“Lajçak nuk dëshiron marrëveshje finale”/ Analistët zbulojnë skenarin e 14 shtatorit – ky është paralajmërimi!

Politika

“Lajçak nuk dëshiron marrëveshje finale”/ Analistët zbulojnë skenarin e 14 shtatorit – ky është paralajmërimi!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 shtator 2023 Në ora: 17:04
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 14 shtator.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar për agjendën e tij gjatë kësaj jave.

Ndër të tjerash ai foli edhe për Forumin e Bledit, ku aty e ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

E me Kurtin, Lajçak ka folur për takimin e nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi, në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Po ashtu, Lajçak me Kurtin dhe Vuçiqin ka biseduar edhe për situatën në Veriun e Kosovës, gjë për të cilën ka një marrëveshje në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për hapat e deeskalimit atje, duke përfshirë edhe hapjen e mundësisë për zgjedhjet e reja lokale në katër komunat veriore.

Pikërisht për këtë çështje ka shkruar Lajçak, duke thënë se të dyja palët duhet të zbatojnë detyrimet e tyre.

“Në Bled jam takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Folëm për përgatitjet për Takimin e radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë në shtator, me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të datës 3 qershor. Unë gjithashtu ngrita shqetësimet e mia për situatën në veri të Kosovës. Nga Bled, fluturova për në Beograd, ku u takova me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Folëm në detaje për përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak ndër të tjera.

Mirëpo kjo përmbledhje a mund të jetë një paralajmërim për një marrëveshje finale mes dy vendeve?

Mehazi: Lajçaku nuk është për një marrëveshje finale në mes Kosovës e Serbisë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Ai u shpreh se Lajçak ka në vazhdimsi fraza të zbrazura dhe aspak serioze.

Sipas tij, këto deklarata të tij nuk japin sinjale serioze të Kurtit me Vuçiqin në Bruksel.

“Përmbledhja apo koncepti javor i të dërguarit evropian, Miroslav Lajçakut, në lidhje me takimin e radhës së dialogut Kurti-Vuçiq, më 14 shtator, janë fraza të zbrazura politike e diplomatike e kurrsesi serioze, më shumë janë fjalë prozaike sesa diplomatike, Lajçaku në përmbledhjen javore thotë se: "Në Bled u takova me Kurtin e më vonë fluturova në Beograd e u takova me Vuçiqin" janë fjalë të Lajçakut që nuk japin sinjale të një takimi serioz të Kurtit me Vuçiqin në Bruksel. Se agjenda e takimit për Lajçakun paskësha një marrëveshje në mes Kosovës dhe BE-së, (ndonëse gjithë opinioni është i njohur që më parë) se do bisedohet për deeskalimin e situatës në veri, poashtu do bisedohet për zgjedhjet lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”, u shpreh ai.

Image
Sulejman Mehazi

Profesori më tej, thekson që Lajçak vetëm po e shfrytëzon BE-në dhe po i zgjatë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai shtoi që Lajçaku nuk është për një marrëveshje finale në mes Kosovës e Serbisë.

“Të gjitha këto janë llafe për të realizuar eurot e majme të Lajçakut nga BE-ja që sa më shumë takime të ketë në mes Kurtit dhe Vuçiqit aq më shumë Lajçaku të ketë arsyetime për të gllabëruar e pasuruar nga ky projekt mallkues i dialogut në mes Kurtit e Vuçiqit. Sa më shumë përfaqësuesi i BE-së, Lajçaku, të zgjatë dialogun aq më shumë të paguhet nga BE-ja. Qëllimi i Lajçakut nuk është përfundimi i dialogut Kosovë-Serbi, por zgjatja e takimeve për të plaçkitur BE-në me anë të projektit evropian të dialogut Kosovë-Serbi. Levërdia e Lajçakut mund të krahasohet me levërdinë e gjyqtarëve që sa më shumë të zgjasin proceset gjyqësore aq më shumë levërdi për gjykatësit, po dhe Lajçakut. Shihet e vërehet hapur se përfaqësuesi i BE-së, Lajçaku nuk është për një marrëveshje finale në mes Kosovës e Serbisë, por për një marrëveshje kontradiktore zëniesh në mes Kurtit dhe Vuçiqit. Për Lajçakut sa më shumë zënie në mes Kurtit dhe Vuçiqit aq më mirë për te, sa më shumë mosmarrëveshje në mes Vuçiqit dhe Kurtit aq më shumë euro nga BE-ja në konton e Lajçakut”, nënvizoi Mehazi për “Bota sot”.

Mulliqi: Ka indikacione së kësaj radhe tehu i kritikave për të qenë dialogu i barabartë, do të bie mbi Serbinë

Ndërsa analisti tjetër politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që presioni në bisedime gjithmonë ka qenë ndaj Kosovës, derisa Serbia në vazhdimsi ka shkelur marrëveshjet.

“Mendohet se dialogu duhet të vazhdojë, për shkak të zotimeve dy palëshe që të zbatojnë marrveshjen e Ohrit. Por, zotimet pa zbatim nuk kanë ndonjë vlerë.Po e them këtë për faktin se Serbia është ajo e cila nuk po e mbanë fjalën, siç nuk e mbajti për shumë marrëveshje të firmosura.BE-ja dhe Amerika po kërkojnë zbatim të ankesit të marrëveshjes të Ohrit, të planit franco-gjerman, por deri më tash nuk i bën presion Vuçiqit. Dihet gjithashtu se janë firmosur marrëveshje ku Serbia mos të lobon kundër Kosovës, edhe kur bëhet fjalë për njohjet e reja. Por, përkundër të gjitha këtyre marrëveshjeve presidenti i Serbisë, gjithmonë veprojë siç deshiroj vet.Madje, ky paralelisht më procesin e dialogut, po vepron në terren, duke i instrulmentalizuar bandat serbe që më akte të dhunës të ndajnë Kosovën mbi baza etnike”, shpjegon analisti.

Image
Skënder Mulliqi

Ai në fund, thotë që kritikat në këtë takim duhet të bien ndaj Serbisë, pasi një marrëveshje finale duket larg të ndodhë përderisa kemi një qasje të tillë nga ndërkombëtarët për Kosovën.

“Ka indikacione së kësaj radhe tehu i kritikave për të qenë dialogu i barabartë, do të bie mbi Serbinë. BE-ja bëhet sikur ka harruar se Serbia është ajo që ka shkaktuar gjenocid në luftën e fundit, dhe asnjë nga pushtetet e pas luftës në Serbi, nuk kanë bërë një kërkim falje, dhe as që ju ka shku ndërmend të njohin shtetin e Kosovës. Serbisë nuk ju vu asnjë kusht për zhvillimin e dialogut për normalizim të marrdhënieve, dhe natyrisht se ky shtet , kurrë nuk i ndali apetitet në synimin për zhbërjes e shtetit të Kosovës.Është koha e fundit të shohim situatë krejtë më ndryshe në dialog nga BE-ja dhe Amerika, në takimin e 14 shtatorit në Bruksel. Me duket, se nuk është afër arritja e marrveshjes finale më Serbinë, pa një qasje shumë më pozitive të BE-së rreth procesit të dialogut .Lajçakut nuk mund t’i ndalohet një paralajmërim i tillë, por jo duke e favorizuar si deri më tash Serbinë në dialog”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat