Juristi i njohur tregon veprimin e Kosovës, me të cilin duhet t`i thuhet mjaft Serbisë!

Politika

Juristi i njohur tregon veprimin e Kosovës, me të cilin duhet t`i thuhet mjaft Serbisë!

Nga: A.Z Më: 26 korrik 2021 Në ora: 18:53
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Pasaporta e Kosovës në territorin e Serbisë dhe anasjelltas, përveç në aeroporte, nuk është e vlefshme si dokument udhëtimi, sepse këto dy vende nuk e njohin njëra-tjetrën.

Qytetarët e Serbisë fluturojnë pa ndonjë problem nga Aeroporti i Prishtinës me pasaportë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Megjithatë, ata nuk kanë mundur të kalojnë me pasaporta në vendkalimet kufitare tokësore gjatë dy vjetëve të fundit.

As qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë kalimi në Serbi me pasaportë të shtetit të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se Serbia nuk e ka njohur pasaportën e Kosovës asnjëherë, sepse kjo do të konsiderohej edhe njohje e shtetit.

Mirëpo, sipas Kelmendit shqetëson fakti se qytetarët e Kosovës kanë mundur të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim në Serbi, kurse ata serbë kanë udhëtuar edhe me pasaporta.

Sipas tij, kjo pabarazi mund të zgjidhet vetëm me reciprocitetin.

“Pasaporta e Kosovës nuk është e njohur asnjëherë nga shteti serb. Kjo për faktin se me atë konsiderohet njohje e shtetit të Kosovës. Qytetarët e Kosovës kanë udhëtuar me letërnjoftim nëpër Serbi. Kjo sepse janë konsideruar dhe sot ashtu njihen nga Beogradi si qytetarë të Serbisë. Vetë ky fakt flet mjaftë për raportet midis dy vendeve. Në anën tjetër, qytetarët serb kanë udhëtuar me letërnjoftim a me pasaporta pa asnjë problem në Kosovë. Prandaj kemi këtë udhëtim pa ndonjë vështirësi dhe kështu po ndodhë për çdo ditë. Pa e futur reciprocitetin në raport me shtetin serb nuk ka ndalim të kësaj pabarazie. Reciprociteti i ndalon dobësitë dhe krijon barazi të plotë”, ka deklaruar Kelemendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat