Para 14 shtatorit, kërkoi që Serbia t’i përmbush detyrimet për planin franko-gjerman - analistët zbërthejnë mesazhin e Kurtit

Politika

Para 14 shtatorit, kërkoi që Serbia t’i përmbush detyrimet për planin franko-gjerman - analistët zbërthejnë mesazhin e Kurtit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 shtator 2023 Në ora: 10:02
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Takimi i radhës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit do të mbahet më 14 shtator.

E para takimit është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe aleatëve të tjerë që ta nxisin Serbinë për të përmbushur detyrimet e draftit franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se Serbia ka rënë darkod me versionin përfundimtar më 27 shkurt, por tani po kërkon që ta minojë atë.

Një vit më parë, BE-ja me lidership të Francës dhe Gjermanisë na prezantoi një projekt-traktat për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Serbia ra dakord me versionin përfundimtar më 27 shkurt, por tani kërkon ta minojë atë.

BE, SHBA dhe aleatët e tjerë duhet ta nxisin Serbinë që të përmbushë detyrimet e draftit plotësisht dhe pa kushte”, ka shkruar Kurti.

Në përmbledhjen e tij javore të takimeve, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se BE-ja është duke u përgatitur për takimin e 14 shtatorit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për këtë takim, ai ka thënë se po punojnë që i njëjti të sjellë rezultate pozitive.

Përgatitjet e BE-së për takimin në kuadër të dialogut të Nivelit të Lartë më 14 shtator po kryhen me intensitet dhe ne po punojmë që të kemi rezultate pozitive”, shkroi ai në Facebook.

Mirëpo a do të jetë 14 shtatori pikë ndryshimi për ndërkombëtarët në raport me Serbinë?

Qarri: Kërkesa e Kurtit ndaj ndërkombëtarëve e duhur

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Gani Qarri.

Image
Analisti politik Gani Qarri.

Ai përmend dy veprimet që Kosovën do ta vendosnin në situatë të barabartë me Serbinë në takimin e 14 shtatorit.

“Në fakt heqja e masave të padrejta dhe të njëanshme ndëshkuese ndaj Kosovës, para 14 shtatrorit, kur pritet takimi i kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb. Si dhe presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë për implementimin e obligimeve të marra nga Serbia në takimin e Brukselit dhe atë të Ohrit, me hapin e parë do të vendoste të dy vendet në pozita të barabarta dialoguese. Kurse hapi i dytë, apo implementimi i marrëveshjes së BE-së, nga ana e Serbisë, do të qonte në relaksimin e gjendjes së nderë dhe ndihmonte normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve.

Madje siç shprehet edhe vet Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, Serbia vazhdon ta shantazhojë publikisht çdo minoritar serb, i cili merr guximin të angazhohet në instiotucionet komunale dhe shtetërore të Republikës së Kosovës, siç ndodhi me arrestimin e Nikolla Radimiroviqit, drejtorit të Leposaviqit qysh me 9 shtator, akt që të dielën, ka detyruar z. Rashiq të bëjë thirrje regjimit radikal të Serbisë ta lirojë drejtorin e ri të Komunës së Leposaviqit, i cili nga data 9 shtator po mbahet i mbyllur në Rashkë, të Serbisë”, u shpreh ai.

Analisti më tej thekson që Serbia nuk është e interesuar për një marrëveshje finale për këtë arsye edhe Kurti ka bërë thirrje tek ndërkomëbtarët që të nxisin Serbinë për të përmbushur detyrimet e saj.

“Për aq më tepër, njëanshmëria e hapur e përfaqësuesve të BE-së dhe obstruksionet politike të kriminelit Vuçiq me mbështetjen nga ana e tij dhe qeverisë serbe, ndaj udhëheqësve të bandave kriminale në veri të Kosovës si dhe dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës "lista serbe", vazhdojnë të krijojnë edhe sot, pasiguri dhe dyshime të arsyeshme, se Serbia jo vetëm që nuk është fare e interesuar për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Kosovën, por as për implementimin e pikave të dakorduara në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel dhe Ohër.

Prandaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i detyruar tu bëjë thirrje edhe njëherë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe aleatëve të tjerë perëndimor që ta nxisin Serbinë për të përmbushur, të paktën detyrimet e draftit franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, shpjegon analisti.

Qarri i jep të drejtë kryeministrit për thirrjen e tij pasiqë Serbia po mundohet të iu ik marrëveshjeve të nënshkruara kështu është detyrë e ndërkombëtarëve të bindin Serbinë të përmbushë detyrimet e saja.

“Kështu që duke parë se Serbia hegjemoniste tani po përpiqet t’i minojë edhe marrëveshjet e fundit, Kryministri i Kosovës, me të drejtë ka përsëritur sërish kërkesën ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë perëndimor, që përderisa Kosova, padrejtësisht është ndëshkuar me masa rënduese, të paktën t’i bëjnë thirrje edhe Serbisë që të përmbushë detyrimet e saj në kuadër të marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e tyre në Bruksel dhe Ohër.

Kërkesë që mund të shihet dhe komentohet edhe si deklaratë politike, nga ana e Republika e Kosovës, për trajtim të barabartë të Kosovës nga BE, e cila pothuajse gjatë gjithë kohës ka qenë e njëanshme dhe ka mbështetur hapur Serbinë në kërkesat e saj hegjemoniste. Si dhe rast që 14 shtatori, apo dita e takimit të Kryeministrit Kurti me presidentin serb, të jetë pikë ndryshimi për nderkombëtarët në raport me Serbinë, ashtu siç kërkuan në letrën e tyre edhe 56 politikanët evropian, drejtuar SHBA-ve, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, për ndryshimin e qasjes përkëdhelse ndaj Serbisë”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

Haziri: Ndërkombëtarët të jenë të barabartë në takimin e 14 shtatorit

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa analisti tjetër politik Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që nga ndërkombëtarët nuk ka pasur presion për të u impelmentuar asnjë nga obligimet që dalin nga marrëveshja që për bazë kishte planin franko-gjerman.

“Tani plani franko-gjerman është inkorporuar në marrëveshjes e Ohrit, për të cilën janë dakorduar Kosova dhe Serbia, dhe nuk është se njëra palë ka filluar ta implementojë dhe pala tjetër jo, dhe kjo të krijon përshtypjen se as Kurti e as Vuçiq nuk kanë shprehur interesim për implementim të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, dhe për habi nuk është se patë ndonjë presion edhe nga pala ndërkombëtare si ndërmjetësuese e kësaj marrëveshje që për bazë kishte planin franko-gjerman. Andaj thirrja e kryeministrit Kurti të cilës po i referoheni ju, është më shumë për konsum të brendshëm politik përpara takimit të 14 shtatorit në Bruksel, se sa diçka që ka përmbajtje, pasi as Kosova nuk ka shprehur interesim për të përmbushur obligimet e dala nga marrëveshja e Ohrit”, thotë ai.

Haziri në fund nënvizon që ndërkombëtarët duhet të jenë të barabartë në presion, pasi nuk duhet të vazhdojë të jetë vetëm tek pala e Kosovës, kjo duhet sipas tij të jetë e qartë në takimin e 14 shtatorit.

“Se çfarë do të shënoj takimi i 14 shtatorit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, do të varët se çfarë do të imponojë në tavolinën e bisedimeve Bashkimi Europian si ndërmjetësues dhe si do të reflektojnë palët në çështjet që do të diskutohen. Atëherë do të mund ta kemi një gjykim të qartë se nga do të shkoj presioni, nga e cila anë, por ajo që Brukseli duhet ta ketë të qartë se nuk mund të ketë suksese në këtë proces nëse ndëshkimet dhe presioni bartet vetëm tek pala e Kosovës siç është rasti edhe ma sanksionet apo masat që janë vënë Kosovës”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat