“Dialogu nuk prodhon rezultat nëse BE “përkëdhel” Serbinë”/ Analisti me kërkesë të veçantë për ndërkombëtarët

Politika

“Dialogu nuk prodhon rezultat nëse BE “përkëdhel” Serbinë”/ Analisti me kërkesë të veçantë për ndërkombëtarët

Nga: Q.R Më: 11 shtator 2023 Në ora: 11:59
Foto nga takimi në Bruksel

Nëse Bashkimi Evropian nuk do të ndryshoj qëndrimin shumë të butë ndaj Serbisë, dialogu nuk do të prodhoj asnjë rezultat. Nuk mund të ketë rezultat në dialogun ku njëra palë ndëshkohet, ndërsa tjetra "ledhatohet", vlerëson analisti Melazim Koci.

Ai në një prononcim për “Bota sot”, derisa flet për vazhdimësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 14 shtator, thotë se tashmë është momenti i fundit që BE-ja të miratoj qëndrim të balancuar në raport me Kosovën dhe Serbinë ose rrezikon bllokimin e dialogut.

“Bashkimi Evropian me qëndrimin neutral ndaj statusit të Kosovës (për shkak të 5 vendeve që nuk njohin Kosovën) praktikisht ka bllokuar ecjen përpara të dialogut Kosovë - Serbi. Ky qëndrim në fakt i ka dhënë Serbisë gati të drejtën e VETO-s, në kuptimin që nga Beogradi të varet ecja ose jo përpara.Në Ohër Serbia refuzoj nënshkrimin e Marrëveshjes franko-gjermane dhe kjo nuk u sanksionua nga BE. Më vonë u sanksionua Kosova për shkak të veprimeve në Veri dhe kjo dëshmoi sërish njëanshmërinë e Brukselit. Nëse BE nuk do të ndryshoj qëndrimin shumë të butë ndaj Serbisë, dialogu nuk do të prodhoj asnjë rezultat. Nuk mund të ketë rezultat në dialogun ku njëra palë ndëshkohet, ndërsa tjetra "ledhatohet". Është koha e fundit që BE-ja të miratoj qëndrim të balancuar në raport me Kosovën dhe Serbinë ose rrezikon bllokimin e dialogut”, thotë ai.

Image
Melazim Koci

Tutje Koci thekson se Serbia vazhdimisht po favorizohet në procesin e dialogut dhe se paradoksi më i madh sipas tij, është që sanksione ka marrë pala që ka shfaqur gatishmërinë për të zbatuar Marrëveshjen franko-gjermane, por jo pala që e ka refuzuar atë.

“Tash 10 vite Serbia favorizohet në dialog, refuzon zbatimin e marrëveshjeve dhe nuk sanksionohet nga Brukseli. Aktualisht kemi situatë paradoksale që është sanksionuar pala që ka shfaqur gatishmërinë për të zbatuar Marrëveshjen franko-gjermane, por jo pala që e ka refuzuar atë. Nëse në një afat shumë të shkurter BE nuk korrigjon këtë qëndrim të gabuar, marrëveshja franko-gjermane do të shkoj drejt dështimit”, deklaron ai.

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet me 14 shtator, ka njoftuar në një konferencë për shtyp në Spanjë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj - nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat