U prish “strofulli i krimit”/ Alarm për trazira e rrezik sigurie në veri të Kosovës

Politika

U prish “strofulli i krimit”/ Alarm për trazira e rrezik sigurie në veri të Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 shtator 2023 Në ora: 10:12
Veriu

Policia e Kosovës të martën ka zhvilluar një bastisje në një bazë të armatimit në Zveçan.

Sipas ministrit Xhelal Sveçla, kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se të martën e pesë shtatorit, Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan.

Sipas ministrit të këtij dikasteri, kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

“Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv”, ka shkruar ai.

Sveçla ka theksuar se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.

“Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cenohet në asnjë cep të Republikës”.

Ndërsa, Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se policia ka arritur të gjeje katër pushkë automatike, karikatorë, eksploziv, granata dore, municion dhe gjëra të tjera.

Ai tha se në mesin e armëve dhe municionit që është gjetur, kishte edhe kallashnikov dhe municion 5X56, që siç theksoi ai është kalibër i NATO-s.

“Policia e Kosovës pas pranimit të një informate nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, ka zhvilluar një bastisje në ‘Korile e poshtme’ këtu në Zveçan, me ç’ rast gjatë bastisjes kemi hasur në armë dhe municion të cilin ju e patë. Aty janë gjetur katër pushkë automatike, karikatorë, eksploziv, granata dore, municion dhe gjëra të tjera. Policia e Kosovës vazhdon të jetë e dedikuar për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike në mbarë territorin e Kosovës dhe në veçanti në veriun e saj…

Duke marrë parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve, atëherë del se ky vend ka mundësi të jetë edhe depo. Ne nuk kemi të arrestuar për momentin, por kemi persona të dyshimtë. Në mesin e armëve dhe municionit që ju i patë kishte edhe kallashnikov dhe municion 5X56, që i bie kalibër i NATO-s, e që është një rast interesant për t’u hetuar… Në pjesën veriore të Kosovës situate është e qetë, stabile, por delikate, duke marrë parasysh edhe zhvillimet politike të cilat po zhvillohen në vend”, ka thënë Elshani.

Burjani: Një forcë paramilitare që mund të rrezikojë paqen sigurinë

Image
Blerim Burjani

Analistët politikë thonë se aksione të tilla janë tregues për praninë e një force paramilitare. Sipas tyre, qeveria e Kosovës po lufton bandat në veri dhe ky është lajm shumë pozitiv për vendin.

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se KFOR-i dhe policia speciale e Kosovës duhet të koordinohen për të monitoruar forcën paramilitare.

“Ky është tregues se ekziston një forcë paramilitare që mund të rrezikojë paqen, sigurinë dhe individët e qytetarët jo serbë. KFOR dh Policia Speciale e Kosovës duhet të koordinohen për të monitoruar gjendjen dhe për të marrë masa sipas vlerësimit të mund të binë organet”, shprehet Burjani.

Sipas tij, në veri të Kosovës mund të ketë trazira dhe rrezik për sigurinë.

“Gjendja nuk është stabile dhe janë paralajmërime që mund të ketë trazira, dhe rrezik për sigurinë individuale, dhe banorëve jo serbë, duhet të marrin masa sigurie se mund të ketë hyrje armatimi nga Serbia në mënyre ilegale”, shton Burjani.

Mehmeti: E habitshme heshtja e opozitës për kërcënimin e Sveçlës

Image
Faton Mehmeti

Në anën tjetër, pas zbulimit të sasisë së armatimit, është kërcënuar ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe më vonë edhe kryeministri Albin Kurti.

Profili i organizatës “Severna Brigada” kanë kërcënuar hapur Sveçlën duke i shkruar publikisht në Facebook se “Unë personalisht do të të dënoj (likuidoj), vetëm momenti pritet”.

Ndërsa, në mbrëmje profili i kësaj organizate ka shpërndarë në Facebook një fotografi të një arme të llojit “snajper”, sipër se cilës kanë shkruar “Kurti, kështu kemi me tonelata”.

Analisti politik, Faton Mehmeti, konsideron të habitshëm faktin që pas këtyre kërcënimeve nuk reagoi as opozita dhe as BE.

“E habitshme është se pas këtyre kërcënime nuk reagoi as opozita dhe as BE, mbase po pajtohen me veprimet e bandave atje, ndryshe nuk shpjegohet kjo heshtje. Duhet thënë se qeveria të luftojë deri në fund këto banda, t'i shpartallojë ato si hapi i parë në integrimin e veriut brenda strukturave të Kosovës”, shprehet Mehmeti.

Ai shton se kërcënimet vijnë pasi organizatave kriminale i prishet “strofulli i krimit”.

“Natyrisht se organizatat kriminale në veri e kërcënojnë z.Sveçla, po ua prish strofullin e krimit dhe pasurimit. E kuptueshme, kjo vetëm sa dëshmon se qeveria po lufton bandat më veri, lajm shumë pozitiv për vendin”, deklaron Mehmeti.

Aksioni në veri të Kosovës është realizuar në prezencë të KFOR-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat