Raporti special Kosovë-Amerikë, ja pse nuk duhet shqetësuar për deklaratën e fundit të Hill-it – ky është synimi i politikës amerikane

Politika

Raporti special Kosovë-Amerikë, ja pse nuk duhet shqetësuar për deklaratën e fundit të Hill-it – ky është synimi i politikës amerikane

Nga: A.M. Më: 10 shtator 2023 Në ora: 15:32
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i madh i Kosovës, pasi ka luajtur rol kyç në shtetndërtimin dhe pavarësimin e saj.

Vendi ynë ka marrë përkrahje të madhe në tri dekadat e fundit nga Amerika, mirëpo përmirësimi i raporteve të kësaj të fundit me Serbinë, ka ngritur shqetësime.

Ishte ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill i cili tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në trend rritës dhe se janë të qëndrueshme.

Hill tha se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së janë stabile, pavarësisht se çfarë po ndodh në botë.

E raportet e Amerikës me Kosovën dhe Serbinë, në një prononcim për “Bota sot” i komentoi njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci

Ai beson fuqishëm në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës.

Sipas tij, nuk duhet të shqetësohemi për përmirësimin e raporteve SHBA-Serbi.

“Deklarata e ambasadorit Hill se marrëdhëniet ndërmjet SHBA dhe Serbisë janë në trend rritës dhe të qëndrueshme nuk duhet të paraqesin shqetësim për Kosovën.

Raporti i SHBA-ve me Kosovën është special dhe duhet bërë çmos që ai të fuqizohet edhe më shumë. Para 3 - 4 muajve në Beograd, zyrtari i lartë amerikan D. Chollet deklaroi të njëjtën gjë, por kur u pyet nga gazetarët për detajet ai theksoi se raportet e mira SHBA-Serbi nuk nënkuptojnë cenim të raporteve me Kosovën”, deklaroi ai.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci

Koci tha se Amerika po realizon politikën ‘Appeasement’ me Serbinë, që do thotë se synon zbutje ose koncesione të vogla dhe të përkohshme ndaj një kundërshtari.

“Shpjegimin më të mirë të raporteve SHBA-Serbi e bëri G. Escobar në Kongres kur i pyetur se përse i bëhen koncesione Serbisë, ai u përgjigj duke thënë se kemi të bëjmë me politikën e APPEASEMENT.

Çdo të thotë kjo politikë?

Është term diplomatik që nënkupton zbutje ose koncesione të vogla dhe të përkohshme ndaj një kundërshtari që mund të ketë synime agresive, për të shmangur konfliktin.

Ky është qëndrimi i tashëm i SHBA ndaj Serbisë me synim të shmangies së një konflikti eventual në Ballkan që është synim i Rusisë.

Në Kosovë ky qëndrim i SHBA-ve nuk është kuptuar drejtë dhe shpesh po keqinterpretohet”, shpjegoi njohësi i çështjeve politike.

Krahas kësaj, ai tha se SHBA është superfuqi dhe se ka interesa edhe në shtetet fqinje tona, por që ka shumë pak vende në botë që i ka dal në ndihmë më shumë se Kosovës.

“Në instancë të fundit SHBA-të janë superfuqi botërore dhe mund të kenë interesa edhe në vendet tjera në fqinjësi të Kosovës. Por, kjo nuk do të thotë se ata këtë e bëjnë në dëm të Kosovës.

Ka pak ose hiq vende në botë ku SHBA-të kanë investuar (në planin politike, diplomatik dhe ushtarake) më shumë se në Kosovë. Në vitin 1992 SHBA-të vendosën "vijën e kuqe" (kërcënimi i Krishtlindjeve), me çka ia bënë të qartë Serbisë se do të ballafaqohen me sulm ushtarak nëse shkaktojnë luftë në Kosovë. Këtë e jetësuan në vitin 1999. Mbështetësi më i fuqishëm i shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 dhe njohjeve ishin sërish SHBA-të.

Pa rolin prijës të tyre asnjera nuk do të jetësohej”, vlerësoi Koci.

Ndër të tjera, shtoi se në 30 vitet e fundit, Amerika ka përmbushur çdo premtim ndaj Kosovës.

“Edhe tash SHBA-të janë pranë Kosovës në përpjekjet e saj për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare deri në NATO.

Por, kjo nënkupton që edhe Kosova të tregohet bashkëpunuese dhe kooperuese me SHBA-të dhe të përmbushë atë që ata kërkojnë, para se gjithash përmbushjen e Marrëveshjes franko - gjermane.

Nuk ka asnjë zotim dhe premtim që në këto 30 vite SHBA-të nuk e kanë përmbushur në raport me Kosovën.

Rrjedhimisht, pavarësisht zhvillimeve Uashington/ Beograd, raporti i SHBA-ve me Kosovën për ne mbetet i rëndësisë ekzistenciale”, përmbylli Melazim Koci për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat