“Ballkani i hapur”, projekt ruso-serb, rreziku për Kosovën dhe kundërshtimi nga Kurti

Politika

“Ballkani i hapur”, projekt ruso-serb, rreziku për Kosovën dhe kundërshtimi nga Kurti

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 8 tetor 2021 Në ora: 08:28
Albin Kurti, Aleksader Vuçiq, foto ilustrim

Projekti “Ballkani i Hapur” që nga fillimi është kundërshtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Jo fitimprurës për Kosovën po cilësohet edhe nga gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”.

Sipas një shkrimit të kësaj gazete, Kosova nuk ka dobi që të jetë pjesë e saj, pasi që Serbia nuk e njeh atë si shtet.

Ndërkaq, ky shkrim i kësaj gazete po shihet si i vërtetë në rastin e Kosovës.

Sipas njohësve të çështjeve politike, “Ballkani i Hapur” është projekt i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka për qëllim i izolimin e Kosovës.

Po ashtu, ata shprehen se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rastin e projektit “Ballkani i Hapur” është treguar mjaft vigjilent.

Më tej, ata e kanë kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për qëndrimin ndaj këtij projekti.

“Ballkani i Hapur, projekt kryekëput ruso-serb”

Profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar shkrimin e “Neue Zürcher Zeitung”, duke thënë se Ballkani i Hapur është një projekt kryekëput ruso-serb.

Image
Nijazi Halili

“Rruga jonë për integrim në BE, është Brukseli e jo Beogradi! Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” shkruan se Kosova nuk përfiton asgjë nga marrëveshja për Ballkanin e Hapur! Ajo që ka shkruar Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” është e vërtetë, ky është një projekt kryekëput ruso serb për hapjen e korridorit për dalje në bregdetin Adriatik”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, ai ka thënë se rruga e Kosovës për integrim është Brukseli e jo Beogradi.

“Me këtë projekt, humbës do të dalin shqiptarët, kurse përfitues do të jetë pala serbe. Me shumë arsye kryeministri Kurti ka refuzuar që Kosova të jetë pjesë e “Ballkanit të hapur”. Rruga jonë për integrim është Brukseli e jo Beogradi, andaj me plot gojë theksoj se projekti Ballkani i Hapur është projekt  i dëmshëm për shqiptarët, andaj Kryeministri Kurti në ketë rast është treguar mjaft vigjilent”, ka potencuar Halili për “Bota sot”.

“Ballkan i hapur, “ide burimore serbe” e Aleksandër Vuçiqit”

Edhe analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, e ka komentuar shkrimin e “Neue Zürcher Zeitung” për “Ballkanin e Hapur”.

“Duke pasur parasysh faktin se Zvicra është njëra nga shtetet më demokratike dhe të përparuara në të gjitha sferat, përfshirë edhe shtypin dhe mediat të cilat reflektojnë në dimensione mirë dhe shumanshëm të baraspeshuara, studimi i gazetës konservatore "Neue Zürcher Zajtung", se me parullën për qarkullim të lirë të mallrave dhe njerëzve, për ndryshim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që gati edhe nuk kanë çfarë t’i ofrojnë këtij tregut dhe as që mund t’i bëjnë konkurrencë Serbisë, Serbia përveç dominimit ekonomik, me të ashtuquajturin "Open Balkan" ka për synim nënshtrimin ekonomik e mundësisht edhe ri-"kapërdijnë" praktike të Republikës së Kosovës. Kështu që, siç e thotë me plot arsye edhe gazeta "NZZ", nisma serbe “Open Ballkan”, ka ringjallur dyshime dhe mosbesim të madh jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, ndaj duke pasur parasysh rreziqet që kjo pjellë serbomadhe mund të sjellë për vendin tonë, për aq kohë sa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, Kosova nuk ka asnjë arsye ta pranojë nismën konspirative serbe, sepse siç e thotë edhe gazeta zvicerane, dobia që ka Kosova nga “Open Balkan” është baras me zero, madje zero të madhe do të shtoja unë”, ka komentuar ai për “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

Më tej, Qarri duke e cituar gazetën zvicerane, deklaron se “Ballkan i hapur" është një “ide burimore serbe” e Aleksandër Vuçiqit për izolimin e Kosovës.

“Për aq më tepër, pas dokumentit anonim mbi kufijtë e rinj në Ballkan, si “Non-papers i cili u shfaq "papritmas" në pranverën që shkoi, autori i të cilit ende nuk dihet saktësisht, projekti i radhës me rrënjë të hegjemonizmit serb, i cili ka ngjallur jo vetëm konfuzion, por edhe frikë për konspiracioen të reja në rajon, është  i ashtuquajturi "Ballkan i Hapur", që siç konstaton gazeta zvicerane në fjalë është një “ide burimore serbe” e Aleksandër Vuçiqit për izolimin e Kosovës. Për aq më tepër, siç kanë njoftuar të gjitha mediat rajonale, para “Open Ballkan” u shfaqën dy dokumente jozyrtare të njohura si "Non-pappers" të cilët që të dyja parashihnin ndryshime të kufijve, gllabërime të tokave nga Serbia dhe demarkacione të reja në Ballkan”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, me projekte të tilla sikurse “Ballkani i hapur”, Vuçiq ka për qëllim rritjen e ndikimit e mundësisht edhe zgjerimin territorial, në dëm të shteteve fqinje.

“Prandaj, duke pasur parasysh se plagët e luftës në territoret e ish republikave të federatës jugosllave, që nga Kroacia e Bosnjë Hercegovina e deri në Kosovë, ende nuk janë shëruar plotësisht, “Non-pappersat”, me të drejtë patën ngjallur reagime të ashpra, madje nuk duhet harruar se edhe 1643 trupa të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar edhe 22 vite pas lufte, i mban peng Serbia, ndaj krimineli Vuçiq nuk kishte mundësi tjetër përpos lansimit të projekteve tjera, si "bota serbe" dhe “Ballkani i hapur”, për rritjen e ndikimit e mundësisht edhe zgjerimin territorial, në dëm të shteteve fqinje, si në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë. Por përkundër të gjithave, përveç Zoran Zaevit, projektit të dyshimtë puro-serb “Open Ballkan”, iu bashkua edhe kryeministri i Shqipërisë Edvin Kristaq Rama, projekt i pasqaruar që deri në vitin 2023 parasheh heqjen e kontrolleve kufitare, ndërsa ajo që nuk dihet dhe mbetet shumë e dyshimtë, është fakti se në cilat pika kufitare do t’i heqin kontrollet Edvin Kristaq Rama me Aleksandër Vuçiqin, përderisa, që nga çlirimi i Kosovës dhe arritjes së pavarësisë së shtetit tonë, Shqipëria dhe Serbia nuk takohen më bashkë në asnjë kufi?!”, ka vlerësuar ai.

Gjithashtu, Qarri shton se kjo nismë nga shumica e vendeve përreth, vazhdon të shihet si pjesë e strategjisë së Serbisë për të dominuar në rajon.

“Ndaj, ashtu siç shprehet edhe “Neue Zürcher Zeitung”, duke qenë se si në Serbi, ashtu edhe në Shqipëri, prej vitesh nuk ka përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe me një avaz të tillë, nuk mund të ecet drejt integrimit evropian, nisma e Beogradit u mbështet menjëherë edhe nga Edvin Kristaq Rama, përkundër faktit se kjo nismë nga shumica e vendeve përreth, vazhdon të shihet si pjesë e strategjisë së Serbisë për të dominuar në rajon. Kështu që Kosova duke e ditur se pa u sqaruar çështja e njohjes së saj nga Serbia, as bashkëpunimi me këtë projekt, nuk i mënjanon pengesat dhe problemet që Serbia i shkakton Kosovës dhe se Serbia me këtë nismë ka për qëllim ta ngulfat edhe më tej Kosovën dhe të shndërrohet në qendër të dominimit rajonal, për aq kohë sa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Kosova nuk mund ta përkrah as mbështes këtë projekt puro-serb, pasi që siç shkruan edhe gazeta zvicerane, dobia që Kosova mund të ketë nga “Open Balkan” është praktikisht baras me zero”, ka thënë ai.

Po ashtu, Qarri ka vlerësuar se me plot të drejtë refuzohet nga Qeveria e Kosovës, pasi që është projekt puro serb.

“Madje edhe po të merrte pjesë Kosova në këtë projekt, siç pretendon me kaq arrogancë shoku i Vuçiqit, Edvin Kristaq Rama, Serbia jo vetëm që nuk i heq pengesat tregtare të natyrës jo-tarifore ndaj Kosovës, por ajo nuk i pranon as mallrat e Republikës së Kosovës me dokumentet doganore në të cilat Kosova figuron si shtet, ndaj ky projekt puro serb, me plot të drejtë refuzohet nga Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës. Për aq më tepër siç dihet tanimë publikisht, projektin e Serbisë të kamufluar si “Open Ballkan” nuk e kundërshton vetëm Kosova, Bosnja e Mali i Zi, por qëndrimin më të ashpër kundër projekti serb “Open Balkan” përveç Gjermanisë dhe Kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka shfaqur edhe vetë i dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili në arsyetimin e kundërshtimit nga ana e tij ndaj “Open Ballkan” Lajçak sqaron se përderisa ekziston Procesi i Berlinit për nxitjen e bashkëpunimit rajonal, projektin e Serbisë e quan projekt-jo të shëndoshë-ndaj procesit të integrimeve evropiane”, ka cilësuar Qarri.

Në fund, Qarri ka theksuar se po vërtetohet kundërshtimi nga Kurti për “Ballkanin e Hapur” është veprimi më i arsyeshëm që mund dhe duhet të bëhet.

“E duke ditur se “Open Balkan” nuk i  zgjidh problemet ndërshtetërore të Kosovës me Serbinë dhe nuk heq as pengesat e Shqipërisë për hyrje në BE, raportin e Edvin Kristaq Ramës me Aleksandër Vuçiqin edhe gazeta  zvicerane "Neue Zürcher Zeitung", e quan marrëdhënie të çuditshme, nga e cila kushedi se ç’mund të dalë, kështu që po vërtetohet edhe njëherë më tepër, se kundërshtimi nga kryeministri Kurti i kësaj nisme, është veprimi më i mirë dhe më i arsyeshëm që mund dhe duhet të bëhet kundër projektit serb, të ashtuquajtur "Ballkani i Hapur, i cili, ashtu siç mban edhe emrin, lë të hapura shumë probleme dhe nuk zgjidh asnjë prej tyre, sidomos sa u takon raporteve të Kosovës me Serbinë okupatore”, ka përfunduar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat