“SHBA e dëshiron këtë”/ Ish-zv. ministri i MPB-së tregon përfitimet pas marrëveshjes përfundimtare Kosovë - Serbi

Politika

“SHBA e dëshiron këtë”/ Ish-zv. ministri i MPB-së tregon përfitimet pas marrëveshjes përfundimtare Kosovë - Serbi

Nga: Nehat Shaqiri Më: 1 gusht 2023 Në ora: 21:57
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Ka një kohë të gjatë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk janë takuar në kuadër të dialogut të Brukselit.

Kjo po ndodh pasi që Serbia po kërkon urgjentisht themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën kryeministri Kurti po e kundërshton fuqishëm.

Madje një kërkesë për themelimin e Asociacionit në vazhdimësi e kanë edhe shtetet perëndimore.

Megjithatë, thuhet se kjo kërkesë e perëndimit vjen pasi që, dëshirojnë që shumë shpejt ta përfundojnë dialogun Kosovë – Serbi me një marrëveshje përfundimtare.

Kështu po shprehet ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili shton se, Amerika dëshiron që ky dialog të përfundoj sa më shpejt dhe këtë e di edhe Serbia.

Image
Hajrullah Tërnava

“Kosova dhe Serbia do të kenë përfitimet me investime të mëdha që do të ndodhin në këto dy shtete, dhe standardi në këto dy shtete për të mirë të qytetarëve do të ndryshoj dukshëm, prandaj tani është koha për marrëveshje dhe pajtim”, thotë Tërnava.

Ai kërkon që në kuadër të dialogut të ndryshohet edhe versioni i Asocaicionit që është nënshkruar në vitin 2013 dhe 2015.

“Në këtë fazë të dialogut, po krijohen kushtet reale që përfundimisht të korrigjohet versioni i marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në procesin e dialogut i cili mes Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet nën mandatin e Qeverisë Kurti, pasi që edhe vet Miroslav Lajcak ka thënë se zgjidhja duhet të bëhet dhe po kërkohet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, thotë Tërnava.

Ai shton se, Lajçak ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e dobëson funksionalitetin e shtetit të Kosovës, sepse po kërkohet një model që nuk kalon përtej ligjeve dhe kushtetutës.

Tërnava pohon se, në anën tjetër kryeministri i Kosovës thotë se në Kosovë nuk mund të ketë Asociacion një etnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa Vuçiq insiston në themelimin e tij.

“Me krijimin e Asociacionit të komunave serbe në suaza kushtetuese të Kosovës, kjo çështje që ishte tepër e komplikuar deri më tani, do të mundësonte që të zgjidhen të gjitha çështjet e deritashme në të ardhmen, dhe të dyja këto shtete do të ecin shpejt dhe drejtë anëtarësimit në shtete të BE-së dhe anëtarësimit në institucione ndërkombëtare sikur që janë NATO, INTERPOL, UNESKO, BE, OKB etj, dhe me anëtarësimin në shtete të BE-së, edhe standardi i qytetarëve do të ngrihet lartë që mbetet të shihet në një kohë të konsiderueshme, e që për ne sa më parë të ndodhë kjo do të ishte më e suksesshme”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat