Paguhen nga taksat e qytetarëve por injorojnë Kuvendin, kështu duhet vepruar ndaj deputetëve

Politika

Paguhen nga taksat e qytetarëve por injorojnë Kuvendin, kështu duhet vepruar ndaj deputetëve

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 23 korrik 2021 Në ora: 13:00
Kuvendi i Kosoves

Si në shumë seanca të kaluara, edhe në seancën e fundit kanë munguar shumë deputetë, duke mos pasur kështu kuorum për votimin e çshtjeve të rëndësishme .

Kjo mungesë bëri që të reagojë edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili i ftoi që të marrin pjesë pasi që paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

Ndryshe nga kjo, deputetëve të pranishëm në sallë, Konjufca iu dha mirënjohje, ndërsa shtoi se është lajm i keq kur të përgjegjshmit janë pakicë.

“Të gjithë deputetët që paguhen prej taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ftohen të marrin pjesë në seancën plenare. Një mirënjohje e veçantë për ju që jeni të përgjegjshëm. Lajm i keq është kur të përgjegjshmit janë pakicë”, tha ai.

Madje, Konjufca ka shtuar se ky veprim nuk është sjellje e mirë, duke i pasur parasysh edhe mërgimtarët që kanë bërë mijëra kilometra për të përcjellë seancën në Kuvend.

E lidhur me mos prezencën e deputetëve në seancë, madje edhe me atë se si duhet vepruar në këtë rast, për “Bota sot” kanë folur edhe disa njohë të çështjeve politike.

“Mungesa e deputetëve, një nga fenomenet më negative të Kuvendit”

Eugeni Cakolli nga KDI, ka deklaruar se mospjesëmarrja e deputetëve në Kuvend, është njëra nga fenomenet më negative të Kuvendit, madje ai thotë se kjo qasje ka filluar që nga legjislaturat e fundit, gjë që po vazhdon ende pavarësisht thirrjeve nga kryetari.

Image
Eugen Cakolli

“Prania fizike e deputetëve por mospjesëmarrja e tyre në votim, si dhe mospjesëmarrja në punimet plenare të Kuvendit, pa leje, është ndër fenomenet më negative që ka shoqëruar punën e Kuvendit të Kosovës. Një qasje e tillë e deputetëve është intensifikuar sidomos përgjatë tri-katër legjislaturave të fundit, gjatë së cilave deputetët nuk kanë qenë aspak "të rregullt" në pjesëmarrjen e tyre. Fatkeqësisht, ky fenomen është karakteristik edhe i legjislaturës aktuale, përkundër thirrjeve të Kryetarit dhe kryesuesve të seancave që deputetët të jenë në sallë”, ka thënë ai.

Sipas Cakollit, përkundër thirrjeve që kjo mungesë të sanksionohet financiarisht, nuk është shfaqur interes nga grupet parlamentare për të bërë këtë ndryshim.

“Për më tepër, përkundër thirrjeve tona të vazhdueshme që çështja e mungesave të deputetëve të sanksionohet financiarisht përmes ndryshimeve në Rregulloren e re të Punës së Kuvendit, grupet parlamentare nuk kanë shfaqur interes për ta shtyrë këtë ndryshim përpara. Kjo me gjasë vjen si rezultat i faktit që kjo do të nënkuptonte penalizime financiare për një pjesë, për të mos thënë shumicën e deputetëve të Kuvendit”, ka deklaruar Eugen Cakolli për gazetën "Bota sot".

“T’iu ndalohen pagat e seancave deputetëve që nuk marrin pjesë në seanca”

Ndërsa, juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Kuvendi ka të drejtë të marrë masa ndaj deputetëve që mungojnë përmes një rregulloreje.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai thotë se mospjesëmarrja e tyre tregon papërgjegjësi ndaj votuesve dhe se vetëm pozita dhe paratë janë qëllimi i tyre.

"Si janë partitë, janë edhe deputetët. Kuvendi i Kosovës e ka një rregullore të punës. Sipas saj, ka mundësi Kuvendi të marrë masa konkrete ndaj çdo deputeti që nuk merr pjesë në seanca dhe nuk ka arsye. Por, pavarësisht kësaj, deputetët me mos pjesëmarrje po tregojnë se nuk janë në lartësinë e detyrës së deputetëve. Ata u votuan për të bartur dhe mbrojtur pikësynimet dhe nevojat e votuesve të vetë. Mos pjesëmarrja tregon papërgjegjësi të plotë para votuesve. Njëherësh vijnë në dyshim morali i deputetit, përkatësisht qëllimi që u votua. Mos pjesëmarrja është vetëm edhe një fakt i fortë i largimit të deputetëve nga detyrat pse u votuan dhe dolën në Kuvend. Duket se qëllimi i tyre është vetëm pozita dhe paraja si mjet, asgjë tjetër", ka potencuar Kelmendi.

Më tej, ai ka shtuar se nëse deputetët nuk marrin pjesë në seanca, ka mundësi zvogëlimi i të ardhurave apo edhe ndalimin e pagesave që janë të parapara.

Po ashtu, Kelmendi thotë se secila parti duhet të jetë përgjegjëse për deputetët e vetë, madje të kërkojë nga ta që të marrin pjesë në seanca.

“Në këto situata janë normat e punës. Së pari, për mos pjesëmarrje në tri seanca, ka mundësi zvogëlimi i të të ardhurave personale në shumë të caktuar. Së dyti, për mospjesëmarrje duhet ndaluar pagesat për seanca që janë të parapara dhe së treti, duhet shikuar mbledhjet e komisioneve. Pjesëmarrja në mbledhje të tilla ku ka pagesë për mbledhje dhe jo në seancë dërgon re konkludimi i injorimit të seancave me qëllim nga deputetët. Masa tjera nuk ka. Mbetet që partitë politike të jenë përgjegjëse për deputetët e vetë. Partitë duhet të kërkojnë pjesëmarrje në seanca. Dhe, nëse partia e bënë këtë, nuk ka dyshim se pjesëmarrja do të jetë në nivel”, ka shtuar ai.

Sipas profesorit, për këtë gjë janë përgjegjës edhe vetë partitë, sepse po dëshirojnë dështimin e seancave, prandaj kjo është e pafalshme nga këta deputetë.

Ai thekson se kandidatët duhet të zgjidhen me përkujdesje dhe që të jenë deputetë për popull.

“Duket se këtu vetë partitë janë përgjegjëse për mos pjesëmarrje. Ato po dëshirojnë dështimet e seancave, pavarësisht humbjeve të mëdha që ka vendi. Vetëm marrëveshjet e fundit ndërkombëtare ishin me vlera të mëdha financiare. Kjo është e dëmshme dhe e pafalshme për partitë dhe për deputetët. Pa u vetëdijesuar partitë, kurrë nuk do të kemi deputetë të moralshëm dhe konstitucionalist. Partia nuk duhet të vë figura të ndryshme në kandidaturë të partisë për deputetë. Kandidatët duhen të zgjidhen me përkujdesje dhe të jenë nga mesi i popullit dhe për popull. Në parti fillon e keqja dhe pastaj rrokulliset çështja në Kuvend”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

“Të ndryshohet rregullorja”

Në anën tjetër, juristi Blerimi Burjani, ka shtuar se rregullorja aktuale duhet ndryshuar dhe sipas tij deputetët nuk janë serioz në punën e tyre.

Image
Blerim Burjani

“Natyrisht se duhet të ndryshohet rregullorja. Me këtë rregullore aktuale dhe pa ndërmarrë masa, mbetet e njëjtë gjendja si në legjislaturat e kaluara. Deputetët duken jo serioz për votat që i kanë marrë”, ka thënë Blerim Burjani për gazetën "Bota sot".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat