Juristët kërkojnë hetime për shpenzimet enorme në Presidencën Thaçi dhe të tjerat!

Politika

Juristët kërkojnë hetime për shpenzimet enorme në Presidencën Thaçi dhe të tjerat!

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 7 shkurt 2022 Në ora: 08:01
Hashim Thaçi

Si shihen shpenzimet presidenciale ato të Vjosa Osmanit, krahasuar me ato të Presidencës Thaçi, dhe nga viti 2013 kur ende në Presidencë ishte Atifete Jahjaga.

Dikush për t’u mburru me Thaçin, deklaron pa prova se Thaçi kishte më shumë vizita jashtë vendit. Por, sipas të dhënave kjo nuk është e vërtetë, pasi ai ka qenë një president i izoluar, bile edhe kur ishte Kryeministër, pak shtete e kanë pranuar në vizita.

Së fundmi janë publikuar shpenzimet e presidentes Vjosa Osmanit, në detyrën e saj si presidente dhe ku janë paraqitur edhe të dhënat e disa shpenzimeve për disa vite, edhe të dy ish presidentëve të tjerë, Hashim Thaçit dhe Atifete Jahjagës.

Sipas të dhënave të publikuara, Vjosa Osmani dhe kabineti i saj kanë shpenzuar 2,714 euro për dreka dhe darka zyrtare.

Presidentja Vjosa Osmani, sipas zyrës për informim vetëm gjatë nëntë mujorit të punës së saj, ka realizuar 14 vizita zyrtare, dhe disa prej tyre bilaterale jashtë vendit. Ajo ka vizituar: Gjermaninë, Zvicrën- dy herë, ShBA-të (një vizitë në Uashington, dy në selinë e OKB-së), Austrinë, Slloveninë, Portugalinë, Estoninë, Kanadanë, Belgjikën, Turqinë dhe Japoninë.

Sipas Presidencës, zonja Osmani ka realizuar vizita jashtë vendit, më shumë se sa presidencat tjera, edhe në vitet para pandemisë.

“Kujdesi ndaj parasë publike dhe transparenca e plotë janë rruga e vetme përpara. E vërteta është se në vitin 2021, ne kemi realizuar më shumë aktivitete ndërkombëtare se sa në periudhat paraprake (pa pandemi), ndërkaq kemi shpenzuar shumëfish më pak”, ka reaguar Osmani ndaj disa kritikave.

Shpenzimet marramendëse të presidencës Thaçi, nuk ishin të vogla dhe as të Jahjagës.

Presidenca e Hashim Thaçit vetëm në vitin 2019, vit rekord i shpenzimeve ka harxhuar mbi 720 mijë euro, në vetëm katër shtylla: dreka dhe darka; për karburante; për akomodime jashtë vendit; dhe për udhëtime jashtë vendit.

Nga të dhënat e publikuara të shpenzimeve të Presidencës Osmani, rezulton se gjatë vitit 2021 për dreka dhe darka zyrtare janë shpenzuar 2,714 euro apo 97.4 për qind më pak krahasuar me vitin 2017, kur ishte president Hashim Thaçi, gjatë të cilit vit ishin shpenzuar 102 mijë e 960 euro, që ishte rekord i shpenzimeve nga ajo Presidencë.

Por, edhe në vitin e parë të Presidencës Thaçi, që në fakt ishte gati tetë muajsh, pasi ishte zgjedhur në fund të muajit shkurt, me 26, por detyrën e mori me 24 prill 2016, i ka rritur shpenzimet, nga rreth 74 mijë euro, në 95 mijë e 834 euro.

Sidoqoftë në vitin 2017, vit i shpenzimeve rekord në këtë shtyllë, Presidenca Thaçi ka shpenzuar mesatarisht 8.5 mijë euro në muaj për ushqim. (A thua çka kanë hëngër?)

Edhe Presidenca e Atifete Jahjagës ka shpenzuar po ashtu shumë më shumë se Vjosa, e cila po ashtu nuk e kishte një vit të plotë kalendarik pune, pasi kjo detyrën e mori me 4 prill 2021.

Atifete Jahjaga sipas tabelës në tri vite të plota të prezantuara ka shpenzuar mesatarisht 74 mijë euro në vit për ushqime, në vitin 2013, 77 mijë e 676 euro, në 2014 bien në 71 e 466 euro, dhe në vitin 2015 sërish rriten shpenzimet në 71 mijë e 191 euro.

Ndërsa, në shpenzimet për karburante nga Presidenca Osmani janë harxhuar 5.165 euro apo 96 për qind më pak se në vitin 2019.

Po ashtu kursime ka pasur edhe në harxhimet për bileta për udhëtim jashtë vendit, ku në vitin 2021 Presidentja ka shpenzuar 35,863 euro ose 89 për qind më pak se sa Hashim Thaçi në vitin 2019. Por, kjo përqindje është nxjerrë nga Presidenca, dhe nuk është e saktë, për shkak se si evidentuam më lart, bëhet fjalë për diku 9 muaj udhëheqje të Presidencës, një tremujor më pak, por dallimi është i jashtëzakonshëm, krahasuar me 4 vitet e para të drejtimit nga presidenti Thaçi, i cili ka zhvilluar shumë pak vizita shtetërore jashtë vendit, por kryesisht në Bruksel për negociata. Është interesant që në vitin e papërfunduar presidencial, Thaçi ka shpenzuar shumë më pak, rreth katërfish më pak se mesatarja e shpenzimeve të katër viteve paraprake, kjo për shkak se ai tashmë po kërkohej nga gjykata speciale, dhe prej momentit që nuk u lejua të udhëtonte për në Amerikë, kur u ndalua në Vjenë, ai më nuk pat as shpenzime për udhëtime jashtë vendit. Kështu që mesatarisht ai ka shpenzuar në katër vitet e para mbi 292 mijë euro në vit, ku në katër mujorin e parë të 2016 hyjnë edhe shpenzimet e Atifete Jahjagës.

Edhe në tabelën krahasimore të shpenzimeve për akomodimet jashtë vendit, presidentja Osmani, për nëntë muaj ka shpenzuar 26,127 euro dhe kabineti i saj.

Por, Presidenca Thaçi ka pasur shpenzime rekord edhe në këtë pikë. Kështu në dy dy vite rekord shpenzimesh, ka harxhuar nga 172 mijë me 2018 dhe 175 mijë euro me 2019, e në vitin e fundit mbi 108 mijë euro. Ndërsa, vetëm në vitin e parë ka pasur shumë më pak shpenzime, 79.5 mijë euro me 2016, ku një katër mujor janë edhe shpenzimet e Presidencës Jahjaga, ndërsa në vitin pasues ka shpenzuar 103 mijë euro.

Por, edhe shpenzimet e Presidencës Jahjaga krahasuar me të Osmanit, janë disa herë më të larta. Kështu në vitin 2013 (pasi për dy vitet paraprake, nuk i ka paraqitur shpenzimet Presidenca), janë mbi 61 mijë euro, për vitin 2014 rriten në gati 99 mijë euro, dhe në vitin pasues në 2015 rriten edhe për 30%, dhe arrijnë në 128 mijë euro, që është më shumë se dyfishi i shpenzimeve të vitit 2013.

Por, analistët kanë bërë një vlerësim për shpenzimet e Presidencës Thaçi, madje juristi Kelmendi këto shpenzime i kualifikon si vepra penale, për të cilat ai dhe kushdo tjetër duhet të jap llogari para ligjit.

“Ligji i njëjtë për të gjithë”

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, deklaron se keqpërdorimi është vepër e ndaluar dhe që duhet hetuar nga organet, dhe në bazë të provave vendoset se a do të ketë akuzë ndaj Thaçit në këtë rast, Haradinajt, apo Kurtit.

Image
Muhamet Kelmendi

“Keqpërdorimi i detyrës zyrtare është vepër penale. Çështja e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pavarësisht nga cila pozitë, e lartë a e ulët, është vepër e ndaluar dhe organet kanë për detyrë ta hetojnë. A do të ketë akuzë nga organet për atë çështje, ndaj çdokujt, pra, edhe ndaj z. Thaçi, z. Mustafës, z. Veseli, z. Haradinaj, z Kurtit, z. Limaj etj., varet nga hetimet dhe provat që i gjen prokuroria. Nuk duhet lejuar askënd të ikë, përgjegjësia për veprat e tilla penale. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare është vepër penale dhe ka masa ndëshkuese”, thotë ai.

Tutje shton se masat ndëshkuese janë të njëjta për të gjithë, pa marrë parasysh detyrën, apo pozitën.

“Ndëshkimin nuk e ndalë emri a detyra. Ligji është i njëjtë për çdo kënd në Republikë. Këtej edhe masat ndëshkuese janë të njëjta. Masat penale nuk përkufizohen me pozitë apo me emër, po me keqpërdorim dhe me intensitetin e energjinë kriminale të keqpërdoruesit. Baza e shqiptimit të dënimit në gjykatë është niveli apo shuma e mjeteve të keqpërdorura dhe intensiteti i punës familjare, punësimet e parregullta etj. Ligji është i njëjtë”, përfundon Kelmendi.

Mëria ndaj Osmanit

Ndërsa, analisti Leon Duhanaj, ka potencuar se nuk do të duhej të zhvilloj ky debat si i tillë, e në veçanti kur tabelat janë të publikuara nga Presidenca, jo nga institucionet.

Image
Leon Duhanaj

Tutje tha se në kohën e Thaçit ka pasur dinamika më të shpeshtuara, sidomos ato lidhur me dialogun.

“Për mendimin tim, bartësit institucional nuk do të duhej matur me vlerën e shpenzimeve, sa me frytshmërinë e vizitave të tyre jashtë vendit. Në këtë kontekst, mendoj që në parim është debat i kotë dhe nuk do të duhej të zhvillohej si i tillë. Aq më pak kur dihet se këto tabela rreth shpenzimeve janë publikuar nga vetë Presidenca, e jo nga ndonjë institucion, i cili merret me transparencën institucionale. Mendoj që në kohën e Presidentit Thaçi ka pasur dinamika të shpeshtuara, sidomos në zhvillimet rreth dialogut dhe po ashtu vizitat jashtë vendit kanë qenë me voluminoze në kontekstin kadrovik, gjë që në këtë kohë pandemie nuk është e mundur”, theksoi Duhanaj.

Më tej ka shtuar se duhet bërë analiza për këto vizita, me ç’rast të zbulohet efekti i tyre, madje ai thotë se mënyra e diskursit të Presidentes e dëmton qëllimin e kauzës kombëtare.

“Mendoj që, pa marrë parasysh se kush, sa dhe për çfarë kanë shpenzuar, do të duhej bërë analizë e pavarur, duke bërë edhe krahasime se për çfarë vizitash bëhet fjalë dhe cili ka qenë efekti i tyre për vendin. Presidentja e vendit, nuk i bën mirë institucionit, nëse merret me këso simbolikash dhe fokusin e saj nuk e përqendron në detyrimet e saja kushtetuese, e që mbi të gjitha është uniteti kombëtarë. Nuk mendoj që mënyra polemizuese e diskursit të Presidentes, i shërben unitetit, përkundrazi mendoj që dëmton qëllimet e kauzës sonë kombëtare, posaçërisht në këtë kohë kur kemi me shumë se kurrë nevojë për unitet”, shtoi ai.

“Kam izoluar dëmin e madh ndaj vendit”

Për ata që bëjnë përpjekje të zvogëlimit të keqpërdorimeve nga Hashim Thaçi, dhe që ta paraqesin, presidenten Osmani, se nuk ka pasur vizita jashtë vendit, ajo si më sipër ua ka rikujtuar se ka pasur shumë vizita, me të cilat po i ‘izolon’ dëmet e shkaktuara nga Presidenca Thaçi. Ajo e akuzon Thaçin se ka shpenzuar paratë e taksapaguesve për ndarje të Kosovës, përfshirë promovimin e asaj ideje.

“Keqpërdoruesit recidivistë të pushtetit, paskan tentuar dje të ndërtojnë narrativën se shpenzimet shumëfish më të vogla të kabinetit tim qenkan për shkak të "izolimit ndërkombëtar". Përderisa për këdo që pa paragjykime ka përcjellur aktivitetin tim për promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë nuk kam nevojë ta jap këtë shpjegim, dua t’i them keqpërdoruesve recidivistë që e vetmja gjë që kam izoluar është dëmi i madh ndaj vendit për të cilin duhet t’u "falënderohemi" pushteteve paraprake”, ka reaguar Osmani, një ditë pas prezantimit të shpenzimeve gjatë kësaj jave.

Sipas presidentes Osmani ata që lobonin për ndarje të Kosovës, sot duhet të skuqen dhe jo të inkurajojnë më tej ndarjen. “Idetë për ndarje e defunksionalizim të Kosovës promovoheshin me para të taksapaguesve, ndërkaq sot në vend se të skuqen për gjithë dëmin e shkaktuar, dalin e ankohen pse Presidentja e sotme nuk po vepron sikur pushtetarët paraprak. Ta keni të qartë, ju nuk jeni standardi me të cilin ne e masim veten. Jeni shembull i modelit që nuk duhet ndjekur”, ka deklaruar ajo, pas irritimit që ia kanë shkaktuar disa pseudoanalistë.

Ka ardhur koha që secili të marrë përgjegjësi”

Analisti Skënder Mulliqi thotë se Thaçi, qartazi është presidenti që ka më së shumti, dhe se kulminacionin e kishte arritur në vitin 2019.

Image
Skënder Mulliqi

“Sipas grafikonit të publikuar shihet për uljen e shpenzimeve në të gjitha kategoritë në krahasim me periudhat e mëparshme të presidencës për dreka dhe darka. Shifra të larta u panë edhe përgjatë presidencave të tjera, sa i përket shpenzimeve në karburante, ku kulmi është shënuar gjatë vitit 2019, me gjithsej 130.405 euro, shpenzime të tjera të mëdha u bën në akomodime jashtë vendit, harxhime për biletat e udhëtimit”, thotë ai.

Më tej Mulliqi ka përmendur edhe deklaratën e Gjoshit, i cili ka deklaruar se Osmani nuk ka dalur jashtë zyrës andaj edhe shpenzimet janë të vogla.

“Lidhur më paraqitjen e shpenzimeve të presidencës, ka reaguar PDK përmes Gjoshit, i cili thotë se “shpenzimet e vogla të Presidentes kanë ndodhur për faktin se ajo nuk ka kryer asnjë obligim kushtetues. Ai është shprehur se presidentja Osmani, nuk ka pasur se si të bënte shpenzime, kur nuk del jashtë zyrës së saj. T’i kthehemi temës. Pushtetet e kaluara, shumë pak e kanë kursyer buxhetin e varfër të Kosovës, në krahasim me pushtetin e tashëm, jo pse ata kanë udhëtuar më shumë jashtë vendit sipas Gjoshit, por që delegacionet e tyre janë stërmbushur, të shprehem kështu me njerëz që nuk kanë pasur asnjë nevojë të udhëtojnë jashtë vendit, duke i shkaktuar Kosovës, shpenzime enorme buxhetore. Kjo gjë nuk justifikohet asnjë herë dhe në asnjë rrethanë”, thotë Mulliqi.

Tutje theksoi se përveç presidences, shpenzime ka pasur edhe nga paratë e taksapaguesve, madje duke i shfrytëzuar edhe veturat gjë që është e turpshme.

Shkuarja e shumë personave zyrtarë, në shumë vende të botës i kanë çuditur edhe zyrtarët e atyre shteteve nikoqire, pse kanë udhëtuar në numër aq të madh duke paguar hotele dhe ushqime të shtrenjta. Shpenzimet ka pasur jo vetëm Presidenca e shtetit, por në çdo resor, edhe kuvendarët kanë shpenzuar paratë e takspaguesve pa asnjë dhembje, duke i shfrytëzuar veturat e shtetit për çështje edhe private, dhe duke i shfrytëzuar edhe benificionet tjera. Kjo është e turpshme të bëhen, kur dihet se Kosova ka pasur dhe ka njëmijë halle dhe probleme, dhe nuk e ka luksin që njerëzit të krijojnë shpenzime dhe keqpërdorime të tilla jashtë çdo logjike”, shtoi ai.

Mulliqi ka potencuar se tani ka ardhur koha që secili t’i marr përgjegjësitë ligjore, ndërsa duhet të marrin fund praktikat e vjetra të punës, pra nëse dëshirojmë që të kemi shtet funksional dhe që të jemi afër shteteve të zhvilluara.

“Për atë edhe jemi ku jemi, si është më së keqi me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, me varfëri dhe me largime masovike nga vendi. Shtetet e vogla dhe në tranzicion siç është Kosova duhet shumë ta shtërngojnë rripin, për t’i arritur objektivat e shtetndërtimit dhe të mirëqenës. Ka ardhur koha që secili të merrë përgjegjësi ligjore dhe përgjegjësi materiale ndaj shtetit të Kosovës, e jo siç ka ndodhur deri më tani. Si të uleshin me kohë shpenzimet shumë të panevojshme, dhe sikur të ishin menaxhuar më mirë me punët e shtetit, edhe më mirë sigurisht do t’i kishin punët në secilin plan zhvillimor. Praktikat e vjetra të punës, mos llogaridhënia për keqpërdorime të pozitës shoqërore dhe politike, duhet të marrin fund njëherë e mirë në Kosovë, nëse dëshirojmë të kemi shtet ligjor dhe funksional dhe nëse dëshirojmë që sa më parë të rreshtohemi përkrah shteteve të zhvilluara dhe demokratike të botës. Mjaftë gjatë Kosova është shndërruar ne sallamadi nga krimi, korrupsioni, hajnit, zhvatjet etj”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat