

Kësaj radhe duket të mos i ketë pëlqyer tema e bisedimeve as Serbisë, që nuk e ka pritur këtë reagim të kryeministrit Kurti. Palët tjera paraprake deri tani kanë zhgënjyer qytetarët e Kosovës, pasi disa herë janë kthyer me marrëveshje të nënshkruara e që ishin në dëm të Kosovës.

Një marrëveshje së fundi ishte nënshkruar edhe në Uashington në ndërmjetësimin e ish Presidentit Amerikan, Donald Trump. Marrëveshja ishte nënshkruar nga Avdullah Hoti ish kryeministër i Kosovës, Aleksandër Vuҫiҫ, president serb.

Zeqiraj: Palmer e Lajҫak janë deklaruar se Bashkimi Evropian do të kujdeset për dialogun dhe jo Amerika

Publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se përfaqësuesit evropian në këtë dialog, Palmer e Lajҫak janë deklaruar se Bashkimi Evropian do të kujdeset për dialogun dhe jo Amerika.

Image
Idriz Zeqiraj

“Të relaksuar dhe fjalë miradije, kishin për njëri-tjetrin, Palmer e Lajçak. Por, me t`u ndarë, Lajçak bëri një deklaratë hiç diplomatike dhe jo fort fisnike, që nënkupton se "unë, BE-ja, përkujdeset për dialogun dhe jo Amerika". Realisht, këtë e pohoi edhe Palmer, por, duke "lënë vegzën" lidhëse "të përcjelljes së dialogut" Kosovë-Serbi”, thekson Zeqiraj.

Ai thotë tutje se bën përshtypje nënvleftësimi, i përtokshëm i Marrëveshjes të Uashingtoni nga Lajçak, deri në mohimin e saj.

“Vërtet, ajo Marrëveshje është e karakterit ekonomik, që zyrtari-koordinator i presidentit Trump, Grenell, premtonte mbështetjen e madhe financiare të SHBA, për Kosovën dhe Serbinë. Pozitive ishin Autostrada Durrës-Nish. Shumë zhurmë u bë për këtë rrugë, "për lëshimin që po i bënë Shqipëria dhe Kosova Serbisë!" Por, nga shtrirja e rrjetit rrugor, ndërmjet shteteve, askush nuk ka humbje. Përkundrazi. Ndërsa projekti për ndërtimin e hekurudhës, që lidhë Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë, deri në detin Adriatik, të cilën e parasheh Marrëveshja e Washingtonit, e pranuar edhe nga presidenti Biden, është e një rëndësie të veçantë, për shqiptarët e kudondodhur. Vetëm zyrtarët horrakë, që shpërfillin hallet, nevojat e popullit, ngaqë vetë udhëtojnë me fluturake dhe para të shtetit, nuk e marrin seriozisht, nuk merakosen, për këtë linjë hekurudhore, e cila lidhë Kosovën, si dikur, me botën, tani, edhe Shqipërinë”, vlerëson Zeqiraj për marrëveshjen e Uashingtonit.

Sipas tij, Kosova ka pak miq, që e mbështesin në dialogun e paanshëm, si palë e barabartë, në bisedimet me Serbinë.

“Por, duhet ngushëlluar, se miqtë tanë janë të fortë dhe cilësorë, miq për kokë, siç janë Amerika dhe Gjermania. Edhe Austria dhe Hungaria, njihen për miqësi tradicionale, që nga shpallja e Pavarësisë të Shqipërisë. Shqiptarët, sikur nuk e vlerësojnë, në masën e duhur, kontributin e Hungarisë, edhe pse ajo ishte perandori e përbashkët me Austrinë, në kontributin enorme, të dhënë, për bërjen e shtetit shqiptar”, është shprehur ai.

Zeqiraj thotë se shqiptarët i gëzohen reflektimit të kryeministrit Kurti dhe përshtatjes së tij, me mundësitë reale të Kosovës, për të zgjidhur disa çështje akute, në mes tyre, edhe dialogun, kaq shumë të përfolur.

“Ekipi, aktual, drejtues i shtetit dhe të pushtetit, që nga koha e Presidentit Rugova, kurrë nuk ka qenë më i sigurt, serioz e dinjitoz, sa është sot. Një presidente, si Vjosë Osmani, e cila, për fjalën, besën e dhënë popullit të saj, e gatshme të sakrifikohet në çdo kohë, edhe e vetme, në përballje me klanorët e partisë të saj, i mundi ata dhe të gjithë lukuninë PAN-iste; një kryeparlamentar, si Glauk Konjufca, i paanshëm, i qetë, i drejtpeshuar, me arsyeshmëri ideale; një kryeministër, si Albin Kurti, i përkushtuar, për luftimin e krimit dhe të hajnisë zyrtare, "hazërxhevap", me oratorinë-sintezë, si latinët e hershëm, qoftë edhe në gjumin e parë; një kryediplomate, si Donikë Gërvalla, me stazh veprimtarie atdhetare 30-vjeçare, me përgatitje supreme intelektuale, me personalitet dhe integritet të lartë, trimëreshë, që të vërtetën e ka parim, qoftë edhe atëherë, kur mund t`ia vulosë jetën, e ekuilibruar dhe unike”, thotë ai.

Sipas tij, bërësit e dialogut të sotëm, ndryshojnë, madje, tërësisht, nga dialoguesit e djeshëm.

“Kujtoni Editën me shokë, "sa herë kthehen nga Brukseli, një gjëmë sjellin për Kosovën”, thotë Zeqiraj.

Mehazi: Si të mos i besohet politikanit më të pa korruptuar jo vetëm në shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në Evropë

Ndërkaq, analisti politik dhe profesori, Sulejman Mehazi se nëse qytetarët e Kosovës s'i besojnë ekipit delegues aktual në krye me kryeministrin Kurtin gjatë dialogut me Serbinë, atëherë s'kanë kujt t'i besojnë?

Image
Sulejman Mehazi

“Si të mos i besohet politikanit më të pa korruptuar jo vetëm në shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në Evropë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka afruar e zgjedhur ekip partiake të LVV-së për interesa personale e pazaresh me Serbinë, po ekspert të llojeve të ndryshme shtetërore politike, ekonomike, ndërkombëtare e civile, vetëm me ekspertizëm e profesionalizem mbrohet Kosova nga Serbia. Vetë pikat e fuqishme e tronditëse të ekipit dialogues ndaj Serbisë i detyron qytetarët e Kosovës t'i besojnë Kurtit e grupit të tij dialogues, Vuçiqi para Albin Kurtit, Veton Surroit e Blerim Shalës nuk mund të tallet, ironizonte e nënçmonte Kosovën sikurse me Thaçin, Hotin e Hysenin”, thekson Mehazi për “Bota sot”.

Ai thotë se edhe Vuҫiqi, Borreli e Lajҫaku e dinë se Albin Kurti nuk është i korruptuar, i kriminalizuar, I kapur nga qeveria e Kosovës apo e Serbisë.

“Jo vetëm Vuçiqi, por edhe Borreli, Lajçaku i BE-së e ambasadori Kosnett i SHBA-së e dinë se Albin Kurti s'është i korruptuar, i kriminalizuar, i kapur nga qeveria e Kosovës e as nga Serbia, është i pastër si loti, prandaj është i këndellur, i guximshëm, i pathyeshëm ndaj principeve politike, i pa tolerueshëm ndaj mbrojtjes së Republikës se Kosovës. Moralin politik të Albin Kurtit e duan të gjithë: BE-ja, SHBA-ja, përveç Vuçiqit, Brnabiqit, Daçiqit dhe politikanët e korruptuar kosovarë që nuk ia duan të mirën Kosovës për shkak veprimeve korruptive të tyre”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat