Dakordësia e tij me Vuçiqin është e frikshme/Rama po ia ngulë thikën në shpinë, kështu të veprojë Kosova

Politika

Dakordësia e tij me Vuçiqin është e frikshme/Rama po ia ngulë thikën në shpinë, kështu të veprojë Kosova

Nga: G.B Më: 29 korrik 2021 Në ora: 18:45
Edi Rama

Në Shkup sot janë mbledhur liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev ia ndryshuan emrin Minishengenit në Open Ballkan, gjatë “Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal” për tregti të lirë.

Kosova ka kundërshtuar që nga fillimi idenë e Minishegenit, derisa kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo është nismë e bodrumeve të Jogusllavisë dhe madje për këtë nuk ka pasur as ftesë zyrtare.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shfrytëzoi edhe këtë forum për t’i hedhur kunja Kurtit.

Ai tha se kushdo që mendon ashtu, jeton në një botë paralele, derisa bëri thirrje që të mos mbesim peng i të kaluarës.

Për qëndrimet e tij kundër Kosovës dhe pro Serbisë reagimet kundër tij ishin të menjëhershme.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, duke folur për gazetën “Bota sot”, ka thënë se duhet ndaluar retorika arrogante e Ramës, derisa ai po bashkëpunon me Vuçiqin e Beogradin njëlloj si Enver Hoxha me Titon.

Image
Rexhep Shahu

“Retorika arrogante, fodulle e Edi Ramës që synon ta shes edhe patriotike e kombëtariste mendoj se duhet penguar e ndaluar, në mos duhet diskretituar që të mos dëmtojë më shumë Kosovën. Ai po bashkëpunon me Vuçiqin e Beogradin njëlloj si Enver Hoxha me Titon, kur Serbia e zhvati gjithë arin shqiptar në vitet 1945-1948 dhe desh e shndërroi Shqipërinë ne një Republikë jugosllave. Edi Rama po mendon se po ecën në udhë të reja, kur në fakt po përsërit vasalitetin komunist ndaj Serbisë. Sepse duket është amaneti i hershëm që komunistët shqiptarë që vijojnë me socialistë shqiptarë kanë Mekë Beogradin”, është shprehur ai.

Shahu shprehet i habitur se si në Kosovë nuk po e kritikojë Ramën dhe po e tolerojnë të flirtojë me Vuçiqin, derisa shton se Rama pa drojë e mbron idenë e tij kundër Kosovës në të gjitha mënyrat.

“Çudia ndodh se komunistët e Kosovës nuk e çelin gojën ta kritikojnë Edi Ramën dhe e tolerojnë që ai flirton me Vuçiqin jo në favor të Kosovës. Rama që mbi gjithçka kërkon vëmendje dhe synon të jetë stërmullari edhe me gjeste, edhe me fjalime, edhe me vendime, mbron idenë e tij kundër Kosovës pa drojë, pa u skuq”, ka theksuar analisti.

Sipas tij, secili politikan në Kosovë e do më shumë Kosovën se Rama dhe derisa ky i fundit bën veprime kundër Kosovës, pse atë duhet pritur e nderuar në Kosovë.

“Nuk besoj se janë idiotë politikanët në Prishtinë. Besoj se cilido njeri në Kosovë e do Kosovën më shumë se Edi Rama. Kur Rama komploton kundër interesave të Kosovës, lobon dhe merr vendime që nuk i pranon Kosova, atëherë pyesin njerëzit pse Edi Rama bën kaq shumë kundër Kosovës. Kur ai nuk i mbron interesat e Kosovës, pse duhet pritur e nderuar në Kosovë. Gjithë politika e Ramës në raportet e tij me Serbinë po të vëzhgohet hollë, ka qenë jo në përputhje me çfarë synon Kosova”, ka vlerësuar Rexhep Shahu.

Më tej, ai shton se Rama i falë çdo gjë Serbisë dhe nuk bashkohet me Kosovën kundër Serbisë që t’i kërkojë llogari, teksa shton se askujt nuk i ka hije të ngulë thikë në shpinë të Kosovës.

“Rama e ka trajtuar Kosovën jo si do ta trajtonte një politikan patriot shqiptar. Ai i fal çdo gjë Serbisë dhe nuk bashkohet me Kosovën në kërkim llogarie Serbisë. Rama le të duartrokitet në Prishtinë, t’i shtrojnë tapete ari po deshën, ta puthin në ballë, t'ia puthin duart por të mos harrojnë se ai po punon me Serbinë kundër dëshirës e kërkesës së Kosovës. Nuk e do Edi Rama Kosovën më shumë se e duan atë liderët e saj. Nuk i ka hije askujt të ngulë thikë në shpinë të Kosovës”, ka potencuar ai.

Krejt në fund, Shahu e cilëson të frikshme dakordësinë e Ramës me Vuçiqin, për çka thotë se ai sillet si ministër i propagandës së Vuçiqit dhe nuk llogarit në integrimet shqiptare, që të bashkojë shtetet shqiptare në një minishengen shqiptar.

“Edi Rama nuk llogarit integrimet shqiptare, nuk llogarit si të integrohen shqiptarët në një minishengen shqiptar por ka hallin të bëjë politikën vasale ndaj Vuçiqit e Serbisë. Rama nuk llogarit që të integrohet Kosova, Shqipëria, shqiptarët e Maqedonisë, të Luginës, të Malit të zi. Edi Rama sillet si një ministër i propagandës së Vuçiqit. Dakordësia e tij me Vuçiqin është e frikshme”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat