Sot përballja Kurti-Vuçiq, pak shpresa për progres! 

Politika

Sot përballja Kurti-Vuçiq, pak shpresa për progres! 

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 08:25
Foto nga arkivi

Ka mbetur vetëm edhe pak kohë nga takimi i radhës ndërmjet palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).  

Të martën BE-ja njoftoi zyrtarisht takimin trepalësh mes Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell dhe udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq. 

Takimi dy palesh që nis në orën 09:00 të mëngjesit do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale. 

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike nuk kanë pritshmëri të mëdha, që pas takimit të zbatohet marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit. 

Sipas tyre, temë kyçe në këtë takimi do të jetë situata në veri. 

Burjani: S’ ka gjasa për përmbylljen e dialogut teknik 

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë për “Bota sot” se edhe nga ky takim nuk ka shumë shpresë për vendin dhe se asnjë temë nuk ndihmon avancimin e Kosovës për t’u njohur reciprocikisht. 

Image
Blerim Burjani

Bujrani thekson se temat e takimit janë të njëjta. 

“Kjo dihet, se takimi do të ketë një agjendë aspak befasuese, temat janë të njëjta, sh-tensionimi, asociacioni, lirimi i serbëve të arrestuar është temë e Vuçiqit, nuk ka shumë shpresë për Kosovën në disfavor të madh politik, asnjë temë nuk ndihmon avancimin e Kosovës për t’u njohur reciprocikisht, pasivizimi i adresave në luginë do të duhej të diskutohet, kurrfarë gjasa nuk ka për të përfunduar dialogun teknik”, thotë ai. 

Haziri: Veriu, temë kyçe në takimin e nesërm  

Nga ana tjetër, analisti politik, Nexhat Haziri, vlerëson se në këtë takim nuk do të merren zotime mbi zbatueshmërinë e marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit. 

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, tema kyçe do të jetë situata në veri. 

“Nuk pres që në Bruksel të bisedohet apo të merren zotimet nga pala e Kosovës dhe ajo serbe mbi zbatueshmërinë e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Tema që mendoj se do ta mbizotërojë apo do të jetë kyçe në takimin Kurti -Vuçiq do të jetë situata në veri të Kosovës dhe gjetja e një moduli më të shpejtë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme lokale atje”, thotë ai për “Bota sot”. 

Haziri tutje thekson se, nuk mund të vazhdohet me implementim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, me një situatë që vazhdon të jetë e tensionuar në akter komunat veriore të vendit. 

“Besoj se ky është edhe synimi i Brukselit që të shtyjë palët drejtë sh-tensionimit të situatës në veri të Kosovës, një situatë që nuk i ka kontribuar vetëm Kosovë, por edhe Serbia në një masë të madhe, dhe në këtë pikë Brukseli duhet të jetë më i balancuar sa i përket përgjegjësisë që kanë palët, pra Kosova dhe Serbia. Mendoj se nuk mund të vazhdohet me implementim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, me një situatë që vazhdon të jetë e tensionuar në akter komunat veriore të vendit”, deklaron ai. 

Ecuria e dialogut 

Më 27 shkurt në Bruskel është arritur marrëveshja bazë Kosovë-Serbi, ndërkaq më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut është dakorduar për aneksin e zbatimit të saj. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të zbatohet saktë dhe shpejt. 

Ndryshe, Bashkimi Evropian përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur detajet se si do të zhvillohet takimi. 

Sipas njoftimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell së bashku me emisarin special për dialog, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët që nga ora 09:00, të cilët do pasohen me një takim të përbashkët trepalësh. 

“Përfaqësuesi i Lartë, me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 09:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”- thuhet në njoftim. 

Në komunikatë bëhet e ditur se Borrell do të ketë një deklaratë për mediat. 

Takimi i 14 shtatorit, është i pari që mund të realizohet mes Kurtit dhe Vuçiqit prej rritjes së tensioneve në veri, qysh në fund të majit. 

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua më 2 maj të këtij viti. 

Situata në veri të Kosovës është tensionuar kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut . 

Për shkak të tensioneve në veri, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it. 

BE dhe SHBA kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet, përderisa palës kosovare i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq asaj serbe që të sigurojnë që serbët të marrin pjesë në votime. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat