Si e gjeti Policinë e Kosovës ky 24 vjetor? Flasin ekspertët e sigurisë

Politika

Si e gjeti Policinë e Kosovës ky 24 vjetor? Flasin ekspertët e sigurisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 9 shtator 2023 Në ora: 10:04
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës të mërkurën (6 shtator) i ka mbushur 24 vjet që nga themelimi si institucion.

Ajo është përballur me sfida të shumta gjatë këtyre viteve. Mungesa e sigurimit shëndetësorë po konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohen policët në Kosovë.

Madje, kohë më parë Sindikata e Policisë së Kosovës ka dorëzuar edhe në Kuvendin e Kosovës një peticion të nënshkruar nga punonjësit policorë lidhur me pakënaqësitë e tyre.

Në njoftim e tyre bëhej e ditur se Ligji i pagave, mungesa e sigurimit shëndetësor e jetësor, Ligji i pensionimit, shtesat për punë specifike, rrezikshmëria dhe kushtet e punës – janë disa nga pakënaqësitë e zyrtarëve policorë”.

Shala: Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm i sigurisë në Kosovë

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota sot” thotë se shteti duhet të bëjë ligjin për pensionim të parakohshëm, ligjin për sigurime shëndetësore etj., për Policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës si institucioni më i besueshëm i sigurisë në Kosovë është dëshmuar që mund të mbështetet në këtë mekanizëm të gjitha qeveritë për të çuar tutje kërkesat e tyre politike në fushën e sigurisë për vendin.

Politika ka dëshmuar që është neglizhente në përmbushjen e kërkesave që vinë nga strukturat e sigurisë.

Kosova do të duhej të bëjë ligjin për pensionim të parakohshëm, ligjin për sigurime shëndetësore si dhe ligjin për ndarjen e linjës së vijës buxhetore vetëm për këtë strukturë, e jo si është tani”, shprehet Shala.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Elezi: Policia e Kosovës ka kaluar nëpër sfida të ndryshme për të arritur deri te strukturimi i duhur

Edhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, për “Bota sot” është shprehur se Policia e Kosovës aktualisht është mirë e strukturuar, por që ka probleme brenda përbrenda saj.

Ai përmend problemet me të cilat ballafaqohet Policia, që nga municionet, veturat e deri te meritokracia, pasi sipas tij ka raste që pesë vëllezër janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës tanimë i ka bërë 24 vite nga themelimi i saj dhe sigurisht që ka kaluar nëpër sfida të ndryshme që nga rekturimi i pjesëtarëve të parë të PK-së, të cilët ishin mbështetur nga OSBE dhe në atë kohë UNMIKU.

Policia e Kosovës sigurisht që kishe kaluar nëpër sfida të ndryshme për të arritur deri te strukturimi i duhur siç janë policitë moderne dhe evropiane dhe kjo mbështetje kishte ardhur bazuar në punën profesionale që e kishin bërë faktori ndërkombëtar.

Policia e Kosovës, mund të themi se tani është mirë e strukturuar, por me probleme të jashtëzakonshme, duke filluar nga mungesa e mjeteve policore siç janë municionet, veturat, pastaj pajisjet tjera policore siç janë, veshmbathjet sidomos çizmet të cilat përdoren për punë operative etj.

Probleme tjera që po e përcillni Policinë e Kosovës është edhe çështje e meritokracisë, ka shumë ankesa që zyrtarët policorë zgjidhen në bazë të preferencave apo edhe ndikimeve që kanë strukturat e mëhershme, ata që kanë arrtë të kenë pozita të mira ku mundësohet rekturtimi më pas edhe gradimi.

Kemi raste ku pesë vëllezër janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës ose edhe e gjithë familja janë policë të Kosovës, babi, nëna, djali, me çka nuk e ndihmon shumë kredibilitetin e Policisë së Kosovës sepse krijohet përshtypja që Policia e Kosovës është e ndikuar nga grupe që kanë mundësi rekrutimi”, thotë ai.

Image
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi

Sipas tij, policia nuk është fajtore sepse nuk ka qasje në proceset tenderuese.

“Kurse, sa i përket çështjes së mungesave të cilat derivojnë nga Minsitria e Punëve të Brendshme, ne jemi të vetëdijshëm që Policia nuk është fajtore për organizimin proceseve tenderuese dhe buxhetit të cilat janë probleme në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por te pjesa e Policisë ka probleme të cilat janë te pavarësia dhe veprimet e tyre, por që nuk mund ta akuzojmë Policinë, sepse janë probleme që ndoshta me kalimin e kohës edhe do të rregullohen.

Theks të veçantë do të vendosja të çështja e mungesës të ligjshmërisë në vendimet e tyre. Ne kemi probleme kur shumë qytetarë janë privuar nga e drejta e tyre për shkak të mos zbatimit të ligjit, duke filluar nga trafiku. Kemi raste kur Policia e Kosovës ka dalë pa kalibrim të radarëve me çka ka munguar matja adekuate ngase një radar i pa kalibruar mund të sjell të dhëna të pasakta dhe qytetari të ndëshkohet.

dyta, kemi pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë një pasuri në të cilën ka dyshime se si është fituar ngase dihet paga të cilën e merr dhe ka shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që dyshohet se mund të përdorin autoritetin e tyre për të ushtruar presion tek bizneset për përfitime dhe kjo është një shqetësim serioz”, u shpreh ai.

Në fund Elezi rikujtoi se Policisë i mungojnë sigurimi shëndetësor, pagesa e shujtave, pagesa e ndërrimit të natës, pagesa e rrezikshmërisë etj.

“Po ashtu Policisë së Kosovës i mungon edhe pavarësia sepse duket se ka një ndikim të fuqishëm të strukturave politike në Polici”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat