Në prag të takimit/ Kjo është thirrja për Kurtin: Këtë duhet ta kërkojë urgjentisht në Bruksel

Politika

Në prag të takimit/ Kjo është thirrja për Kurtin: Këtë duhet ta kërkojë urgjentisht në Bruksel

Nga: P.R Më: 18 korrik 2021 Në ora: 19:40
Albin Kurti

Pasi u takuan për herë të parë më 15 qershor, gjatë ditës së nesërme, për herë të dytë do të takohen në Bruksel delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë, të kryesuara nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiq. E takimi i zhvilluar me 15 qershor ishte me përplot tensione dhe mosmarrëveshje.

Por çfarë do të ndodhë nesër në takimin Kurti-Vuçiq dhe a do të ketë tensione të reja? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Nesër kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, do të takohen për të dytën herë, pas takimit të qershorit të kaluar në kuadër të procesit të dialogut midis dy vendeve që ata përfaqësojnë. Takimi është thirrur nga i ngarkuari për Politikë të Jashtme dhe Siguri I BE-së, zoti Borrell dhe ndërmjetësuesi i tij në dialog, Mirosllav Lajcak. Unë pres që zoti Kurti të ketë marrë një eksperiencë fillestare, ndoshta empirike, nga takimi i parë dhe për pasojë do të performojë akoma më mirë në takimin e dytë. Edhe Vuçiq do të ketë mësuar nga ajo përballje e parë me kryeministrin e Kosovës. Ndaj unë besoj se nuk do të ketë tensione të mëdha, por nuk do të ketë as edhe ndonjë rezultat”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, rezultati i vetëm do të jetë ai i gjithhershmi “Palët pajtohen për ta vazhduar dialogun”.

Image
Enver Bytyçi

“Nuk do të ketë rezultate e as afrim në qëndrime, sepse palët janë të ndara, janë larg njëra-tjetrës, shumë më larg sesa ishin në kompromiset deri me territore të Hashimit e Isës! Zoti Kurti e ka krijuar tashmë avantazhin e vet, sepse ka vënë në tavolinë diskutimin për moralin, për të drejtën, për respektin ndaj viktimës dhe përgjegjësinë e agresorëve. Është në avantazh edhe për faktin se në krahasim me partnerin e tij në bisedime, zoti Kurti nuk ka hipotekë të së shkuarës. Përkundrazi, hipoteka personale e tij është gjithashtu avantazh ndaj atyre që e burgosën dhe e dënuan për shkak të së drejtës politike e nacionale”, thekson profesor Bytyçi për “Bota sot”.

“Kësisoj unë besoj se kryeministri i Kosovës do ta shfrytëzojë epërsinë e tij morale, politike e humane për t’u përballur me ish-ministrin e Informacionit të Milosheviçin, pra me presidentin e sotëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Por a do të mjaftojë ajo që zoti Kurti thjesht ta shfrytëzojë këtë avantazh të tij, duke qëndruar në mbrojtje ose në refuzim të propozimeve dhe kërkesave të presidentit të Serbisë? Mendoj se jo”, shton Bytyçi.

Sipas tij, kryeministri Kurti duhet të shkojë nesër në Bruksel me agjendën e tij.

“Ai e ka parashtruar këtë agjendë sipas skemës së njohur tashmë “Më parë marrëveshja e njohjes reciproke, më pas bisedime për çështje konkrete”! Por duhet të shtojë: “Më parë kërkim-ndjese nga ana e Beogradit e më pas njohja”! Ndërsa si pikë e tretë, diskutimi për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që duhen zgjidhur. Kjo realizohet më mirë pas njohjes, sepse i vë dy vendet në pozita të barabarta. Nuk duhet më të vazhdohet me plotësimin e apetiteve serbe për Kosovën e në Kosovë, para sesa të nënshkruhet marrëveshja e përbashkët për njohjen reciproke”, shprehet Bytyçi,

Më tej, profesor Bytyçi thotë se Kurti do të duhet të kërkojë krijimin e një gjykate tjetër për krimet e Serbisë në Kosovë.

“Aktori serb Çedomir Petroviç ka dhënë argumente të shtuara, me të cilat denoncohet gjenocidi serb në Kosovë. Zoti Kurti duhet t’i përdorë këto zëra në favor të së drejtës dhe suksesit të tij në dialog. Dhe, nëse Aleksandër Vuçiq vazhdon të reagojë negativisht e të mos reflektojë, atëherë zoti Kurti do të duhet të kërkojë drejtësi. “Pa drejtësi nuk mund të ketë paqe”! Ky është postulat, të cilin askush në Perëndim nuk mund ta mohojë. Dhe që të vendoset drejtësia, zoti Kurti do të duhet të kërkojë krijimin e një gjykate tjetër për krimet e Serbisë, ndoshta e njëjtë si Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. Por para kësaj kërkese duhen evidentuar kriminelët serbë të pandëshkuar. Sa më shumë të jetë e mundur. Me emër e mbiemër. Me fakte konkrete për krimet e tyre”, nënvizon Bytyçi.

Formimi i kësaj gjykate, sipas Bytyçit duhet të bëhet pasi deri më tani drejtësia serbe ka dështuar deri më tani në dënimin e kriminelëve serbë të cilët kryen krime në Kosovë.

“Krijimi i një gjykate speciale ndërkombëtare ose të Serbisë, por jashtë territorit të saj, është i motivuar e justifikuar, sepse gjykata speciale serbe dhe prokuroria special e Serbisë kanë dështuar në dënimin e kriminelëve serbë. Duhet kërkuar hetimi gjithashtu i vetë Vuçiqit nga kjo gjykatë. Kësisoj bëhet drejtësi. Kur Serbia imponoi ngritjen e një gjykatë speciale për Kosovën dhe me insistimin e saj në atë gjykatë gjenden krerët e UÇK-së, pse Kosova nuk do të duhej të këmbëngulë e të argumentojë se një gjykatë e tillë është shumë herë më e domosdoshme për krimet serbe e kriminelët serbë në Kosovë?!”, deklaron Bytyçi.

“Gjithçka në këtë botë është relevante. Gjithçka është e duhet të shkojë në ekuilibër. Gjykata ndërkombëtare e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi nuk u mor vetëm me kriminelët serbë. Ajo hetoi edhe eksponentë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka juridiksion vetëm në territorin e Kosovës. Atëherë do të duhet edhe një gjykatë special e Serbisë në Hagë, e cila të ketë juridiksion territorin serb. Nuk ka ndërmjetës ndërkombëtar që të kërkojë pajtimin e viktimës me agresorin, së paku sa kohë që kriminelët e vendit agresor, në këtë rast të Serbisë, jetojnë të lirë e madje kanë pushtet në strukturat dhe institucionet shtetërore të Beogradit!”, shprehet profesor, doktor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Për fund, Bytyçi deklaron se Albin Kurti nuk ka nevojë të bëjë lëshime ndaj Aleksandër Vuçiq.

“Dje kam bërë edhe një propozim tjetër lidhur me forcimin e pozicionit të zotit Kurti. Të refuzohet të flitet për Asociacionin, sepse ai është një precedent në historinë e zgjidhjes së konflikteve në botë. Nuk ka një shembull të dytë. Për të gjitha arsyet e mësipërme dhe për njëmijë të tjera Albin Kurti nuk ka nevojë të bëjë lëshime ndaj Aleksandër Vuçiq. Ai do t’i bënte një shërbim të jashtëzakonshëm paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, nëse do të këmbëngulë në pranimin e përgjegjësisë së Beogradit për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin serb në rajon e sidomos në Kosovë!”, përfundon profesor Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat