Njohësit e politikës: Kryetarët në veri të japin dorëheqje – Presioni ndërkombëtarë do të bie mbi Serbinë

Politika

Njohësit e politikës: Kryetarët në veri të japin dorëheqje – Presioni ndërkombëtarë do të bie mbi Serbinë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 7 shtator 2023 Në ora: 20:00
Një grua duke votuar në një qendër votimi në pjesën veriore të Kosovës më 17 tetor 2021.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 në katër komunat e veriut të Kosovës edhe pse ishin legjitime, u pranuan edhe nga ndërkombëtarët, ato nuk u pranuan duke u bojkotuar nga popullata serbe.

Madje, nga pakënaqësitë pati tensione në veri, me sulme e persona të lënduar, ku pjesë e të lënduarve rëndë ishin edhe pjesëtarë të KFOR-it, të cilët kanë mision ruajtjen e paqes në Kosovë.

Pas pak kohësh dhe presionit të madh po ashtu edhe masave të BE-së të vendosura ndaj Kosovës, kryeministri Albin Kurti, u “tërhoq”, duke bërë me dije se zgjedhjet në atë pjesë duhet të rishpallen përsëri dhe të mbahen në vjeshtë.

Kryeministri Albin Kurti duke folur për zgjedhjet tha se po punojmë në këtë drejtim me ndërkombëtarët për ta bërë të mundur këtë.

"Shpresoj se ata do të ndryshojnë mendje. Ne po punojmë me komunitetin ndërkombëtar për ta bërë të mundur këtë. Unë jam duke punuar shumë dhe duke përgatitur gjithçka që zgjedhjet në veri të mbahen këtë vjeshtë”, u shpreh Kurti.

Kurse, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ditë më parë ka publikuar udhëzimin administrativ që u mundëson qytetarëve që përmes një peticioni të largojnë kryetarët e komunave.

Ky udhëzim u hartua në kuadër të hapave që ekzekutivi i Kosovës po ndërmerr për shtensionimin e plotë të situatës në veri të Kosovës.

Derisa, nga ana tjetër ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se një udhëzim administrativ i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për largimin e kryetarëve të komunave nga funksioni, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Koci: Gjasat për mbajtjen e zgjedhjeve këtë vjeshtë në veri janë minimale

Image
Analisti Melazim Koci

Analisti Melazim Koci në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë se serbët nuk janë të interesuar për zgjedhje, ata duan që këtë çështje ta zvarrisin përmes Asociacionit.

“Gjasat për mbajtjen e zgjedhjeve këtë vjeshtë në veri janë minimale. Serbët nuk janë të interesuar as për zgjedhje as për jetësim të Marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit. Ata duan që kjo gjendje e tashme në veri të zgjatë sa më shumë. Ata presin vitin (2024) zgjedhor në Amerikë, kur angazhimi i Uashingtonit në temat e politikës së jashtme zbehet. Rrjedhimisht ata do të bëjnë çmos që kjo çështje të zhagitet, qoftë përmes kërkesës për krijim të Asociacionit ose përmes bojkotimit të nënshkrimit të peticionit për shkarkim të kryetarëve”, shprehet ai.

Kurse, për Qeverinë e Kosovës, Koci thotë se më mirë do të ishte nëse kryetarët dorëhiqen, duke shtuar se nëse serbët bojkotojnë zgjedhjet, atëherë presioni do të binte mbi Serbinë.

"Qeveria e Kosovës do të kishte bërë më mirë nëse do të kishte zgjedhur dorëheqjen e kryetarëve dhe jo peticionin. Edhe në rast të dorëheqjeve serbët do të bojkotonin daljen në zgjedhje, por presioni ndërkombëtar do të binte mbi Beogradin dhe do të shihej më qartë se është Serbia ajo që minon Marrëveshjen franko - gjermane. Në rastin e dorëheqjeve, Bashkimi Evropian nuk do të kishte asnjë arsye që të mbante masat/sanksionet ndaj Kosovës.

Druaj se peticioni nuk do të jetë i mjaftueshëm për të hequr masat/sanksionet ndaj Kosovës”, përfundoi ai.

Burjani: Nëse nuk ka pajtueshmëri duhet të shkohet vetëm me dorëheqjet e kryetarëve

Juristi Blerim Burjani sqaron, se për këtë duhet të ketë pajtueshmëri, dhe nëse nuk ka kryetarët duhet të dorëhiqen.

Derisa, për zgjedhjet thotë se ato duhet të organizohen siç është afati brenda 30 ditëve.

Image
Juristi Blerim Burjani

"Para se të ndodhë diçka e re në këtë drejtim së pari duhet të dihet qartë se a do të pranojnë serbët lokal të nënshkruajnë peticionin, pra 20 % , pastaj të ecet përpara. Andaj në Bruksel duhet të flitet dhe të ketë pajtueshmëri, nëse nuk ka atëherë duhet të shkohet vetëm me dorëheqjet e tyre, nëse nuk ndodh obstruksioni do të kete zgjedhje.

Zgjedhjet teknikisht organizohen brenda 30 ditëve, sa i përket udhëzimit sa është i ligjshëm është neni 72 për peticionin se a është i ligjshëm peticioni, i cili derivon nga ligji për vet-qeverisje lokale”, shpjegon Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat