“Patatja e nxehtë në duart e Kurtit”/Vjen paralajmërimi për Asociacionin, kështu duhet të veprojë Qeveria

Politika

“Patatja e nxehtë në duart e Kurtit”/Vjen paralajmërimi për Asociacionin, kështu duhet të veprojë Qeveria

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 11 tetor 2021 Në ora: 08:42
Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Javën që e lamë pas, Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka paralajmëruar se raundi i ardhshëm i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të jetë për Asociacionin.

“Kështu që në përputhje me rrethanat, tema e vetme gjatë raundit të ardhshëm të dialogut do të jetë ekskluzivisht formimi i Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë ai.

Këtë deklaratë Petkoviq e bëri gjatë një takimit me ambasadorin e Sllovenisë në Beograd, Damjan Bergant.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, e kundërshton Asociacionin me kompetenca ekzekutive të komunave serbe.

Ekspertët deklarohen se kryeministri Kurti duhet të ketë kujdes në këtë çështje. Ata shprehen se ai mund ta përballojë çështjen e Asociacionit dhe në këtë mënyrë do ta çmontojë intrigën e Beogradit.

Bytyçi: Patatja e nxehtë tani është në duart e Albin Kurtit

Image
Enver Bytyçi

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Serbia ka këmbëngulur që nga fillimi i bisedimeve me delegacionin e udhëhequr nga Qeveria Kurti që në tavolinën e bisedimeve të jetë edhe çështja e Asociacionit.

“Që kur kanë filluar bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë pas formimit të qeverisë Kurti, pra që nga qershori I kaluar e deri më sot, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësues të tjerë të shtetit serb kanë këmbëngulur që në tavolinën e bisedimeve të jetë edhe çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbë në Kosovë. Kjo kërkesë shtyhet nga fakti se ishin vetë liderët e Kosovës, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, ata që e kanë nënshkruar një marrëveshje të tillë në vitin 2013 e 2015 me përfaqësuesit e Serbisë, përkatësisht Ivica Daçiq dhe Aleksandër Vuçiq. Pra, edhe pse ish-presidenti Thaçi gjendet në Hagë, edhe pse ish-kryeministri Mustafa është në pension, Kosova vazhdon të vuajë prapësitë e tyre, lëshimet që ata kanë bërë ndaj Serbisë, me qëllim që të ishin "moderatorët" e politikës së Kosovës”, ka shpjeguar Bytyçi.

Ai ka përmendur edhe kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje në kohën kur Asociacioni ishte sjellë në Kuvendin e Kosovës për ta votuar.

“Kur Asociacioni kaloi në Kuvendin e Kosovës e votuan të gjithë përveç Vetëvendosjes dhe ndonjë partie tjetër të vogël në opozitë. Koalicioni I madh PDK-LDK, si dhe Lista Srpska e votuan atë. Vetëvendosja bëri protesta pa fund, deri te bllokimi I punimeve të parlamentit. Pastaj e çoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese dhe kjo gjykatë me vota unanime tha se marrëveshja e Hashimit dhe Isës e shkel Kushtetutën jo pak, por në 23 nene të saj”, ka rikujtuar profesori.

Profesori beson se kryeministri i Kosovës do ta përballojë sfidën e Asociacionit dhe se dhe do ta çmontojë intrigën e Vuçiq apo të Petar Petkoviq.

“Patatja e nxehtë tani është në duart e Albin Kurti. Çfarë do të bëjë Albini? Do ta mbajë në dorë e të përvëlohet me këtë patate të pjekur në furrë nga paraardhësit e tij, apo do ta hedhë tutje e ta shpëtojë Kosovën nga zjarri që do të ndezë Asociacioni në fjalë? Unë besoj shumë se kryeministri i Kosovës do ta përballojë këtë sfidë. Dhe sfidën nuk e ka me Serbinë e udhëheqësit e saj. E ka me paraardhësit e tij dhe mbështetësit e Serbisë në Bashkimin Evropian. Do ta fitojë këtë sfidë dhe do ta çmontojë intrigën e Vuçiq apo të Petar Petkoviq, sepse ngritja e një Asociacioni të Komunave Serbë në Kosovë është instrument i destabilizimit dhe shkatërrimit të shtetit të Kosovës. Është si të thuash ngritja e një shteti paralel brenda saj. Më thoni ju lutem, cili shtet në botë mund të mbijetojë, nëse do të formonte një shtet paralel brenda vetes? Asnjë! As shtetet më të mëdha e më të konsoliduara si Gjermania, p.sh. Aq më tepër kur kemi parasysh se shtetin brenda shtetit e komandon, kontrollon dhe drejton një vend armiqësor, si Serbia”, ka thënë ai.

Më tej, profesori Bytyçi ka përmendur edhe Kushtetutën e Kosovës, duke thënë se duhet të argumentohet që nuk mund të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara nga Thaçi e Mustafa.

“Në këto kushte është detyrë e Republikës së Kosovës, e qeverisë, presidentes dhe institucioneve të saj, të argumentojnë se nuk mund të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara nga Thaçi e Mustafa, sepse në këtë rast nuk do të kishte më shtet dhe institucione shtetërore në Kosovë. Pikërisht këtë e shkruan Kushtetuta e vendit, e hartuar më shumë me vullnetin e ndërkombëtarëve, sesa të kosovarëve. Po të ishte për kosovarët nuk do të pranonin ta kishin një kushtetutë, me të cilën 11 për qind e parlamentit ka të drejtë të bllokojë vendimet për ndryshime kushtetuese. Po të ishte për kosovarët, nuk do të pranonin që himni dhe flamuri të imponoheshin nga jashtë. Por të gjitha këto u pranuan, me qëllim që të mos shkohej te ndarja dhe shkatërrimi i shtetësisë”, ka theksuar Bytyçi.

Sipas profesorit, Serbia duhet të ndalet, pasi që Kosova është shtet dhe shtetësia nuk zhbëhet.

“Tani Beogradi nuk ndalet. Duhet që dikush t’i ndalë liderët e Serbisë. T'u thotë se Kosova është shtet dhe shtetësia nuk zhbëhet për hatrin e tyre. Këtë duhet t'ua themi edhe evropianëve dhe amerikanëve si garantë të dialogut. Ndërkaq, unë besoj se do të ishte i dobishëm një lloj dialogu me pakicën serbe në Kosovë. U duhet thënë hapur atyre se cilat janë disavantazhet e një asociacioni për shtetin e Kosovës dhe duhet t'u jepet garanci e plotë se ata do të trajtohen si qytetarë të barabartë me shqiptarët dhe pakicat e tjera në vend. Duhet një bashkëbisedim midis përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve serbë të saj, sidomos atyre në veri. Dikush duhet t'u thotë serbëve në Kosovë se Beogradi dhe presidenti i Serbisë po i manipulon ata, po i gënjen, po i nxit në konflikte, të cilat nuk sjellin asgjë të mirë as për serbët, as për shqiptarët në Kosovë. U duhet dhënë garanci se shteti i Kosovës do t’i mbrojë serbët nga çdo e keqe, përfshirë edhe nga e keqja e madhe që atyre ju vjen prej Beogradit dhe politikanëve manipulatorë në Kosovë, të cilët kujdesen për trafiqet, pasurinë dhe të ardhurat e tyre””, ka thënë profesori.

Profesori Bytyçi ka shtuar se politika duhet të bëhet bashkë kur është fjala për ta mbrojtur Kosovën nga një Asociacion përçarës.

“Dhe në fund, politika duhet të bëhet bashkë kur është fjala për ta mbrojtur Kosovën nga një Asociacion ndarës e përçarës. Ata politikanë që janë korruptuar e kanë hedhur firmat ose kanë mbrojtur Asociacionin, duhet të kërkojnë ndjesë dhe t’i bashkohen në harmoni qëndrimeve anti-Asociacion!”, ka thënë profesori Bytyçi.

Zeqa: kjo është rruga të cilën duhet ta ndjekë Qeveria Kurti

Image
Florim Zeqa

Ndërkaq, publicisti Florim Zeqa, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka përmendur që Asociacioni ishte kundërshtuar nga Gjykatës Kushtetuese, dhe se kryeministri Isa Mustafa me bekimin e ish presidenti e kanë futur vendin në një situatë që vështirë dilet nga ajo.

“Sikurse çdo luftë tjetër që bëhet për territore, resurse natyrore dhe pasuri nëntokësore, edhe beteja kryesore e Serbisë ishte e fokusuar për pjesën veriore, arterien kryesore dhe më vitale të Republikës së Kosovës, ndryshe nuk do të ndodhte as ndarja e planifikuar nga forcat ruso-franceze mbi lumin Ibër në 12 qershorin e vitit 1999. Pavarësisht kundërshtimit të Asociacionit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, gjegjësisht të gjetjes së shkeljeve të 23 neneve të Kushtetutës në marrëveshjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel të nënshkruar nga ish kryeministri Isa Mustafa me bekimin e ish presidentit Thaçi dhe ndërmjetësimin e Frederica Mogherinit, marrëveshjet paraprake ndërkombëtare për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS) e mbajnë vulën e nënshkrimit të dy ish kryeministrave kosovarë (Thaçi e Mustafa). Me nënshkrimet e tyre në këto dy marrëveshje (2013 dhe 2015) për të njëjtën çështje, ish kryeministrat kosov(r)arë e kanë futur Kosovës në obligime ndërkombëtare, nga të cilat, për të mos thënë e pamundur, është e tejet e vështirë të dilet…!”, ka shpjeguar Zeqa për “Bota sot”

Gjithashtu, ai e ka komentuar edhe deklaratën e Petkoviq, ku ka thënë se ky duhet të jetë një paralajmërim serioz për qeverinë e Kosovës.

“Deklarimet e drejtorit e të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, se raundi tjetër i bisedimeve do të jetë ekskluzivisht për Asociacionin, jo vetëm që është i saktë dhe i pashmangshëm, duhet të jetë një paralajmërim serioz për qeverinë e Kosovës, në veçanti për kryeministrin aktual Albin Kurti, i cili edhe pse nuk e dëshiron, e ka të pamundur të ikë kësaj teme, sa të vështirë, po aq të ndjeshme”, ka vlerësuar Zeqa.

Po ashtu, ai ka theksuar se kryeministri Kurti nuk duhet ta lejojë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës që mundësojnë formimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

“Duke qenë se Asociacioni e prekë Kushtetutën dhe cenon sovranitetin e shtetit, Albin Kurti nuk duhet të lejojë ndryshimet kushtetuese që mundësojnë formimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Në të njëjtën kohë duhet të kërkojë reciprocitet edhe për asociacionin, që i bie se, të njëjtat të drejta që kërkojnë serbët në pjesën veriore të Kosovës, duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kjo është rruga më e drejtë dhe më praktike që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës, e jo të kapen pas “stikerave”, për arsye se çelësi i zgjidhjes përfundimtare me Serbinë qëndron tek Asociacioni, përkatësisht të (mos)shtrirja e sovranitetit të plotë në atë pjesë të vendit”, ka përfunduar Zeqa për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat