Garancia për lirimin e Thaçit, Veselit, Selimit... Analisti jep paralajmërimin për Policinë e Kosovës

Politika

Garancia për lirimin e Thaçit, Veselit, Selimit... Analisti jep paralajmërimin për Policinë e Kosovës

Nga: P.R Më: 12 tetor 2021 Në ora: 18:09
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Edhe pse ende nuk ka nisur gjykimi në Hage ndaj tyre, avokatët e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi kanë kërkuar që klientët e tyre të mbrohen në liri, duke kërkuar nga Policia e Kosovës që ta “garantojë” këtë.

E në kundërpërgjigje të kësaj kërkese, Gjykata Speciale e ka urdhëruar Policinë e Kosovës të tregojë detajisht nëse është e aftë ta sigurojë mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së

“Gjykatësi i procedurës paraprake në këtë mënyrë: URDHËRON Policinë e Kosovës, në lidhje me ndonjë departament tjetër dhe/ose autoritetet në Kosovë nëse është e nevojshme, të sigurojë informacionin e detajuar në Shtojcën e këtij urdhri brenda dy javësh nga njoftimi”, thuhet në vendimin e marrë të premten, e që është publikuar tash së fundmi.

E analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike, Faton Mehmeti nuk beson në lirimin e Thaçit, Veslit, Selimit dhe Krasniqit.

Image
Faton Mehmeti

“Vështirë është që të lirohen, duke pasur parasysh aktakuzat e forta që kanë do të ishte e çuditshme të ndodh një gjë e tillë. Natyrisht se familjarët e të akuzuare do të ndjehen mirë, megjithatë jo edhe dëshmitarët. Këta të fundit do të ndjehen të frikësuar, pavarësisht se të akuzuarit do e kenë thuajse të pamundur të bëjnë një gjë të tillë, marr parasysh se do të jenë nën mbikëqyrje 24 orë nga EULEX”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

E lidhur me kërkesën e Speciales për Policinë e Kosovës, Mehmeti thotë se ende ka njerëz të Thaçit që veprojnë brenda Policisë.

“Derisa policia e Kosovës, pavarësisht besimit që kam tek ata, duhet ditur se një pjesë e madhe e tyre janë edhe me vula të partive. Do të jetë shumë e rëndësishme të vihet në pah aftësia, profesionalizmi dhe mos ndikimi i policisë së Kosovës në rast të tilla. Policia e Kosovës është e aftë, por brenda saj ka njerëz me ndikim nga partia, të emëruar nga ish partia e Hashimit, e të cilët pastaj mund të përdorin hapësirë për të lejuar më shumë se sa duhet veprim ndaj të akuzuarve”, shprehet Mehmeti.

Mbrojtjen në liri të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, Mehmeti e sheh si rrezik për dëshmitarët që pritet të jenë kundër tyre.

“Personalisht, nga ana njerëzore do të ishte mirë që të akuzuarit të jenë pranë familjarëve deri në nise të gjykimit, por kjo ka edhe rreziqet e veta për dëshmitarët”, përfundon analisti politik, Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat