Së shpejti arrestime të reja nga Specialja? Ky do të jetë roli i dëshmitarëve në proces

Politika

Së shpejti arrestime të reja nga Specialja? Ky do të jetë roli i dëshmitarëve në proces

Nga: M.Lakna Më: 13 shtator 2023 Në ora: 20:06
Thaçi dhe të tjerët

Të martën në orët e mbrëmjes hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë ndaluar ish komandantin e Zonës Operative të Llapit dhe nënkryetarin e PDK-së, Rrustem Mustafa Remi.

Mustafa në një postim në Facebook tha se ky ndalim është bërë për kontroll të telefonit të tij, ndërsa shpjegoi se zyrtarët e Specialës kanë zhvilluar edhe një bisedë zyrtare me të, në zyrat e EULEX-it.

“Sonte rreth orës 20:00 para shtëpisë time më janë prezantuar hetuesit e Gjykatës Speciale të Kosovës me një urdhër nga prokuroria e Gjykatës Speciale për kontroll të telefonit. Gojarisht më shpjeguan se duhet të bëjmë një bisedë zyrtare në zyre të Eulexit”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë që nuk komenton në çështjet operacionale pasi është pyetur për ndalimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafës – Remit gjatë së martës.

Po ashtu, sot (e mërkurë) u bë e ditur se të dielën që lamë pas njësoj si Mustafa është ndaluar dhe i është kontrolluar telefoni edhe ish të burgosurit politik dhe ish deputetit Nait Hasani.

Sipas informatave, shoqërimi i tij ka të bëjë me kontrollin dhe konfiskimin e telefonit me urdhër të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, gjë që është konfirmuar nga vet ish deputeti.

Ndërkaq, të martën u dha edhe njoftimi për bastisjen e shtëpisë së dëshmorëve, Bahri e Fahri Fazliu nga hetuesit e EULEX-it.

Avokati i familjes Fazliu, Artan Qerkini, ka marrë përsipër të përfaqësojë familjen në këtë rast dhe ka thënë se disa dokumente janë sekuestruar nga shtëpia, por nuk ka dhënë informacione për përmbajtjen e tyre dhe për çfarë rasti bëhet fjalë.

këto zhvillime i konsideron si normale publicisti Nexhat Haziri. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se të gjitha këto po ndodhin në kuadër të procesit që po zhvillohet nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Janë zhvillime normale të veprimeve të institucioneve të drejtësisë, në këtë rast të Gjykatës Speciale të Kosovës , dhe si të tilla duhet të merren apo të kuptohen edhe nga opinioni, qoftë bastisjet në banesat e vëllezërve Fazliu, qoftë edhe intervistimi i Remit dhe Nait Hasanit dhe konfiskimi i telefonave të tyre. Këto të gjitha janë veprime në funksion të procesit që po zhvillohet në Hagë nga Gjykata Speciale e Kosovës, dhe të gjitha veprimet që i ndërmerr kjo gjykatë janë legale dhe ligjore”, ka thënë Haziri.

Ai me këtë rast paralajmëroi edhe arrestime të reja, të cilat sipas tij do të ndodhin në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit.

Krejt kjo sipas Hazirit do të varet nga paraqitja e dëshmitarëve dhe dëshmive të tyre.

“Sa i përket arrestimeve të reja, pritet që deri në fund të muajit shtator apo fillimi i muajit tetor do të ketë arrestime të reja, dhe kjo varët edhe nga dinamika e punës së Gjykatës Speciale, sidomos në aspektin paraqitjeve të dëshmitarëve, dhe mbi bazë të dëshmive të tyre Gjykata do të urdhërojë edhe arrestimin e personave të tjerë që kanë lidhje me periudhën e luftës në Kosovë”, përfundoi publicisti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat