“Kurti ik”/ LDK e AAK kërkuan protesta për shkarkimin e kryeministrit Kurti, kundërpërgjigjen nga VV-ja

Politika

“Kurti ik”/ LDK e AAK kërkuan protesta për shkarkimin e kryeministrit Kurti, kundërpërgjigjen nga VV-ja

Nga: A.Zh Më: 16 korrik 2021 Në ora: 19:35
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Lumir Abidixhiku

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po e duan shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri Kurti, i cili gjendet në udhëtim zyrtar në Greqi, është kritikuar nga opozita, lidhur me rastin e helmimit të mbi 1500 qytetarëve nga uji në Deçan. Bajram Gecaj, anëtar i LDK-së ka kërkuar që të organizohet protestë gjithëpopullore para Qeverisë së Kosovës, në të cilën do të kërkohej shkarkimi i Kurtit.

“Kurti ik! Partitë në pushtet, opozita, shoqëria civile, si dhe qytetarët e vendit, të organizojnë një protestë të përbashkët gjithë-popullore para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në të cilën do të kërkohej shkarkimi i Albin Kurtit, i cili, edhe pse deklarohet politikan i majtë, megjithatë, ai po sorollatet nëpër resorë luksozë pa qarë kokë për qytetarët e helmuar. Rrjedhimisht, deri në organizimin e zgjedhjeve, të kërkohet zëvendësimi i tij me Besnik Bislimin, i cili u “sakrifikua” në atë masë për vendin saqë shkoi në komision parlamentar drejtpërdrejtë nga klinika, pas trajtimit me infuzion, dhe pastaj edhe udhëhoqi mbledhjen e kabinetit qeveritar!”, ka shkruar Gecaj në një postim në Facebook.

Protestë kundër Kurtit ka kërkuar edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, për tiketën në vlerë 5 euro, për regjistrimin e veturave.

“Qeveria e Kosovës ka vendos një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja. Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbraz xhepat e qytetarëve me afro 2 milion euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit. Qytetarë të nderuar, protestoni!

U protestua për pesë euro taksë për shfrytëzim të Rrugës së Kombit, ndërsa tani, pa asnjë arsye iu merren 5 euro për secilin automjet! Protestoni për të drejtat tuaja!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Por, thirrjen e LDK-së dhe AAK-së për protesta, në Lëvizjen Vetëvendosje e quajnë “shaka të madhe”.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, deputeti i LVV-së Enver Dugolli, ka thënë se opozita e tanishme është pa ndonjë kauzë dhe jashtë detyrave të saj si opozitë.

Image
Enver Dugolli

“Partitë opozitare kanë mbet pa ndonjë kauzë dhe janë krejtësisht jashtë detyrave e të qenit opozitë. Albin Kurti është kryeministri me legjitimitetin dhe besimit më të madh qytetar në historinë parlamentare të shtetit të Kosovës, prandaj thirrja për protesta e shkarkim është shakaja më e madhe e mundshme”, është shprehur Dugolli.

Ai ka treguar se Kurti edhe pse gjendet në Greqi, ka ndjekur më vëmendje zhvillimet në Deçan, ku sipas tij, situata po përmirësohet.

“Albin Kurti po qëndron në vizitë zyrtare disa ditore ku po merr pjesë në konferenca e simpoziume të rëndësishme, mirëpo në asnjë mënyrë nuk është shkëputur nga zhvillimet në Deçan. Kryeministri ka kontaktuar Kryetarin e Komunës dhe ka ndjekur me vëmendje zhvillimet atje. Fatbardhësisht situata atje është duke u përmirësuar dukshëm dhe po shkojmë drejtë normalizimit të plotë të gjendjes”, ka thënë deputeti i VV-së për “Bota sot”.

Ai konsideron se është për keqardhje tendenca e opozitës e të bërit politikë edhe në raste të tilla emergjente.

“Qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit kanë vepruar mirë dhe nuk është e vërtetë se ka pasur vonesa. Me rëndësi është se shëndeti i qytetarëve ka qenë fokusi kryesor i institucioneve, ndërsa të tjerat siç është tendenca e opozitës e të bërit politikë edhe në raste të tilla emergjente, është për keqardhje”, ka shtuar Enver Dugolli./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat