A mund të hiqen sanksionet pas takimit Kurti-Vuçiq/ Analisti “zbulon” prapaskenat!

Politika

A mund të hiqen sanksionet pas takimit Kurti-Vuçiq/ Analisti “zbulon” prapaskenat!

Nga: Q.R Më: 6 shtator 2023 Në ora: 22:23
Kosova-BE

Analisti politik, Rexhep Elezaj, vlerëson se takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili do të zhvillohet me 14 shtator, nuk do të ketë ndonjë dakordim për stabilizimin e situatës në veri.

Sipas tij, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, do të largohen vetëm atëherë kur do të eliminohen shkaqet e vendosjes së tyre.

“Masat ndëshkuese të BE-së të vendosura ndaj Kosovës para gati dy muajve, të shpresojmë se do hiqen pasi që të jenë eliminuar shkaqet e vendosjes së tyre, në rend të parë, plotësimi i tre kërkesave të BE-së drejtuar qeverisë së Kosovës për shtensionim të situatës në veri pas trazirave në fund të muajit maj dhe fillim të qershorit, por edhe për shkak të qëndrimit mospajtues të SHBA dhe BE-së për dërgimin e tre kryetarëve shqiptar në tri komunat veriore me përcjellje të policisë së Kosovës, duke e kritikuar kryeministrin Kurti për mos-koordinim me shtetet QUINT-it për aksionin në fjalë”, deklaron ai.

Image
Rexhep Elezaj

Derisa flet për masat ndëshkuese, ai potencon se Serbia po vazhdon të manipulojë ShBA-të dhe BE-në, për interesa të saj.

“Unë, nuk besoj se pas takimit Kurti-Vuçiq, i cili do mbahet me 14 të këtij muaji në Bruksel, do vije deri tek ndonjë dakordim midis dy palëve për stabilizimin e situatës në veri, ose tek ndonjë hap përafrues, ngase është ekskluzivisht pala serbe, alias personalisht Aleksandar Vuçiq, ai i cili qëkur ka filluar dialogu Kosovë-Serbi, ka manipuluar me BE-në dhe SHBA-të në mënyrën tipike serbe, herë duke i kërcënuar ndërkombëtarët me destabilizimin e situatës në veri, siç ishin bllokadat e rrugëve, sulmet e grupeve kriminale ndaj policisë së Kosovës, kidnapimi para disa javësh i tre policëve tanë, pastaj protestat e dhunshme të serbëve lokalë ndaj ushtarëve të KFOR-it, si dhe duke e zhvendosur disa herë ushtrinë e Serbisë në kufijtë e Kosovës, dhe, herë duke e pranuar Planin e ri të BE-së (franko-gjerman) për Kosovën në Bruksel dhe Ohër, plan të cilin të nesërmen në konferencë për media e refuzonte gati në tërësi”, deklaron ai për Botasot.

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet me 14 shtator, ka njoftuar në një konferencë për shtyp në Spanjë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj - nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Ndryshe, më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

Gjatë konferencës së tij, Borrell ka njoftuar se së bashku me presidencën spanjolle të BE-së do të mbajë një konferencë të përbashkët në nivel të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perendimor për të analizuar situatën në rajon. Ai shtoi se kjo do të bëhet krahas takimeve tjera që do të zhvillohen, siç është samiti i Procesit të Berlinit.

“Çështja e zgjerimit ka qenë në diskutimet tona. Kemi diskutuar për Ukrainën dhe për zgjerimin drejt Ballkanit perëndimor . Do të mbetet proces i zbatuar në meritat individuale”, ka thënë ai duke shtuar se edhe për BE-ja ka nevojë të përgatitet për zgjerim.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka propozuar këtë javë që viti 2030 të caktohet si afati deri kur edhe Bashkimi Evropian, edhe vendet kandidate duhet të jenë të gatshme për zgjerim.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri i ka bërë këto komente në një konferencë për shtyp pas takimit joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Toledo të Spanjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat