“I bën dëm të akuzuarve, Specialja s’ka prokurorë të Adem Grabovcit”/ Komentohet protesta e OVL- UÇK-së

Politika

“I bën dëm të akuzuarve, Specialja s’ka prokurorë të Adem Grabovcit”/ Komentohet protesta e OVL- UÇK-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 shtator 2023 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Protesta nuk ka ndonjë ndikim në punën e Gjykatës, e as nuk i ndihmon të arrestuarve në Hagë, thonë analistët politikë.

EULEX me urdhër të Dhomave të Specializuara të enjten ka bastisur përreth tetë orë shtëpinë e ish- luftëtarit të UÇK-së, Behar Berisha.

Duke folur rreth bastisjes, nga zyra për informim të EULEX, kanë thënë se nuk kanë mandate për të ndërmarr veprime, por sipas tyre, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike dhe operacionale për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore.

“Prej vitit 2018, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka mandat për të ndërmarrë veprime që ndërlidhen me procedura gjyqësore si kryerjen e arrestimeve, bastisjeve, konfiskimeve, marrjes në pyetje apo të ndalimin e personave.

Në kuadër të kufizimeve të mandatit aktual të tij për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira, për sa i përket këtyre procedurave, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike dhe operacionale për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore”, thuhet në përgjigjen nga zyra për informim të EULEX-it.

Bastisja e së enjtes nuk është e para gjatë javës që po kalon, EULEX ka bastisur edhe shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu, ndërkaq u ka sekuestruar telefonat personalë ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës.

Për të kundërshtuar bastisjet e fundit ndaj ish- luftëtarëve të UÇK-së, OVL- UÇK do të mbajë protestë sot.

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur dje (e enjte) se protesta do të nisë nga ora 12:00 para objektit të EULEX-it në Fushë Kosovë.

“Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i, janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal.

Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë”, ka shkruar Klinaku.

Burjani: Protesta nuk ka ndikim në punën e Gjyaktës

Image
Blerim Burjani

Por, ndaj protestës nuk shprehen “optimist” analistët politikë.

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se protesta nuk ka ndonjë ndikim në punën e Gjykatës.

Sipas tij, gjykata e vazhdon punën e saj dhe nuk merret me ankesat, e protestat.

“Protesta nuk ka ndonjë ndikim në punën e Gjykatës, ajo është për nevojat e brendshme. Ajo nuk ka të bëj me pengimin, kjo sepse gjykata po e vazhdon punën e saj pavarësisht të gjithave. Domethënë ajo nuk merret as me ankesat, e as me protestat”, deklaron Burjani.

Miftari: Demonstratat nuk i ndihmojnë fare të arrestuarve në Hagë

Ndaj bastisjeve të fundit nuk kanë reaguar ndonjë politikan, ndërsa analisti Naim Miftari thotë se protestat nuk i ndihmojnë të arrestuarve.

Image
Naim Miftari

Sipas tij, ato vetëm i bëjnë dëm më shumë të akuzuarve.

“Demonstratat nuk i ndihmojnë fare të arrestuarve në Hagë, përkundrazi vetëm iu bëjnë dëm më shumë të akuzuarve. Duhet të mësohemi e ta kuptojmë se Gjykata Speciale nuk ka prokuror të Adem Grabovcave si prokurorët e tipit të Sylë Hoxhës, Millakut, Kalludra. Në Gjykatë Speciale nuk pyeten fare këshillat e KGK, KPK, por janë prokurorë dhe gjyqtarë dhe avokatë më të mirë në botë”, pohon Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat