Alarmi i kuq nga OKB/ Ballkani në rrezik lufte – Ky është qëllimi kryesor i Serbisë

Politika

Alarmi i kuq nga OKB/ Ballkani në rrezik lufte – Ky është qëllimi kryesor i Serbisë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 2 gusht 2023 Në ora: 11:03
Pamje nga tensionet e fundit në veri të Kosovës

Duke parë tensionet e krijuara së fundi, Kombet e Bashkuara kanë alarmuar për rrezikun që vjen nga një konflikt i ri mes Kosovës dhe Serbisë.

“Raportuesi special është i alarmuar me përdorimin e vazhdueshëm në Kosovë dhe Serbi të narracioneve etnocentrike, nacionaliste, të njëanshme ose jo të plota për konfliktin, në politikë, media, kulturë dhe arsim. Manipulimi i ngjarjeve të së kaluarës dhe përforcimi i njëkohshëm i ndjenjave nacionaliste dhe etnike për arsye politike, edhe nëse duket se siguron përfitim politik jetëshkurtër për mbështetësit dhe autorët e tij, nuk është vetëm i paligjshëm dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, por edhe i afatshkurtër”, shkruan në raportin e OKB-së.

“Këto pamje, të pahijshme dhe mbi të gjitha aktet e papërgjegjësisë publike mund të çojnë në përsëritjen e dhunës nga e kaluara”, thuhet ndër tjerash në konstatimin që ka nxjerrë këtë muaj një raportues special i Kombeve të Bashkuara, pas vizitave në Kosovë e Serbi.

Qëllimet e Serbisë

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, raporti i OKB-së është sinjal që duhet të merret seriozisht.

Image
Gurakuç Kuçi

“Raporti i OKB-së është një paralajmërim i rëndësishëm që duhet të merret shumë seriozisht, megjithatë, për fat të keq, është shumë i vonuar. Situata në terren po bëhet gjithnjë e më e kërcënueshme dhe e rrezikshme për shkak të devijimeve në luftë, sidomos për shkak të fillimit të humbjes së sovranitetit të Serbisë në veri të Kosovës. Edhe më keq është gradualizmi me të cilin po humbet tregun eksportues Serbia për në Kosovë”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, këto sfida e kanë bërë dialogun shumë më të vështirë.

“Në marrëveshjet ndërkombëtare, pyetja kush ka sovranitetin de facto në atë zonë legjitimohet nga ndërkombëtarët ashtu siç kanë bërë në Bosnjë me Republika Serpskan. Ndërkaq, ndryshimi gradual i realitetit atje po i shkakton edhe më shumë vështirësi Serbisë e cila nuk ngurroi të përdorë edhe dhunë. Frymëzimin për eskalim si duket Serbia e rriti në masë të madhe nga “politika e paqëtimit” e ndjekur nga Perëndimi ndaj saj”, nënvizon Kuçi.

Ai thotë se Serbia po synon haptas krijimin e një Republike Serpska në Kosovë.

“Në këtë kontekst, duket se Serbia do të tentojë krijimin e një Republike Serpska në Kosovë përmes një strategjie lufte “Blitzkreig” dhe lufte hibride, ose do të ndjekë modelin e krijimit të një asociacioni të ngjashëm me Krajninën në Kroaci nëse e humbë luftën. Kjo do të jetë një situatë shumë e kompleksuar dhe e rrezikshme”, thekson Kuçi.

“Më shumë se kurrë, ky konflikt nuk do të jetë një luftë vetëm midis Kosovës dhe Serbisë, por do të përfshihet edhe NATO, që ka trupa të saj paqeruajtëse në Kosovë. Kjo rrit edhe më tepër kompleksitetin dhe rrezikshmërinë e gjendjes”, shton doktor Kuçi.

Për fund, Kuçi shprehet se tani është momenti kur duhet vepruar dhe marrë masa efektive për të parandaluar eskalimin e konfliktit.

“Në këto kushte, zgjidhja e përgjithshme mbetet e pamundur nëse nuk arrihet një memorandum për zbutje të tensioneve dhe rikthim të dialogut midis palëve në një nivel të barabartë, pa tendenca për bosnjëzim nga ana e Serbisë ndaj Kosovës. Ky është momenti kur duhet vepruar dhe marrë masa efektive për të parandaluar eskalimin e konfliktit dhe për të gjetur një rrugëdalje të qëndrueshme dhe paqësore për të ardhmen e rajonit. Nevojitet bashkëpunim dhe angazhim i përbashkët i të gjithë aktorëve ndërkombëtarë për të arritur këtë qëllim, duke u fokusuar në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve të përfshira”, deklaron doktori i marrëdhnieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Ballkani në rrezik

Image
Drizan Shala

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala shprehet se situata politike në Ballkan, është dëshmi se ekziston rreziku real për një konflikt të armatosur.

“Nga situata politike në Kosovë, Mali të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë, mund të thuhet që potenciali ekziston që situata të marrë përmasa më të larta deri të një konflikt i armatosur, meqë kemi involvim të elementeve ruse përmes luftës hibride. Kosova ka dëshmuar që nga shtatori 2021 me vendimin politik, është rritur potenciali që Serbia të rrit apetitet e saja që përmes Kosovës dhe konfliktit në veri të mund ndërhyjë në vendet tjera të rajonit. Kosova dhe institucionet e saja duhet të marrin veprime adekuate në fushën diplomatike dhe sigurisë, që të përgatitet për ndryshimet eventuale brenda krizës politike shtetërore të Serbisë që mund të afektojë sigurinë e brendshme të Kosovës”, thotë Shala.

Shala nuk përjashton edhe vendet tjera të Ballkanit në rast të një konflikti të armatosur.

Në anën tjetër problematika është edhe me e theksuar në Maqedoni të Veriut, ku tani kemi një lloj koalicioni "Maqedon" kundër pjesës së shqiptarëve, ku potenciali për prishje të balancit etnik ekziston në shkallë të lartë në mes palëve. Mali i Zi si shtet me i afërt për të hyrë në BE dhe si partner tejet strategjik, mund të thuhet që politika në këtë vend është duke rrëshqitur në drejtim të një "riunioni" ekonomiko-politik më Serbinë, bazuar në rezultatet aktuale të prodhuar nga zgjedhjet e fundit nacionale”, shton Shala.

“Por si strehë të fort kemi BiH ( R.Serbe ) e cila tani botërisht e sheh Rusinë si aleat të saj në mbrojtjen e interesave të këtij formacioni politik kriminal Millorad Dodik, dhe kjo e vë në pozitë të favorshme që makinacionet e caktuara të mund të manovrojnë duke shfrytëzuar këtë hapësirë përmes strukturave para shtetërore të Serbisë dhe Rusisë. Problemi dhe rreziku është faktik dhe real që Ballkani Perëndimor do të duhej të jetë i kujdesshëm në mënyrën e pozicionimit dhe qëndrimit me të ardhmen e shteteve anëtare të konceptit pro perëndimor”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat