Rasti Klan Kosova, flasin analistët dhe tregojnë si duhet të veprohet

Politika

Rasti Klan Kosova, flasin analistët dhe tregojnë si duhet të veprohet

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 gusht 2023 Në ora: 10:06
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Klan Kosova - Foto ilustrim

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vendosur ta pezullojë certifikatën e biznesit të televizionit Klan Kosova.

Siç thuhet në një njoftim të ministrisë, me këtë rast ndaj televizionit është iniciuar edhe kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër. Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK”, thuhet në njoftim.

Duke folur rreth çështjes që fillimisht të hetoheshin përgjegjësit e ARBK-së që kanë lëshuar licenca me emërtime anti kushtetuese të disa bizneseve dhe nëse rasti i Klan Kosovës tregon degradimin e institucioneve të Kosovës ndër vite nga qeverisjet e kaluara, e ku viktimë po bien gazetarët kanë folur analistët politikë.

Zogaj: Tv Klani të pajiset me licensë të legjislacionit të Kosovës!

Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se para marrjes së vendimit do të duheshin të hetoheshin përgjegjësitë paraparake të dhënies së licencës.

“Mbyllja e mediave është e papranueshme, pavarësisht nga të gjitha arsyet e mundshme, sidomos kur një mjet informativ është pjesë e zhvillimeve tona për më shumë se 10-vjet dhe, ka vepruar legalisht duke qenë me ndikim të madh tek auditori i vendit! Para marrjes së vendimit për heqjen e licensës së TV Klanit, do të duhej të hetoheshin përgjegjësitë paraprake të dhënies së licensës dhe të merret qëndrim decidiv, unik dhe i përgjithshëm rreth licensave me emërime antikushtetuese, me emërtime drastike!”, deklaron Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, mbyllja nuk është zgjidhje, por duhet imponuar detyrim ligjor që televizioni të pajiset me licensë të legjislacionit të Kosovës.

“Pse është lejuar dhe kush i ka lejuar? Ata së pari duhet të japin llogari e pastaj hetimi i plotë, me procedura ligjore dhe transparencë nga fillimi e deri në fund! Jo në mënyrë selektive dhe në asnjë mënyrë të mbyllet televizioni, kur, ka mundësi për masa të tjera shumë më efikase, e adekuate dhe meritore, ndaj bizneseve të dyshimta që cenojnë Kushtetutën, e jo që manipulantët të hanë kumbullat, kurse gazetarëve t'u mpihen dhëmbët! Mbyllja nuk është zgjidhja, por duhet imponuar detyrimin ligjor që Tv Klani të pajiset me licensë të legjislacionit të Kosovës!”, thekson Zogaj.

I tërë vendimi i ministrisë është bazuar në raportimet e mediave të ditëve të fundit.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes. Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë. Andaj, për të adresuar mirëfilli përgjegjësitë, MINT ka dorëzuar në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës kallëzim penal në mënyrë që e vërteta rreth kësaj çështjeje të vërtetohet në proces gjyqësor dhe keqpërdoruesit potencial të përgjigjen para organeve të drejtësisë sipas normativave ligjore në fuqi”, thuhet tutje në vendimin e MINT.

“MINT shpreh besimin e plotë se Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, do të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim dhe pret me vëmendje maksimale dhënien dhe marrjen e veprimeve të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse. Çdo veprim i Departamentit të Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë në respekt të ligjit, është përgjigje ndaj abuzuesve dhe personave përgjegjës për ndërmarrjen e veprimet në kundërshtim me dispozitat ligjore. MINT shpreh gatishmërinë e plotë, për të mbështetur gjithë veprimtarinë e Departamentit të Krimeve të Rënda gjatë këtij hetimi dhe për të dhënë çdo shpjegim që do të vlerësohet i nevojshëm për të zbardhur të vërtetën e plotë rreth kësaj çështjeje”, thuhet në fund.

Elezaj: Është dashur të hetohej fillimit ARBK, Kampanja kundër Klan Kosovës po e dëmton imazhin e vendit

Ndërsa, analisti politik Rexhep Elezaj thotë se marrja e licencave për biznese, organizata joqeveritare, televizione dhe për çfarëdo veprimtare tjetër përfituese të lëshuara nga ARBK-ja ka qene fusha më e minuar për pazare dhe dallavare.

Ai nuk e sheh të çuditshme që procedurat e themelimit të TV-Klan Kosovës kanë pësuar permutacione juridike si dhe regjistrim jashtë Kosovës, e që shkaqet për këtë mënyrë të regjistrimit më së miri i dinë themeluesit dhe aksionarët e saj.

“Çështja e marrjes së licencave për biznese, organizata joqeveritare, televizione dhe për çfarëdo veprimtarie tjetër përfituese, të lëshuara nga ARBK-ja, ka qenë pa asnjë dyshim, fusha më e minuar me pazare dhe dallavere të llojit më korruptues në vitet e pasluftës në Kosovë, prandaj është dashur shumë më herët të hulumtohen dhe zbulohen manipulimet e shumta që janë bërë, jo vetëm në ARBK, por edhe në organizata tjera licencuese të formuara sipas interesave të tajkunëve dhe patronëve të tyre në pushtet ! Prandaj, nuk është aspak e çuditshme që procedurat e themelimit të TV-Klan Kosovës kanë pësuar permutacione juridike si dhe regjistrim jashtë Kosovës, e që shkaqet për këtë mënyrë të regjistrimit më së miri i dinë themeluesit dhe aksionarët e saj, të cilët duhet pyetur, se pse regjistrimin e kësaj shtëpie informative televizive e kanë bërë me emërime antikushtetuese dhe jashtë Kosovës. Mirëpo, ajo që duhet theksuar në rastin e marrjes përkohësisht të licencës së punës të TV-Klan Kosova nga ana e Ministrisë përkatëse, është fakti, pse ky veprim i qeverisë së Kosovës nuk është marrë shumë më përpara, por pikërisht në kohën kur Kosova ballafaqohej me situatën e rëndë në veri të Kosovës, pse organet përgjegjëse kanë heshtur deri më tash, kur me siguri kanë pasur informata se regjistrimi dhe marrja e licencës për punë e TV-Klan Kosova nuk paskësh qenë në harmoni me ligjet e Kosovës, etj”, nënvizon Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, kampanja ndaj televizionit që po vazhdon të bëhet alarmuese nga qarqe militante partiake si dhe disa udhëheqës politik në qeverinë e Kosovës, pa marrë parasysh shkeljen eventuale të procedurave të regjistrimit dhe marrjes së licencës për punë, po e dëmton me të madhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Pse është heshtur deri më tani, kur kjo çështje ka një muaj e më shumë që është bërë tema numër një politike në Kosovë, me vet faktin, sepse kemi të bëjmë me një shtëpi dhe organizatë mediale të cilës i janë dhënë frekfenca legale për emetim të lajmeve dhe programeve televizive, krejtësisht në harmoni me aspiratat e popullit shqiptar që në Kosovën e lirë dhe të pavarur për herë të parë të mund t’i gëzojnë dhe dëgjojnë të lirë televizionet nacionale në gjuhën shqipe. Mjerisht, e gjithë kjo kampanjë ndaj TV-Klan Kosovës e cila po vazhdon të bëhet alarmuese nga qarqe militante partiake si dhe disa udhëheqës politik në qeverinë e Kosovës, pa marrë parasysh shkeljen eventuale të procedurave të regjistrimit dhe marrjes së licencës për punë, po e dëmton me të madhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, meqë bëhet fjalë për tendencën e mbylljes së një medie të lirë, ku në mënyrë flagrante do cenohej fjala dhe mendimi i lirë në Kosovë, siç po e tregojnë këtë me dhjetëra reagime në qarqet mediatike në Evropë, SHBA dhe më gjerë. Natyrisht, se një cenim dhe kufizim i lirisë së mediave dhe mendimit ndryshe në Kosovë, në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodhë, ngase është pikërisht populli shqiptar i Kosovës, ai të cilit me dekada i është mohuar, shkelur dhe përdhunuar fjala, mendimi dhe deklarimi i lirë në ish Jugosllavi si dhe gjatë kohës së apart-hejdit serb në Kosovë gjatë viteve 1989/99. Në Kosovë nuk duhet të mbyllet asnjë medium i shkruar, vizual apo portal në internet, përderisa ato nuk e cenojnë dhe rrezikojnë sigurinë nacionale dhe kauzën tonë kombëtare, ngase parregullsitë eventuale në procedurën e regjistrimit, nuk mund të merren si shkak serioz për marrjen e licencës ose mbylljen eventuale të cilitdo medium informativ në Kosovë”, përfundon Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat