Ish-zv.ministri i Kosovës: Nuk bëhet dialog me Serbinë derisa kërcënojnë me ushtri e polici! Kjo është kërkesa e tij!

Politika

Ish-zv.ministri i Kosovës: Nuk bëhet dialog me Serbinë derisa kërcënojnë me ushtri e polici! Kjo është kërkesa e tij!

Nga: N.Sh. Më: 5 tetor 2021 Në ora: 16:51
Aleksandar Vuçiq, foto ilustrim

Bisedimet Kosovë – Serbi janë tepër të vështira dhe të paparashikueshme.

Kjo për faktin se shteti serb asnjëherë nuk i është përmbajtur vendimeve dhe asnjëherë nuk i ka zbatuar ato, e që në realitet as që kanë mundur të jetësohen.

Kështu po vlerëson ish-zv.ministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava, i cili thotë se bisedimet Kosovë-Serbia nuk duhet të vazhdojnë pa garanci serioze të ndërkombëtarëve.

Eksperti i sigurisë, thotë se, për këtë arsye në të ardhmen, në vazhdim të dialogut, nuk duhet nënshkruar marrëveshje të re pa analizuar rezultatet e zbatimit të marrëveshjeve paraprake.

Sipas tij, deri më tani, krejt çfarë është arritur në dialogun me Serbinë, edhe atë rezultatin më minimal, është duke e sfiduar Serbia seriozisht me ngjarjet në veri të Kosovës.

Këto zhvillime me veprime provokative nga pala serbe do të pengojnë dhe sfidojnë seriozisht edhe vazhdimin e mëtejshëm të dialogut për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve, sepse nuk mundë të ketë dialog normal e të suksesshëm kur pala tjetër kërcënon me provokimet ushtarako policore në veri të Kosovës, madje edhe me ndërhyrjet në brezin kufitar brenda territorit të Kosovës”, thotë Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Padyshim sipas tij, me këto sjellje po vihen në pikëpyetje të gjitha marrëveshjet e deritashme të nënshkruara në Bruksel.

Faktori ndërkombëtar bëri reagim tepër të butë ndaj provokimeve të fundit të Serbisë, deri me kërcënime ushtarake, edhe me ultimatum të kërkesave për tërheqjen nga veriu të njësive speciale të policisë së Kosovës, njësi këto të cilat në çdo rrethanë janë të autorizuara për rend, ligj dhe siguri. Në këto rrethana të tanishme, tani po bëhet i domosdoshëm një rishikim i plotë i pozicionit të Kosovës për vazhdimin eventual të dialogut, pasi që, pas incidenteve të fundit është paralajmëruar një angazhim më i sforcuar i pjesëmarrjes dhe angazhimit të SHBA-së në proces, së bashku me vendet kryesore me ndikim në BE, në mënyrë që gjithçka të jetë në baza të barabarta reciproke, pa tolerim të veprimeve të njëanshme dhe hapësirave për manipulim e inskenim të krizave apo të incidenteve të cilat dinë t’i bëjnë dhe inskenojnë serbët”, thekson ai.

Ai shton se, “pa angazhimin serioz të faktorit ndërkombëtar, e që ai faktor edhe iu rrin gati të gjitha marrëveshjeve mes dy shteteve në fjalë, vështirë së mund të pritet të arrihet një marrëveshje stabile e sigurt Kosovë-Serbi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat