Qasja “përkëdhelëse” e BE-së ndaj Serbisë/ Analistët e thonë kohën se kur do të ndryshojë qëndrimi i BE-së

Politika

Qasja “përkëdhelëse” e BE-së ndaj Serbisë/ Analistët e thonë kohën se kur do të ndryshojë qëndrimi i BE-së

Nga: Qëndresë Rexhaj Më: 10 shtator 2023 Në ora: 17:32
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian duhet të jetë më i ashpër ndaj Serbisë, për shkak të qasjes së saj destruktive, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend. Sipas tyre, BE po tregohet e njëanshme dhe “përkëdhelëse” me palën serbe.

Muajin e kaluar politikanët ndërkombëtarë kanë kërkuar që të kthehet ekuilibri dhe proporcionaliteti në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë.

Ata kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe që të jenë më të ashpër ndaj Serbisë, në lidhje me përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Por, megjithëkëtë, qasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar ende.

Vendi ynë vazhdon të jetë nën sanksione pavarësisht përpjekjeve e veprimeve konkrete për de – eskalimin e situatës në veri.

Qarri: Qasja destruktive e BE-së duhet të ndryshojë sa më parë

Ky qëndrim, sipas analistit politik, Gani Qarri, bëhet edhe më i çuditshëm, kur dihet që përveç mosbindjes së Serbisë për t'iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, ajo të njëjtës i ofron edhe mbështetje ekonomike, morale dhe politike, akte këto që sipas tij, janë në kundërshtim me perspektivën integruese evropiane.

Image
Gani Qarri

Në fakt tanimë nuk shohim vetëm mbështetje të pjesshme dhe njëanshmëri të kufizuar vetëm të dy përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian si Josep Borell dhe Mirosllav Lajçakut, por edhe "simpati" absurde dhe përkëdhelje të hapur të të gjithë BE-së, ndaj qasjes kaq destruktive të Serbisë hegjemoniste. Për aq më tepër, qëndrimi përkëdhelës i BE-së, ndaj Serbisë, bëhet edhe më i çuditshëm, kur të kihet parasysh se nuk janë më vetëm veprimet gjithnjë e më agresive ndaj Kosovës, por përveç mosbindjes së Serbisë për t'iu bashkuar sanksioneve evropiane kundër Rusisë, Serbia i ofron edhe mbështetje ekonomike, morale dhe politike Rusisë, akte këto, që vërtetë janë në kundërshtim të plotë me perspektivën integruese evropiane dhe politikën e jashtme të BE-së”, thotë ai.

Derisa flet për qasjen e BE-së karshi Serbisë, ai thekson se në tërë këtë situatë më së rëndi e pëson Kosova.

Mjerisht, krejt kjo dëshmon se edhe pas rënies, së sistemeve komuniste, disa vende të bllokut të lindjes, të cilave padrejtësisht iu deleguan mandate në strukturat vendimmarrëse të BE-së, as sot nuk janë në nivel të detyrave evropiane që kanë marrë përsipër dhe as të përgjegjshme sa duhet ndaj obligimeve, që ligjërisht dhe në parim kanë, për trajtimin e barabartë dhe të paanshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, qasje pasojat e të cilave, për fat të keq, më së rëndi po i pëson Kosova, që nga mosnjohja deri te trajtimi i pabarabartë, veçanërisht nga pesëshja e shteteve mos njohëse të BE-së”, deklaron ai.

Tutje Qarri thekson se, për hirë të ruajtjes së paqes në Ballkan, BE duhet t’i trajtoj të gjitha shtetet në mënyrë të paanshme.

Kjo qasje destruktive e BE-së, që mjerisht, tanimë është shtrirë edhe në kontekstin kontinental, ashtu siç kanë kërkuar në letrën e tyre edhe mëse 56 deputetë dhe politikanë evropianë, duhet të ndryshojë sa më parë, pikësëpari për një trajtim më të denjë, të drejtë dhe të barabartë për Kosovën, e pastaj edhe për hir të ruajtjes së qetësisë dhe paqes në rajon, përndryshe BE, njëjtë si me okupacionin rus në Ukrainë, po rrit edhe orekset e Serbisë hegjemoniste për ringjalljen e frymës okupuese, gllabërimin me forcë të territoreve të shteteve fqinje që nga Bosnja dhe Mali i Zi, e deri në Kosovë, si dhe rikthimin në të kaluarën e errtë, për shtetet dhe popujt më properëndimor siç janë shqiptarët në Ballkan”, thotë ai për “Bota sot”.

Elezaj: BE-ja do të duhej ta sanksiononte se Serbinë

Image
Rexhep Elezaj

Nga ana tjetër, analisti politik Rexhep Elezaj, vlerëson se Bashkimi Evropian duhet t’i vendoste sanksione Serbisë, për politiken kërcënuese që po e përdor karshi Kosovës.

Sipas tij, kjo qasje ndaj Serbisë do vazhdon derisa ende nuk ka përfunduar lufta në Ukrainë.

Për shkak të politikës së saj të vazhdueshme agresive dhe kërcënuese ndaj Kosovës, sidomos në veri, natyrisht se BE-ja para Kosovës do duhej t’i vinte sanksione Serbisë, por një gjë të tillë ajo nuk e bën, sepse me çdo kusht dhe mjet po angazhohet që Serbinë ta largon sa më shpejtë nga ndikimi dhe ombrella ruse, dhe se ky ledhatim i saj ndaj presidentit fashist serb, A. Vuçiqit, do vazhdon derisa ende nuk ka përfunduar lufta në Ukrainë, epilog të cilin zyrtarët çetnikë serbë në Beograd po e presin me padurim”, deklaron ai për “Bota sot”

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet me 14 shtator, ka njoftuar në një konferencë për shtyp në Spanjë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj - nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

Në BE pohojnë se synojnë që tash situate të normalizohet në veri dhe që palët të evitojnë çdo veprim i cili mund të shkaktojë tensione të reja dhe në këtë mënyrë të ndikojë negativisht edhe në procesin e dialogut.

Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe aleatëve të tjerë që ta nxisin Serbinë për të përmbushur detyrimet e draftit franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se Serbia ka rënë darkod me versionin përfundimtar më 27 shkurt, por tani po kërkon që ta minojë atë.

Një vit më parë, BE-ja me lidership të Francës dhe Gjermanisë na prezantoi një projekt-traktat për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Serbia ra dakord me versionin përfundimtar më 27 shkurt, por tani kërkon ta minojë atë. BE, SHBA dhe aleatët e tjerë duhet ta nxisin Serbinë që të përmbushë detyrimet e draftit plotësisht dhe pa kushte”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat