Urrejtja patologjike e kundërshtarëve, si po tentojnë t’ia zbehin imazhin Kurtit?

Politika

Urrejtja patologjike e kundërshtarëve, si po tentojnë t’ia zbehin imazhin Kurtit?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 19 korrik 2021 Në ora: 20:53
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ditë më parë kryeministri Albin Kurti, ka qëndruar për vizitë në Francë.

Ai ishte në festivalin e filmit në Kanë, i shoqëruar nga familja, gruaja dhe vajza e tij.

Kurti kishte shkuar në premierën e filmit “Pa vend” nga Kosova, për të cilin tha se mori duartrokitje të gjata nga publiku në sallën Debssy në Francë.

Por, ajo çfarë u bë temë diskutimi, përpos faktit që kryeministri po merrte pjesë në këtë festival, ishte fustani i vajzës së tij, për të cilin e kritikuan se kushtonte rreth 490 euro. E pas kësaj Kurti mori “sulme” të njëpasnjëshme nga opozita në Kosovë.

Mirëpo, këtë e ka demantuar vet dizajnerja Sanije Matoshi, duke sqaruar për publikun të vërtetën sa i përket fustanit të vajzës së kryeministrit Albin Kurti.

Ajo ka thënë se, “fustanet janë marrë në huazim vetëm për këtë event, ashtu siç veprojnë të gjithë artistët dhe personalitetet e tjera”.

Matoshi ka shtuar se fustani i ishte ofruar si dhuratë kryeministrit por që ai nuk e kishte pranuar, mirëpo e kishte marrë vetëm si huazim për ta kthyer më pas.

Por, si komentohet ky sulm ndaj kryeministrit Kurti përmes vajzës së tij, pavarësisht se fustani i saj nuk ishte blerë.

Bytyqi: Kritikat burimin e kanë në urrejtjen patologjike të kundërshtarëve

Lidhur me këtë, analisti Adem Bytyqi ka thënë se kjo çfarë ndodhi për fustanin e vajzës së Kurtit e kanë burimin e motivin e urrejtjes patologjike të kundërshtarëve politikë ndaj një politikani të devotshëm siç është Kurti.

Image
Adem Bytyqi

“Kjo që po ndodhë kundër vajzës së vogël të kryeministrit Kurti, lidhur me fustanin e saj mund të ndodhë vetëm në Kosovë dhe në as një shtet tjetër të Evropës apo botës. Ngjarjet e tilla e kanë burimin në motivin e urrejtjes patologjike të kundërshtarëve politikë ndaj një politikani të devotshëm të cilët sovrani ia besoi qeverisjen e vendit në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit 2021”, shprehet Bytyqi.

Në fund ai, ata të cilët kanë kritikuar janë të pakënaqurit e humbjes së pushtetit, andaj po orvaten pa argumente dhe me propagandë dhe shpifje ta komprimtojnë kryeministrin dhe familjen e tij.

“Tani, të pakënaqur me humbjen e pushtetit orvaten pa argumente dhe me propagandë dhe shpifje ta komprimtojnë kryeministrin dhe familjen e tij. Mirëpo, qenësore është se pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës nuk u besojnë gënjeshtrave kundër kryeministrit Kurti dhe vazhdon të besojë se Kosova asnjëherë më parë nuk ka pasur Qeveri më të mirë se Qeveria aktuale Kurti”, ka deklaruar Adem Bytyqi për gazetën "Bota sot".

Ahmeti: Po mundohen ta zbehin imazhin e qeverisë Kurti

Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti sa i përket kësaj, ka thënë se opozita, opinionistët, analistët, por edhe mediet të cilat janë kundër pushtetit, po mundohen që në çdo variant ta zbehin imazhin e qeverisë Kurti.

Image
Hidajet Ahmeti

“Nuk është për çudi, pasi kryeministri Kurti është në qendër të vëmendjes nga opinioni publik. Prandaj opozita, opinionistët, analistët, por edhe mediet kundër pushtetit mundohen në çdo variant ta zbehin imazhin e qeverisë Kurti”, ka thënë analisti.

Sipas tij, s’ka logjikë e as arsyetim që vëmendjen ta marrë një fustan duke pasur gjëra të tjera ku mund të kritikohej kryeministri Kurti.

“Mendoj se nuk ka logjikë, por as arsyetim që krejt ky përqendrim të jetë të një fustan, pasi ka shumë gjëra tjera ku mund të kritikohet zoti Kurti. Politikat destruktive të opozitës nuk mund ta përmirësojnë një qeverisje, por ta shtyjnë në lajthitje e rrugë të gabuar”, ka deklaruar analisti Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat