Rindërtimi i shtëpive shqiptare në veri “ajka politike” shtrirjes së sovranitetit të Kosovës

Politika

Rindërtimi i shtëpive shqiptare në veri “ajka politike” shtrirjes së sovranitetit të Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 shtator 2023 Në ora: 19:32
Rindërtimi i shtëpive shqiptare në veri

Kanë kaluar 24 vite që nuk kanë jetuar aty, por tani disa familje shqiptare kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre, në tokën e “prindërve” të tyre, siç janë shprehur ata.

Ndërtimi i shtëpive në komunat veriore, tashmë ka filluar dhe familjet shqiptare do të kenë mundësi të jetojnë në shtëpitë që dikur ishin të tyre, por ishin djegur gjatë e pas luftës.

Të premten zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë publikuar video nga rindërtimi tek Lagjja e Boshnjakëve në veri, madje banorët kthimin në shtëpitë e tyre e kanë përjetuar me lot gëzimi.

Punimet për nga afër i kishte shikuar edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ndërsa plani për ndërtimin e 21 shtëpive në dy periudha dhe renovimin e 4 të tjera në komunat veriore është plan i Ministrisë së Infrastrukturës.

Ndërtimi i shtëpive në veri të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje e konsideron “kthim në shinat e drejtësisë së mohuar”, ndërsa sipas analistëve politikë është dashur të vijë qeveria Kurti që t’i kthejë qytetarët shqiptarë të dëbuar nga dhuna në veri.

Bajqinovci: Ndërtimi i shtëpive të shkatërruar është kthim në shinat e drejtësisë së mohuar

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, thotë se qeveria duhet të përgëzohet për vendosmërinë për të mos hequr dorë nga mbrojtja e të drejtave bazike të qytetarëve në veri.

Image
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci

“Ndërtimi i shtëpive të shkatërruara nga forcat serbe në 1998/99 në veri, është kthim në shinat e drejtësisë së mohuar dhe e diskriminimit e përjashtimit nga të drejtat themelore që të gjitha pushtetet edhe vendore edhe ndërkombëtare më parë, u kanë shkaktuar shqiptarëve të Komunës së Mitrovicës Veriore. Përgëzimet e mia për Qeverinë dhe vendosmërinë e saj për të mos hequr dorë nga mbrojtja e të drejtave bazike të qytetarëve tanë atje, pa cenuar asnjë të drejtë të komuniteteve atje, por pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë e cila drejtohet nga mentalitet fashist ende”, shprehet Bajqinovci.

Sipas tij, ndërtimi i shtëpive në veri është shprehje e qartë e ushtrimit të autoritetit sovran e shtetëror.

“Pa dyshim që kjo është shprehje e qartë e ushtrimit të autoritetit sovran e shtetëror të Republikës së Kosovës mbi principet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe legjitimitetit demokratik”, deklaron Bajqinovci.

Për kthimin në vendlindje kishte rrëfyer dy ditë më parë edhe një burrë nga familja Rakateli. Ai mes lotësh rrëfen për rikthimin atje pas 24 vitesh.

Ai thotë se ndërtimin e ri që po ua mundëson shteti, ata e kishin gjithmonë ëndërr.

Familjari rrëfen se si nga serbët i ishin ofruar siç thotë ai “shuma marramendëse” për ta shitur pronën, por asnjëherë nuk ka pranuar.

“Kanë dhanë pare marramendëse, por nuk kemi dashtë me e shitë, se kjo është toka e prindërve tonë”, shprehet ai mes lotës.

Ai u bën thirrje edhe shqiptarëve të tjerë që të kthehen.

“Qeveria e tanishme e Kurtit ka venë në panik të madh kriminelet e Serbisë”

Ndërsa, analisti politik Sulejman Mehazi thotë se gjatë qeverisjes njëzetvjeçare të “Pronto-ve”, pjesa veriore e Mitrovicës nuk ka qenë nën administratën e Kosovës, por të Serbisë.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ngadalë e me hapa të sigurt sovranitetin e Kosovës po u shtrinë në gjithë territorin e Kosovës.

“Është dashur të kalojnë më shumë se njëzet vjet e të vijë në krye të qeverisë, Albin Kurti, që për t'u kthyer qytetarët shqiptarë të dëbuar nga dhuna serbe në veri të Mitrovicës për të ndërtuar apo rindërtuar shtëpitë e veta në pronat e tyre shekullore. E gjithë kjo situatë tregon se gjatë qeverisjes njëzetvjeçare të Pronto-ve pjesa veriore e Mitrovicës nuk ka qenë nën administratën e Kosovës, por të Serbisë dhe se qeveritë paraprake asgjë nuk kanë bërë për kthimin e qytetarëve shqiptarë të dëbuar nga strukturat kriminale serbe. Dhe ja pas dy decenie kohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dalëngadalë e me hapa të sigurt sovranitetin e Kosovës po e shtrinë në gjithë territorin e Kosovës”, thekson Mehazi.

Kthimin e shqiptarëve nëpër shtëpitë e veta në veri, Mehazi e quan “ajka politike” e sovranitetit të Kosovës.

"Është dashur të kalojnë vite e vite të vijë në qeveri Kurti e të reagonte për letërnjoftimet serbe, për targat serbe në veri, të burgos e sulmonte kriminelët serbë në veri aq sa qeveria e tanishme e Kurtit ka venë në panik të madh kriminelet e Serbisë të cilët janë kundër sovranitetit të Kosovës, dhe më në fund ajka politike e sovranitetit të Kosovës ndaj Mitrovicës së veriut është kthimi i shqiptarëve të dëbuar nga dhuna në shtëpitë dhe pronat e tyre qindvjeçare”, shton Mehazi.

Ndërtimi i 21 shtëpive në dy periudha dhe renovimi i 4 të tjerave në komunat veriore, është plan i Ministrisë së Infrastrukturës i cili u bë i ditur nga ministri Liburn Aliu, ndërsa thuhet se kanë nisur edhe takimet me përfituesit e projektit.

Megjithatë për t’i kthyer të gjithë shqiptarët në shtëpitë e tyre në komunat veriore përafërsisht duhen edhe dhjetë projekte të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat