Paralajmërimi i OKB-së për konflikt të armatosur/ Analisti tregon se kur mund të ndodhë kjo

Politika

Paralajmërimi i OKB-së për konflikt të armatosur/ Analisti tregon se kur mund të ndodhë kjo

Nga: P.Rudi Më: 2 gusht 2023 Në ora: 08:06
Policia e Kosovës

Raporti i OKB-së i cili alarmon për rrezikun e një konflikti të armatosur në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka nxitur reagimin e analistit dhe njohësit të zhvillimeve politike në vend, Gani Qarrit.

Sipas tij, është Serbia ajo që po synon nxitjen e një konflikti të armatosur, dhe se Kosova po atakohet padrejtësisht.

“Në fakt OKB, në bazë të informacioneve interne që mund të ketë, padyshim se ka të drejtë kur alarmon për rrezikun e një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë, por ajo duhet, që njëkohësisht me lajmin, edhe ta sqarojë për publikun e gjerë, se konfliktin hipotetik nuk ka pretendime ta nxisë Kosova, e cila nuk është e interesuar për kurrfarë konflikti me Serbinë dhe asnjë vend tjetër në rajon. Siç shprehej këto ditë edhe eksperti austriak Güntcher Fehlinger, është Serbia fashiste ajo, që fatkeqësisht përveç agresioneve të përsëritura ushtarake të viteve të 90-ta ndaj vendeve fqinje, duke parë se Ukraina do ta fitojë luftën kundër Rusisë, po përpiqet gjithsesi të krijojë precedent, që gjatë muajit gusht ta okupoi me forcë veriun, këtë pjesë të pandashme të shtetit tonë, deri në lumin Ibër”, shprehet Qarri për “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

Ai thotë se një konflikt i ri i armatosur në Ballkan, mund të ndodhë vetëm me miratimin e fuqive të mëdha ndërkombëtare.

“Megjithatë kur dihet se veçanërisht në politikë nuk ndodhë asgjë rastësisht dhe e paplanifikuar mirë, që më parë nga më të mëdhenjtë, edhe paralajmërimi nga OKB-ja mund të kthehet në alarm dhe bëhet real për rajonin, vetëm nëse konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e lejojnë apo edhe shtyjnë vet Fuqitë e Mëdha vendimmarrëse në OKB, përndryshe siç e dimë të gjithë, Serbia nuk është Kinë as Rusi, edhe ajo është një shtet i vogël ballkanik, e cila nuk mund t’i shpallë askujt luftë as të okupojë ushtarakisht kokë më vete territoret e vendeve fqinje, pa lejen dhe miratimin e fuqive vendimmarrëse botërore”, deklaron analisti Qarri.

Siç thotë Qarri, Serbia haptas synon pjesët territoriale të shtetit të Kosovës.

Serbia hegjemoniste, është ajo e cila edhe gati një çerek shekulli prej pavarësimit të Kosovës nga okupimi kriminal serb, përveç tensionimit të gjendjes përmes bandave të dirigjuara prej saj në veri, herë pas here grumbullon në kufi forcat ushtarake dhe vendosë ato në pozicione lufte pa asnjë arsye, duke shpreh tendenca të hapura territoriale ndaj pjesëve më vitale të Republikës së Kosovës, por asnjëherë deri më tani nuk ka guxuar t’i shkel kufijtë e Kosovës”, nënvizon Qarri.

Andaj ne si shtetas të Republikës së Kosovës dhe njohës në përmasa relativisht optimale të gjendjes në vend, nuk mund të pajtohemi apriori me konstatime të tilla të paqëndrueshme dhe krahasime të baraspeshëme ndërmjet Kosovës si viktimë dhe Serbisë hegjemoniste si agresor, vetëm pse ato i paska nxjerrë një raportues i Kombeve të Bashkuara, i cili përveç Serbisë hegjemoniste duket të jetë frymëzuar rrastë edhe nga pjesëtar të inkriminuar të opozitës së shkërmoqur, që gjatë gjithë kohës së ballafaqimit me Serbinë, më tepër mbajnë anën e Vuçiqit se sa mbështesin vendin e vet Kosovën. Për aq më tepër, Serbia ka kryer jo një, por disa ekspansione ushtarake në shumicën e ish republikave jugosllave, që nga Sllovenia deri në Kosovë, e cila jo vetëm që nuk është penduar, por ka edhe sot tendencë të hapur që pretendimet e saj territoriale, veçanërisht ndaj Kosovës, t’i realizojë me përdorimin e forcës ushtarake”, shton analisti politik, Gani Qarri.

Më tej, Qarri thekson se është pikërisht Serbia ajo e cila po mban peng trupat e shqiptarëve të pagjetur, të cilët u kidnapuan gjatë luftës në Kosovë.

“Në anën tjetër edhe ndërkombëtarët e dinë mirë, se Kosova edhe 24 vite pas përfundimit të luftës, ende nuk ka arrit që ti’ kthej as shqiptarët e kidnapuar nga Serbia, ta qojë rastin e krimeve dhe gjenocidit të shkaktuara nga forcat okupatore serbe ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë dhe as ta padisë Serbinë hegjemoniste në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Serbia është ajo që tash e mëse 25 vite, mban peng edhe mbi 1600 trupa të shqiptarëve të kidnapuar, një pjesë e të cilëve, siç dihet publikisht edhe nga ndërkombëtarët, janë marrë të gjallë nga Kosova, por që sot e atëherë nuk dihet asgjë për jetën as fatin e tyre, nuk dihet ku gjenden dhe as a ka edhe ndonjë shqiptar të gjallë, apo si dhe ku kanë përfunduar jeta e tyre. Ndaj është shumë e habitshme se si, pothuajse në asnjë raport të ndërkombëtarëve, nuk përmendet as nuk fajësohet Serbia, të paktën për këto fakte të trishta”.

“Me ngjarje të tilla nga e kaluara e dhembshme për popullin dhe vendin tonë, ende edhe sot e asaj dite të pa sqaruara deri në fund, Kosova nuk mund dhe nuk ka forcë as guxim të manipulojë. Manipulimet me to i bënë vetëm Serbia fashiste, duke ngritur edhe kriminelët e luftës në poste të larta politike e ushtarake dhe mohuar krimet e gjenocidin e shkaktuar ndaj shqiptarëve të pafajshëm, përmes propagandës dhe rritjes së pa reshtur të diskursit nacionalist, me qëllim të ringjalljes së një konflikt të ri mes Kosovës e Serbisë, për gllabërimin e veriut dhe tokave më vitale të Republikës së Kosovës”, shpjegon Qarri, i cili thotë se shteti serb në pozitat udhëheqëse i ka vendosur njerëzit që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve.

“Për aq më tepër nga Serbia, gjithmonë është vërejtur mungesa totale e ndjekjes penale të kriminelëve serb, e cila sistematikisht bënë edhe glorifikimin shtetëror të po atyre kriminelëve të dënuar për krime të luftës, përfshi edhe kasapin e Ballkanit Millosheviq, drejtpërsëdrejti nga vet presidenti serb dhe pasardhësi i tij,Vuçiq, duke i vendosur pikërisht kriminelë e luftës të dënuar edhe nga Gjykata e Hagës në pozita të larta udhëheqëse, nga qeveria aktuale serbe. Kurse sa i takon Kosovës, ndoshta mund të ndodhë vetëm ndonjë glorifikim rasti për ndonjë individ të caktuar nga ndonjë parti përkatëse, por jo nga Kosova si shtet, ngase Kosova edhe ashtu ishte viktimë e asaj lufte dhe nuk ka arritur as t’i dokumentojë mjaftueshëm vuajtjet e qytetarëve të saj, se lëre më edhe të manipulojë a glorifikojë ngjarje dhe individ të caktuar”, shprehet Qarri.

Për fund, Qarri thotë se prapa një konflikti të armatosur në Ballkan qëndron shteti rus, i ndihmuar nga miku i përhershëm, Serbia.

Rreziku për konflikt të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ekzistuar në vazhdimësi dhe do të ekzistojë edhe në të ardhmen, përderisa të mos arrihet marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke, konflikt prapa të cilit natyrisht si çdo herë do të qëndrojë Rusia. Por siç u cek edhe më lartë, konflikt të hapur e të paplanifikuar paraprakisht, pa lejen e fuqive të mëdha vendimmarrëse nuk do të ketë, edhe ai mund të ndodhë vetëm nëse vendoset të shtyhet nga fuqitë vendimmarrëse të bashkësisë ndërkombëtare, që përmes tij të krijohet aduti për ndarjen e Kosovës, të cilën kanë rënë copë duke e kërkuar edhe vet udhëheqësit e partive të inkriminuara publikisht, duke filluar nga kuislingu Thaçi në Alpbach të Austrisë dhe paguar edhe firma të huaja për ta propaganduar edhe në botë ndarjen, nga ministrja e PAN-it, me paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat