“Turistë në luftë”, kjo është prapavija e deklaratës së Haradinajt për Thaçin dhe Remin

Politika

“Turistë në luftë”, kjo është prapavija e deklaratës së Haradinajt për Thaçin dhe Remin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 korrik 2023 Në ora: 10:14
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë deklarata të forta për rolin e ish-presidentit Thaçi dhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi.

Sipas Haradinajt, Thaçi e Remi kanë qenë “turistë në luftë”.

Ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, është shprehur se të dy kanë “hyrë e kanë dalë” nga lufta, duke i cilësuar si turistë.

Ish- komandanti i UÇK-së dhe ish- deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, fillimisht nuk ka dashur ta komentojë deklaratën e Haradinajt, pastaj më vonë ka shkruar në profilin e tij në Facebook “atë që e bënë njeriu për pak vëmendje nuk e bënë dot asnjëra nga gjallesat për mbijetesë!”.

Kjo deklaratë e Mustafës nuk dihet a është reagim ndaj Haradinajt i cili e ka quajtur ‘turist”, por sipas analistëve politikë ky i fundit shkon sipas interesit.

“Ramushi ndjehet i vetmuar në betejën e tij ndaj Kurtit, me PDK-në që s’po i shkon pas”

Analisti politik, Faton Mehmeti, thotë se Haradinaj njihet për deklarata të tilla.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, ai ndjehet i vetmuar në “betejën” kundër Kurtit dhe për atë bën këso deklaratash.

Ramushi njihet shumë herë për deklarata të tilla, dikur disa i quante edhe "komandanta të Bllacës", megjithëse këto që thotë janë të vërteta. Kjo deklaratë vjen si pasojë e mos mbështetjes nga ana e PDK rreth mocionit të AAK-së ndaj qeverisë. Ramushi ndjehet i vetmuar në betejën e tij ndaj Kurtit, me PDK-në që s’po i shkon pas, kjo edhe është arsyeja e deklaratës së fundit të z.Haradinaj. Fatkeqësisht, e vërteta thuhet sporadikisht sipas interesit, duke shpërfaqur fytyrën e vërtetë të njerëzve pa parime, por me pazare”, shprehet Mehmeti.

Por, ai shton se “nga ana patriotike Ramush qëndron larg Hashimit dhe komandantëve të "Rognerit", megjithatë pas lufte thuajse janë njësoj.

Ish- kryeministri Ramush Haradinaj në të kaluarën kishte qenë në koalicion me partitën e ish- presidentit Hashim Thaçit, person këtë që e quajti gjithashtu “turist në luftë”.

Ndërsa, ish- deputetin Rrustem Mustafën ai e kishte nderuar me medalje për shërbimin që ia kishte bërë Kosovës për liri.

Haradinaj e kishte vlerësuar ish-komandantin e Llapit për vlerësimin e dinjitetshëm të kategorive të lirisë.

“Me ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, bashkëbiseduam për zhvillimet në vend, në veçanti për trajtimin e dinjitetshëm të kategorive të lirisë. Duke shprehur respektin më të lartë për rrugën e tij jetësore në shërbim të atdheut dhe lirisë, gjeneralit Mustafa, i dorëzova Medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, kishte shkruar Haradinaj në vitin 2019.

Miftari: Ai ishte edhe atëherë Hashim Thaçi turist i Rognerit dhe i Zvicrës

Image
Naim Miftari

Ndërsa, sipas ish- agjentit të ShIK-ut dhe analistit, Naim Miftari, lufta dhe sakrifica nuk të jep të drejtën ta vjedhësh vendin.

“Nëse nuk e ruajmë ne gjakun e luftës dhe sakrificën tonë, e po kush po mendoni se do të na ruaj? Lufta dhe sakrifica nuk të jep të drejtë të vjedhës e të plaçitësh vendin tënd. Ramush multi- milioneri nuk të lejon gjaku i dëshmorëve dhe i luftëtarëve të UÇK-së, përkundrazi ne që kemi marrë pjesë në luftë, në beteja e në sakrifica, duhet të na ndëshkojnë edhe më shumë sesa keqbërësit tjerë pasi ne ia dimë vlerën lirisë e shtetit. Ne ishim gati të vdesim për këto gjera, edhe nëse të gjithë e shkelin ligjin, ne nuk duhet ta shkelim ligjin, shtetin. Ne përkundrazi, duhet të jemi gardianët e mbrojtës së ligjit dhe shtetit të Kosovës që me sakrificë ndër shekuj gjeneratë pas gjenerate erdhëm këtu”, shprehet Miftari.

Ai pyet Haradinajn a ishin turista personat edhe kur merrte urdhra, gjersa shton se ai ka vetëm interes për para, tendera dhe pushtet.

““Ne themi me dekada që Thaçi, Veseli...kanë qenë turista, por ju kur merrnit urdhra nga “gjarpëri” e të futi në konflikt vëlla vërasës në Dukagjin me Farkun me Tahir Zemajn, Musajt e Strellcit me... ai ishte edhe atëherë Hashim Thaçi turist i Rognerit dhe i Zvicrës, apo edhe atëherë të kanë interesuar vetëm paratë e 3 % dhe fondit “Vendlindja thërret”, interes sikurse edhe sot vetëm paratë, tenderat dhe pushteti”, pohon Miftari.

Deklarata e Haradinajt kishte nxitur reagime të shumta, por nga partia e tij nuk kanë dashur ta komentojnë.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një intervistë për mediat vendore u shpreh se Haradinaj e dinë kontributin e ish-presidentit Thaçi.

Sa i përket deklaratës së Haradinajt, ai vetë ka qenë në Hagë dhe është shpallur i drejtë me një aktgjykim, mendoj që ai më së miri e din edhe deklaratën por edhe kontributin e presidentit Thaçi, prandaj nuk kisha dashur të lëshohem në deklaratën e kryetarit tim”, tha Lekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat