Propozimi për bashkimin e dy ushtrive shqiptare, ekspertët e sigurisë tregojnë si duhet vepruar

Politika

Propozimi për bashkimin e dy ushtrive shqiptare, ekspertët e sigurisë tregojnë si duhet vepruar

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 18 korrik 2021 Në ora: 21:12
Ushtria e Kosovës dhe Ushtria e Shqipërisë

Ëndrra e kamotshme e shqiptarëve është bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare, por për shkak të politikave botërore një gjë e tillë ende nuk po realizohet.

Politikanë të shumtë shqiptarë kanë premtuar bashkimin e trojeve shqiptare, por si duhet ka mbetur vetëm premtim për fushata zgjedhore.

Tani, në sipërfaqe ka dalë një ëndërr tjetër e shqiptarëve, ajo e bashkimit të dy ushtrive të shteteve shqiptare, të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Këtë ide e ka propozuar avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

Sipas Ngjelës, ushtria shqiptare është një domosdoshmëri për historinë e re të Arbërisë.

“Shqiptarët duhet të jenë të përgatitur ushtarakisht kundrejt Serbisë: Serbia ka lindur nga hiçi, është krijuar nga krimi kundër shqiptarëve, dhe ka shfrytëzuar, jo fuqinë e saj, por fuqinë e shteteve evropianë që kanë qenë në luftë me Arbërinë dhe shqiptarizmin, të paktën 200 vjet përpara serbëve”, ka shkruar Ngjela në Facebook.

Ai ka theksuar se Shqipëri e Kosovë duhet të jenë të forta ushtarakisht dhe në aleancë me Shtetet e Bashkuara.

“Pikërisht këtu fillon konflikti i politikës së re shqiptare me Serbinë. Por kjo ka një rregull: Shqipëri e Kosovë, duhet të jenë të forta ushtarakisht, në aleancë me Shtetet e Bashkuara: kjo është zgjidhja e garancisë shqiptare. Dhe kjo tashmë është vendosur. Të dy shtetet, duhet të mendojnë për ushtritë e tyre, se ato do të jenë garancia e historisë së Shqipërisë së Bashkuar”, ka thënë avokati.

Tërnava: Së pari Kosova duhet të bëhet pjesë e NATO-s

Me mendimin e Ngjelës, është pajtuar edhe ish zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Por, me këtë rast, ai ka treguar se në çfarë situate gjendet tani Kosova dhe se çfarë duhet të ndodhë në këtë rast.

Image
Hajrullah Tërnava

“Kosova në situatën në të cilën gjendet tani, kur po vazhdohet me ndërmjetësimin ndërkombëtar nga BE, për një arritje të marrëveshjes dhe njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, që në të ardhmen ishte dashur të ndodhë kjo njohjeje reciproke dhe në këtë mënyrë do të ishte më e lehtë të vazhdohet rruga për në BE e më parë të na lejohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Edhe sikur të ndodhë njohja reciproke mes këtyre dy shteteve, më nuk do të ekzistonin ato pengesat e njohjes së pavarësisë se Kosovës edhe nga ato pesë (5) shtetet e BE-së dhe ato do e njohin Kosovën si shtete të pavarur dhe do të lehtësohej mundësia që Kosova të inkuadrohej në BE, dhe do të përshpejtohej anëtarësimi i të gjitha shteteve të regjionit që nuk janë të anëtarësuara në NATO”, ka thënë ai.

Sipas tij, së pari Kosova duhet të bëhet pjesë e NATO-s, pasi në këtë mënyrë shteti ynë do të kishte një stabil.

“Pavarësisht rrjedhojave të zhvillimeve të rrugëtimit të Kosovës drejtë BE-së, edhe mos të na njeh Serbia pavarësinë tonë, Kosova duhet të bëjë çmos të bëhet pjesë e NATO-s, sepse si anëtare e NATO-s. Kosova tani do të ishte një shtet stabil dhe i çmuar nga të gjitha shtetet e NATO-s dhe do ta ketë të garantuar pavarësinë e saj, sepse edhe kjo do të kontribuoj në shumë çështje, në këtë organizatë me pjesëmarrjen e saj aty ku të iu imponohet intervenimi i NATO-s, apo stërvitjet sikur i imponohet kësaj organizate t`i bëjë me ushtarët e saj, e që edhe tani ushtria e Kosovës po merr pjesë në disa ushtrime ushtarake së bashku me NATO-n, e që është ky një sinjal se edhe Kosova së shpejti do t`i bashkëngjitet kësaj organizate, prandaj nga ai moment i anëtarësimit në ketë organizatë, edhe pavarësia e shtetit tonë do të ishte e siguruar, dhe ky është shkaku që Serbia do të ishte e detyruar që mes këtyre bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, ta njeh pavarësinë e Kosovës, e që si mbetet tjetër edhe asaj që edhe ajo të anëtarësohet si kusht në këtë organizatë të NATO-s”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Më tej, Tërnava shpjegon se bashkimi i ushtrisë së Kosovës dhe Shqipërisë në këtë kohë do të shkaktonte incidente luftarake.

Ai ka treguar se kur do të duhej që të ndodhte një gjë e tillë në mënyrë që të mos shkaktonte mosmarrëveshje.

“Tani situata që na imponohet e sidomos kur ne tani jemi dy shtete shqiptare, kishte me qenë diçka shumë e mirë edhe të bashkohemi mes veti. Por një bashkim real në këto rrethana mund të shkaktonte incidente luftarake për tani, sepse bashkimi mes këtyre dy shteteve preferohet të ndodhe kur të dy këto shtete shqiptare do të anëtarësohen në BE, kjo do ishte mënyra më e preferuar e që nuk do të shkaktonte mosmarrëveshje si bashkim i dy shteteve shqiptare, si në stilin edhe të shumë shteteve të BE-së, që janë me popullatë të njëjtë, por në disa shtete të pavarura sikur që është Gjermania dhe Austria etj, edhe që po këto shtete i kanë ushtritë e tyre të pavarura dhe njëherësh janë anëtare të NATO-s, por mes këtyre shteteve nuk ekzistojnë kufij dhe janë shtete kontribuuese të civilizimit njerëzorë dhe ruajtës të paqes botërore”, ka theksuar Tërnava.

Po ashtu, ai ka shtuar se për momentin bashkimi i dy ushtrive të shteteve njëherë mund të mbetet si dëshirë.

“Varianti i bashkimit të dy shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës do të ishte diçka e drejtë natyrore, sepse është në pyetje një komb, një kulturë, edhe që dikur këto vende kanë qenë edhe të bashkuara, e që dihet koha e copëtimet dhe ndarjes së trojeve shqiptare. Interesat e tanishme të kësaj situate e sidomos me pretendimet territoriale nga ana e Serbisë ndaj Kosovës, po shkakton destabilizim të regjionit më të gjerë deri në luftën mes shteteve, prandaj një bashkim i ushtrive të dy shteteve njëherë mund të mbetet si dëshirë”, ka vlerësuar ish zëvendësministri”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Tërnava ka cekur se shtete mike të shqiptarëve mund të kontribuojnë në bashkimin e ushtrive shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Këtij bashkimi të shteteve shqiptare mund të kontribuojnë shtetet mike, sikur në këtë rast Amerika, nëse e vlerësojnë këtë mënyrë të një ushtrie të përbashkët, si efektive të kohës, por varianti i shpjegimit të cekur më lartë, që të ndodhe anëtarësimi i dy shteteve tona në BE dhe në NATO, të dy shteteve shqiptare, kjo do të ishte ajo mënyra që nuk do të shkaktonte përçarje në politikat ndërkombëtare, e kur dihet se në BE janë shumë shtete mike të zhvilluara, që i takojnë kontinentit të Evropës edhe që janë anëtare të NATO-s, përndryshe të gjitha ato shtete i kanë ushtritë e tyre”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Në fund, ai ka theksuar se nëse një gjë e tillë do të ndodhte në këto zhvillime të politikave ndërkombëtare është diçka e pabesueshme.

“Sikur të donin të fortit e botës sikur në këtë rast i Amerika të na qëndronte pranë dhe me urdhrat e saj që të ndodh bashkimi i dy shteteve, do te ishte dëshira e të gjithë shqiptarëve, sikur e ka thanë edhe zotëri Ngjela, por një gjë e tillë të ndodhe në këto zhvillime të politikave ndërkombëtare është diçka e pabesueshme të ndodhë, prandaj dëshirat mbesin si dëshira, por shpresoj që ju vjen koha që edhe këto dëshira të na realizohen…!”, ka përfunduar Tërnava për “Bota sot”.

Shala: Aleanca mes Kosovës dhe Shqipërisë, pas anëtarësimit në Nato

Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për “Bota sot” se Kosova dhe Shqipëria mund të lidhin aleancë ushtarake pasi Kosova të bëhet anëtare e NATO-s.

Image
Drizan Shala

“Në lidhje me ketë deklaratë mund të themi që Kosova dhe Shqipëria mund të lidhin aleancë ushtarake pasi të bëhet anëtare e NATO-s Kosova (FSK/FAK)”, ka thënë ai.

Ai ka sugjeruar që të mos bëhet ndonjë veprim i ngutshëm, pasi që në këtë mënyrë do t`i kontribuon negativisht rrugës se ushtrisë se Kosovës në aspiratën e saj.

“Por në rrethanat e sotme, FSK-ja duhet t'i përmbush dhe punojë që jetë anëtare e NATO-s e mos të marrë ndonjë hap të ngutshëm të shprehur nga ana e Spartak Ngjelës. Pra ndonjë veprim i ngutshëm tani i kontribuon negativisht rrugës se ushtrisë se Kosovës në aspiratën e saj qe ka para vetit si synim”, ka potencuar ai.

Në fund, Shala ka shtuar se bashkimin e ushtrive shqiptare do t`i përdorte Serbia dhe kjo do ta dëmtonte Kosovën.

Sepse një hap i tillë, do të përdorej nga ana e Serbisë si kartë që Kosova po tenton që të krijojë "Shqipërinë e madhe" e kjo e pengon dhe dëmton Kosovën në aspektin ushtarak dhe atij politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat