Dy aksione brenda javës në veri të Kosovës, eksperti tregon çka mund të pritet pas tyre

Politika

Dy aksione brenda javës në veri të Kosovës, eksperti tregon çka mund të pritet pas tyre

Nga: Naile Ejupi Më: 8 shtator 2023 Në ora: 15:55
Policia

Aksione e policisë së Kosovës në veri të vendit nuk janë duke “u ndalur”.

Të premten njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka zhvilluar një aksion në Zubin Potok.

Pjesëtarët e njësisë speciale të policisë po kryejnë bastisje në fabrikën “Lola” në Zubin Potok.

Bastisja ka filluar në orën 10:00. Dyshimet e para, por ende të pakonfirmuara zyrtarisht, thonë se bëhet fjalë për një aksion kundër kontrabandimit të armëve.

Mediumi lokal serb në veri, Kosovo-online raporton se më shumë se 50 pjesëtarë të njësisë speciale hynë brenda godinës së fabrikës.

Sipas Kosovo-Online, në fabrikë nuk kishte njeri në momentin e bastisjes nga policia.

Ky është aksioni i dytë në veri për këtë javë. Të martën, policia ka zbuluar një shtëpi me armatim në Zveçan, aksion ky i realizuar në koordinim me KFRO-in.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se qeveria e Kosovës po e dëshmon në praktikë që po e ushtron sovranitetin kushtetues në ato pjesë të vendit.

“Policia e Kosovës në tërë territorin e saj i ka kompetencat e saja që t’i përdor autorizimet e saja të jetësimeve të kushtetushmërisë dhe ligjeve të Kosovës. Duke e pasur parasysh këto rrethana policia sidomos në këto kohë kur në ato pjesë të veriut situata është e tensionuar me konflikte nacionaliste serbe, që në ato pjesë jetojnë si shumicë serbët, që në ato pjesë deri me qeverisjen e qeveris Kurti nuk është shtri sovraniteti i plotë i Kosovës, tani me ardhjen e kësaj qeverie në pushtet, kjo qeveri po e dëshmon edhe në praktike se gjithsesi edhe në ato pjesë e ka shtri sovranitetin e saj kushtetuese. Ky fakt është një ndër shkaqet që grupet kriminale serbe do ta kenë reagimin e tyre negativ nacionalist, por duhet ta kemi parasysh se sovranitetin e Kosovës në ato pjesë e garanton KFOR-i që është pjesë përbërëse e NATO-së, dhe të gjitha zhvillimet që ndodhin në ato pjesë, ata janë të njoftuar dhe kanë fakte për ato ndodhi”, shprehet Tërnava.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Sipas tij, në të kaluarën nuk ka pasur këso aksione efikase, pasi mund të kenë pasur ndikim grupet serbe të urdhëruara nga të mëdhenj.

“Policia e Kosovës të martën ka zbuluar një sasi të madhe të armatimit në veri të Kosovës, me konkretisht në Zveçan, që do të thotë edhe që policia e Kosovës tani në kryerjen detyrave të përditshme në ato pjesë po arrin që të është efektive dhe ta zbulojë atë sasi të madhe të armatimit, kurse policia serbe kosovare që ishte më parë në ato pjesë të veriut, nuk ka qenë ashtu efektive në ato pjesë, që do të thotë se ekzistojnë dyshime se në ato kohë policia nuk ka qenë ashtu efikase, sepse mund të ketë qenë nën ndikimin e disa grupeve serbe të urdhëruara nga të mëdhenj e Serbisë, dhe si dëshmi e kësaj çfarë u tha, është se ajo ish polici e pjesëtarëve serbë, kur u urdhërua nga udhëheqësit serbë që ta lëshojnë punën e tyre, ata vepruan ashtu, dhe MPB e Kosovës iu desht t’i plotësojë ato vende të punës me policë shqiptar, që tani po i kryejnë detyrat e tyre ligjore dhe po janë shumë më efikas në luftimin e krimeve në përgjithësi”, deklaron eksperti.

Zbulimi në Zveçan, sipas Tërnavës, mund t’i acarojë marrëdhëniet mes popullatës serbe dhe shqiptare.

“Gjithsesi se tani ky zbulim i policisë të Kosovës, mund t’i acarojë marrëdhëniet mes popullatës serbe dhe shqiptare, edhe që popullata serbe e ka kuptuar realitetin e të vërtetës në ato pjesë dhe si nxitës i të gjitha situatave për eskalim të situatës është fajtore Serbia. Marrë në tërësi këto ndodhi dhe sjelljet e shteteve tjera ndaj Serbisë, me ato sjellje ledhatuese ndaj saj, tani politikat ndërkombëtare me shtetet e BE dhe NATO duhen të jenë më rigoroze dhe konkrete ndaj Serbisë, për qëllimet e arritjes së paqes në këto pjesë të Evropës, sepse edhe ato ledhatime të deritashme ndaj Serbisë nuk i dhanë ato fryte-efekte për të cilat është pritur”, përfundon Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat