Sondazhet mund ta ‘tmerrojnë’ opozitën, LVV në avantazh të madh – analisti zbërthen skenarin për ‘zgjedhjet e parakohshme’

Politika

Sondazhet mund ta ‘tmerrojnë’ opozitën, LVV në avantazh të madh – analisti zbërthen skenarin për ‘zgjedhjet e parakohshme’

Nga: A.M. Më: 8 shtator 2023 Në ora: 20:00
Foto ilustrim - Bota sot

Së fundi, janë shtuar zërat për zgjedhje të parakohshme, kjo pas kritikave të ashpra dhe paralajmërimeve të opozitës për rrëzim të qeverisë Kurti.

Madje, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se është pro shkuarjes në zgjedhje, mirëpo sipas tij, që kjo të bëhet në mënyrë kushtetuese.

Ai tha se nëse opozita i siguron numrat për mocion do të ishte më e shëndetshme që vendi të shkojë në zgjedhje, por sipas tij, lufta do të jetë për vendin e dytë dhe jo për të parin.

Opinionisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” komentoi mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Ai u shpreh se opozita nuk mund ta rrëzojë qeverinë Kurti, pasi nuk ka vota të mjaftueshme për mocion mosbesimi.

“Së pari, aktualisht opozita nuk mund t’i siguron numrat e mjaftuar të deputetëve të cilët do mund ta ngritnin mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë “Kurti”, mbase një iniciativë të tillë ka kohë që e ka filluar AAK-ja me Ramush Haradinajn, por i cili ka deklaruar vetë para ca kohësh, se nuk po mund t’i siguron numrat prej 41 deputetëve, meqë LDK-ja ka dalë hapur me qëndrimin, se ajo nuk është për rrëzimin e qeverisë në rrethanat aktuale që po kalon Kosova”, deklaroi ai.

Sipas Elezajt, qeveria mund të rrëzohet nëse deputetë brenda LVV votojnë pro mocionit të mosbesimit, megjithëse vështirë se mund të ndodhë një gjë e tillë.

Image
Opinionisti Rexhep Elezaj

“Pra, opsioni i vetëm mbetet nëse disa deputetë të partisë në pushtet, LVV-së i bashkohen mocionit, që i bie se në rast të tillë LVV dëshiron ta rrëzojnë vetveten!

Përndryshe, numrin e nevojshëm të deputetëve për ngritjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë nuk mund ta bëjnë të vetme AAK-ja dhe PDK-ja, kështu që nuk shoh ndonjë mundësi se qeveria “Kurti” mund të rrëzohet me mocion”, theksoi opinionisti.

Po ashtu, ai tha se deklarata e Konjufcës ishte provokuese për partitë opozitare, pasi sondazhet e LVV tregojnë se kanë mbi 60 për qind të votave.

“Së dyti, sa i përket deklaratës së kryetarit të Kuvendit, z. Glauk Konjufca, se ai është pro-shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, por një gjë e tillë duhet të ndodhë në mënyrë kushtetuese, mendoj se është deklaratë jo serioze, e cila vjen nga bindje e tij e sigurt, se po qese do shkohet në zgjedhje të reja, partia e tij, VV-ja, i ka votat e sigurta për vendin e parë, duke thënë se lufta do bëhej vetëm për vendin e dytë midis LDK-së dhe PDK-së, dhe jo për vendin e parë. Prandaj, mendoj se deklarata e tij ka qenë akt provokues për opozitën, duke iu lënë të kuptojnë, se kur të doni shkojmë në zgjedhje të reja, por ato prapë do t’i fitojë LVV-je, madje siç po deklarojnë disa militant të saj, me mbi 60% të votave..!?”, vlerësoi Elezaj.

Më tej, opinionisti konsideron se nuk ka kushte për zgjedhje të parakohshme, kjo për shkak të situatës në veri dhe dialogut me Serbinë.

“Së treti, në pyetjen tuaj se cilat janë mundësitë reale për shkuarjen e vendit në zgjedhje, mendoj se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet si dhe nuk është as koha e duhur për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, duke marrë parasysh shumë shkaqe dhe arsye, në rend të parë, situatën e tensionuar në veri, vazhdimin e dialogut me Serbinë për të ardhur sa më shpejtë tek marrëveshja finale, qoftë me njohje “de-facto”, qoftë “de-jure” të pavarësisë së Kosovës nga ana e regjimit autoritar të Serbisë, luftën në Ukrainë etj., mbase i gjithë ky angazhim është kusht për paqe të qëndrueshme dhe stabilizim gjendjes së sigurisë në gjithë Ballkanin perëndimorë dhe më gjerë”, nënvizoi ai.

Në fund, Elezaj tha se vendi ishte në prag të zgjedhjeve kur u vendosën sanksione ndaj Kosovës nga ndërkombëtarët, por që një gjë e tillë nuk ndodhi.

“Mendoj se Kosova ka qenë në prag të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme para tre muajve, dhe atë për shkak të ndëshkimit amerikan ndaj qeverisë “Kurti”, për shkakun, siç kanë thënë vendet e QUINT-it, të mos koordinimit të krym. Kurti me faktorët ndërkombëtarë me rastin e dërgimit me polici të tre kryetarëve shqiptar në tri komunat në veri”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat